Nuk varroset si qen një grua që u vra për dashuri dhe një kriminel si burri më i ndershëm
Nga Agim Xhafka

Dje u varrosën dy trupa, një mashkull në Fier dhe një femër në Lushnjë. Të dy vrarë nga plumbat. Nxjerrë nga revolja e mashkullit drejt femres e drejt vetes. Krim pasioni e quajti policia. Ashtu e besuan të gjithë. Dhe u provua se mashkulli ishte krimineli dhe u varros si burri më i ndershëm e më i drejtë. Qindra vetë në varrimin e tij, plot lule mbi dheun e freskët. Tek femra, viktima e vërtetë, u çapitën pas arkivolit vetëm nëna e babai i së ngratës.

Askush tjetër se ajo i kishte turpëruar, ishte e martuar, kishte fëmijë e dashuronte një të martuar tjetër që ia hapi gropën. Populli namusqar braktisi vajzën, nënën, dashnoren dhe përqafoi kriminelin, vrasësin. Hynë tek shtëpia e tij, pinë cigare, ngushëlluan dhe bënë për një lekë atë putanën që ua mori më qafë djalin e fshatit.

Historia është rrënqethëse e tragjike. E gjykuar mbi klishe vajza 29 vjeçe, apo nëna e nje vajze ka një shkelje kodi moral. Ka tradhëtuar kurorën. Është lidhur me dikë, i cili e donte aq shumë sa dhe në prag të vrasjes i kishte bërë dhuratë si prag Valentini. Pra një lidhje jo për lekë, jo për interes, jo për favore. Dashuri mes dy njerëzve. Kësaj i mungonte burri dhe atij mbase i mungonte pasioni, zjarri në shtëpinë e vet. Një shoqëri që hesht për mijëra prostituta nëpër botë që i ka nga halli dhe varfëria, që zë rradhë në agjencitë e transfertave për të tërhequr eurot e tyre, që e di se për një vend pune bëhen kodoshllëqe pa fund, befas bëhet puritan e sedërli e godet pas vdekjes një 29 vjeçare.

Ajo gocë e krijoi atë marrëdhënie sipas zemrës, pasionit, ngrohtësisë e dashurisë. Por u nxit dhe nga rrethanat kur plot femra shqiptare kanë burrat, të dashurit, meshkujt në vende të ndryshme të globit. Kanë pranë veç fotot e tyre. E çdo dalje nga vija nxitet nga një rrethanë a nga një mungesë. Ndaj varrimi drithërues i një vajze si një qen rruge dhe keqardhja masive për vrasësin më sjell aktual, sot titullin e një romani afër 100 vjeçar "Sikur të isha grua."

Edhe pas një shekulli femra nuk gjen barazi. Dashuron, vritet, është viktimë e shoqëria jonë vulgare dhe banale respekton vrasësin, atëe që shkrepi plumbat mbi tëmthin e të ngratës.

Nuk gjej fjalë për këtë ndodhi. Lutem që dheu të jetë i lehtë mbi trupin e asaj Zhuliete që fati ia solli të kishte nje Romeo vrasës...
Shtuar më 13/02/2017, ora 09:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori