Numrimi i prapaskenave të Ramush Haradinajt
Albeu.com
"Ramush Haradinaj e hoqi Bajram Kosumin, jo pse ai nuk punoi mirë, por sepse nuk po e dëgjonte", shprehet kështu ish- zëvendëskryeministri Adem Salihaj në një intervistë ekskluzive.Adem Salihaj shfleton: Vendimi për zgjedhjen e Fatmir Sejdiut kryetar është marrë në bazë të një mashtrimi perfid, sipas të cilit presidenti Rugova e paskësh lënë amanet që Sejdiu të jetë kryetar. Ramush Haradinaj e hoqi Bajram Kosumin, jo pse ai nuk punoi mirë, por sepse nuk po e dëgjonte. Muaj më parë, me kërkesën e Haradinajt, shefi i Zyrës Amerikane, Philip Goldberg, kishte shkuar tek ish- presidenti Rugova për ta lutur që ta shkarkojë Kosumin, por ai kishte refuzuar një gjë të tillë. Më hoqën nga posti i zëvendëskryeministrit sepse në këtë post më ka vënë presidenti i ndjerë. Po tentojnë që ta shkatërrojnë LDK-në, por nuk do t’ia dalin

Pikërisht një vit më parë, më 8 mars 2004, Adem Salihaj kishte marrë postin në Qeverinë e Kosovës si ushtrues detyre i kryeministrit, ngase atë ditë ish- kryeministri Haradinaj kishte dhënë dorëheqje.
Një vit pas, Kryesia e partisë së tij e ka shkarkuar nga posti i zëvendëskryeministrit.
Të mërkurën dukej i lodhur dhe i mërzitur, por mjaft i ashpër...

“Lajm”: Kryesia e LDK-së ju ka shkarkuar nga posti i zëvendëskryeministrit.Cila është arsyeja e vërtetë dhe a mendoni se ishin akuzat që ua bënë gjatë mandatit tuaj arsyeja e fortë që çoi në rrëzimin tuaj?

Salihaj: Pas vdekjes së presidentit Rugova janë duke ndodhur disa ngjarje dramatike në institucionet e Kosovës. Brenda një kohe shumë të shkurtër janë bërë ndërrime tepër të mëdha dhe janë lëvizur figurat kyçe të institucioneve, të cilat i kishte vendosur Rugova. Këto pa dyshim nuk janë të rastit dhe nuk janë procese natyrore të brendshme të LDK-së. Të gjitha këto janë iniciuar nga jashtë, në emër të qëllimeve të mira, por në esencë nuk qëndron asnjë qëllim i mirë pas gjithë kësaj.
Në një periudhë kaq kritike për procesin, të hysh në këso ndryshimesh kaq të mëdha është tepër e rrezikshme, jo vetëm për LDK-në, por për vetë procesin dhe Kosovën në tërësi. Kjo në dukje të parë duket pa pasoja, por ato gjithsesi do të vijnë më vonë.
A ishin akuzat e PDK-së, ORA-s, SHIK-ut ato që ndikuan që unë të mos jem në listën e re të Qeverisë, mendoj se pikërisht po. Këtë e thashë edhe në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së. Listën e ka propozuar Eqrem Kryeziu, në emër të së ashtuquajturës “Kryesi e Kryesisë” dhe ai nuk qe në gjendje ta thoshte asnjë fjalë të vetme se përse po ndodhte kjo. E vetmja gjë që tha ishte se duhej bërë ndonjë ndryshim në qeverinë e re. Kjo është tepër e mjerë në aspektin moral. Unë, po e përsëris, e thashë pikërisht këtë, sepse këtu po realizohen skenarët e PDK-së, SHIK-ut, ORA-s. Ata skenarë të likuidimit tim fizik dhe politik, të cilët nuk arritën t’i realizojnë përmes formave tashmë të njohura, tash po i realizojnë përmes së ashtuquajturës “Kryesi e Kryesisë” së LDK-së.
Kjo “Kryesi” vjen me skenarë të gatshëm dhe na qet para aktit të kryer. Lista për anëtarë të kabinetit qeveritar ishte formuluar në atë mënyrë që të mos kundërshtohej nga ministrat aktualë, sepse po të mos e votonin listën, në këtë mënyrë ata do të votonin kundër vetvetes. Dhe kjo ishte arsyeja që unë ua hapa rrugën, që të mos i mbajë peng edhe ata. Pra, vendosa të “sakrifikohem” për hir të tyre. Sepse u luajt në kartën e përçarjes së Kryesisë dhe unë nuk munda ta lejoj këtë, qoftë edhe duke sakrifikuar shumë.
Duhet theksuar edhe një fakt. Të gjitha vendimet e mëdha që janë marrë në Kryesinë e LDK-së pas vdekjes së presidentit Rugova, janë marrë në bazë të gënjeshtrave apo mashtrimeve.
Vendimi për zgjedhjen e Fatmir Sejdiut kryetar është marrë në bazë të një mashtrimi perfid, sipas të cilit presidenti Rugova e paskësh lënë amanet që Fatmir Sejdiu të jetë kryetar i Kosovës. Katërshi i Kryesisë së “Kryesisë” tha se këtë amanet Rugova ia paskësh lënë Goldbergut dhe Ramush Haradinajt. Sipas këtij katërshi, të dy këta e kishin pohuar këtë. Anëtarët e Kryesisë, të emocionuar nga fakti që Rugova e paskësh lënë këtë amanet, nuk hezituan që ta votojnë Sejdiun. Më vonë doli se kjo kishte qenë një gënjeshtër dhe mashtrim, por loja u krye. Mashtrimi dhe manipulimi u dytë i vrazhdë u bë me shkarkimin e Nexhat Dacit dhe Bajram Kosumit.
Para nesh, ”katërshi“ erdhi dhe si zakonisht, Eqrem Kryeziu, me një ton dramatik tha se Zyra Amerikane po kërkonte spostimin e dy posteve kryesore. Pastaj retorika se ne nuk kemi çka diskutojmë, kjo duhet të kryhet, se kush nuk pajtohet me këtë në fakt është kundër Amerikës. Natyrisht që të gjithë ne e konsiderojmë Amerikën të shenjtë dhe kush do të ishte ai patriot që do të ishte kundër saj. Secili anëtar i Kryesisë deklarohej se nuk ishte kundër Amerikës, kështu puna u krye.
Dëshiroj ta theksoj faktin se kur u zgjodha zëvendëskryeministër, mora një urim të shkruar nga Zyra Amerikane, në të cilin ata më quajnë mik të saj dhe e vlerësojnë të mençur vendimin e LDK-së. Natyrisht se te këta skenarë për ndërrime në emër të proceseve ishin një lojë dhe mashtrim i madh.
Ndërrimi i kryeministrit ishte lojë e Ramush Haradinajt, i cili qëndron prapa shumë prapaskenave të politikës në Kosovë. Ai nuk ishte i kënaqur me Kosumin, jo pse ky nuk po punonte, por pse nuk po e dëgjonte atë.Goldbergu ia kishte përcjellë këtë kërkesë të Ramush Haradinajt presidentit Rugova, por Presidenti e kishte quajtur këtë si lojë dhe e kishte refuzuar. E kishte thirrur edhe Haradinajn për sqarime dhe përsëri e kishte refuzuar pa asnjë hezitim. Presidenti, siç thashë, e kishte vlerësuar këtë si lojë të rrezikshme.
Por, presidenti Rugova vdiq dhe tash dolën aktorë të tjerë që i realizojnë këta skenarë. Është interesant se Haradinaj po i sakrifikon një nga një miqtë dhe përkrahësit e sinqertë të tij, po i sakrifikon interesat e LDK-së dhe AAK-së, ndoshta me të vetmen shpresë se nuk do ta rikthejnë sërish në Hagë. Ne të gjithë ishim të interesuar që ai të lirohej ose të mbrohej në liri, por të sakrifkosh në emër të kësaj personalitetet, institucionet dhe proceset, mendoj se kjo është e tepërt dhe shumë e pamoralshme.
Nuk ka asnjë dyshim se sot Ramush Haradinaj është aktor i shumë prapaskenave dhe manipulimeve.

“Lajm”: Pse nga LDK-ja vetëm ju dhe Nexhat Daci u shkarkuat? Pse u zgjodhët për kurban vetëm ju dy?

Salihaj: Unë dhe Daci ishim dy figurat kyçe të LDK-së në institucionet e Kosovës, të propozuar dhe të vendosur nga Rugova. Po ashtu edhe Bajram Kosumi ishte i aprovuar nga Rugova. Lufta po bëhet në mënyrë perfide që të eliminohen figurat kyçe të Rugovës, të cilat sollën koalicionin LDK - AAK. Disa në Kryesinë e LDK-së kurrë nuk janë pajtuar me këtë koalicion dhe ende ëndërrojnë një koalicion të gjerë sikur ai i mëparshmi me PDK-në, i cili në një farë mënyre ndoshta po ndodh edhe tash joformalisht, por në një të ardhme të afërt nuk duhet përjashtuar edhe ndonjë formë plotësisht të dukshme të një koalicioni të tillë. Se sa po bëhet një luftë kundër vijës së Rugovës, tregon fakti se disa nga Kryesia e LDK-së nuk pranojnë të shkelin më në pragun e shtëpisë që identifikohet me Presidentin Rugova.

“Lajm”: Cila është arsyeja e vërtetë që u bënë këto ndërrime në legjislativ dhe ekzekutiv. Kush e nisi këtë “lojë’ dhe kush është fituesi e kush humbësi?

Salihaj: Arsyeja e vërtetë nuk është për të sjellë në vend të tyre figura më të mira. Këtu po ndodh e kundërta. Është absurde të mendosh se Kolë Berisha, në gjendjen shëndetësore çfarë e ka, do të jetë më i mirë se Nexhat Daci. Alternativa është më tepër se e mjerueshme. Po ashtu është absurde të mendosh se një ushtarak, pa asnjë ditë përvojë në politikë, të jetë më i mirë se një politikan, qoftë ai edhe jo shumë i mirë, por me përvojë, i cili tashmë kishte kuptuar shumë procese. Në anën tjetër, nga postet janë larguar njerëz me qëndrime të forta për çështjen e pavarësisë dhe janë sjellë njerëz që janë të shantazhueshëm dhe nuk janë në gjendje ta mbrojnë asnjë qëndrim.
Ndoshta kjo i zbulon arsyet e vërteta të këtyre ndërrimeve. Mendoj se kemi arsye të forta të jemi të brengosur.

“Lajm”: Me këto ndërrime, a fitoi “garda “ e vjetër e LDK-së?

Salihaj: Ndoshta dikush mendon se ka fituar, në fakt të gjithë kemi humbur.

“Lajm”: Edhe pse pritej, Kryesia nuk i shkarkoi edhe ministrat e LDK-së, mendoni se ata kanë punuar mirë dhe ia vlen që të vazhdojnë edhe një mandat?

Salihaj: Në këtë rast puna nuk pati rëndësi, arsyet e ndërrimeve janë të tjera. Matematika tregonte se ata nuk mund të bënin ndërrime të tjera, sepse nuk mund të dilte rezultati i votave. Përndryshe, do të ishin ndërruar edhe shumë të tjerë.

“Lajm”: A është ky fillimi i shkatërrimit të LDK-së?

Salihaj: Si skenar, po. Por, unë mendoj se ky skenar nuk do të ketë sukses.
Unë e kam parë kudo një dëshpërim dhe konfuzion të madh te anëtarësia e LDK-së. Ne që e duam LDK-në dhe Rugovën do të bëjmë çmos që kjo të mos ndodhë, sepse kjo do të ishte tepër tragjike për qindra mijëra ithtarë të flaktë të Rugovës, të cilët me durim të pashoq pritën me orë të tëra në të ftohtin më të madh për t’ia bërë atij nderimin e fundit. Do të ishte tragjike për vetë Kosovën, sepse LDK-ja dhe Rugova ishin bartësit dhe artikuluesit e kërkesave për liri dhe pavarësi. LDK-ja është kurrizi i lëvizjes sonë. Me shkatërrimin eventual të LDK-së rrezikohen të gjitha proceset, edhe vetë pavarësia e saj. Duke e kuptuar situatën si shumë delikate, unë e ftoj anëtarësinë e gjerë të LDK-së që të mos dëshpërohet nga këto veprime shumë të rrezikshme, por t’i shtrëngojnë radhët dhe bashkërisht, për hir të Rugovës dhe Kosovës, ta fitojmë edhe këtë betejë. Ne kemi përballuar edhe beteja më të vështira.

“Lajm”: Vërtet a pati gisht në këtë Zyra Amerikane në Prishtinë?

Salihaj: Për dallim nga rastet e tjera, në këtë rast nuk janë thirrur në qëndrimet e Zyrës Amerikane në Prishtinë. Siç e thashëmë lart, tash janë realizuar skenarët e kundërshtarëve politikë të LDK-së, të cilët më në fund e gjetën mënyrën për ta bërë këtë.

“Lajm”: Keni lëshuar postin e kryetarit të KK-së së Ferizajt, ky post është tash në duart e dikujt tjetër. Çfarë do të bëni tash, do të tentoni ta merrni postin e kryetarit të Ferizajt sërish apo doni të jeni vetëm anëtar i Kryesisë së LDK-së?

A.Salihaj: Disa procese janë zhvilluar dhe nuk mund të kthehen prapa.Tash vijnë zgjedhjet e tjera dhe unë kam bindje të plotë se gjërat do të bien në vendin e vet.

P.S. Intervista, me kërkesën e Salihajt, është bërë me shkrim.
nga LEONARD KERQUKI, Lajm
Shtuar më 09/03/2006, ora 17:40
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori