"Nuk të vjen turp që nuk shpëtove shoqen e ngushtë", si e sulmonte ashpër Silva Turdiu Nexhmije Hoxhën
Në prill të 2004, Silva Turdiu iu përgjigj si rrallëherë Nexhmijë Hoxhës , e cila vazhdonte të tregonte historira për fejesën e saj me djalin e Kryeministrit Mehmet Shehu e mbi të gjitha, për familjarët e saj.

Asokohe, Nexhmije Hoxha kishte botuar librin e saj me kujtime. Pasi lexoi se çfarë shkruante për familjen e saj, Turdiu i drejtoi një letër të hapur Nexhmije Hoxhës. Një letër prej 10 pikash, ku hidhte poshtë shumë pretendime të së vesë së diktatorit, mbi raportin e saj mbi Skënderin, por mbi të gjitha për familjarët e saj, për të atin, Qazimin, dhe njerëzit e afërt të së ëmës nga fisi Pipa.

Ajo e quan gënjeshtër që i ati kishte qenë me Ballin apo që ishte “përpunuar” nga Sigurimi, siç quan gënjeshtër edhe faktin që intelektualët e nderuar, avokat Myzafer Pipa e filozofi e studiuesi Arshi Pipa, ishin kriminelë lufte. Kanë kaluar 16 vjet që atëherë dhe Nexhmije Hoxha sjell një libër të ri, ku sërish merret me fejesën e Silvës dhe Skënderit. Duket sikur nuk ka ndryshuar asgjë.

Nexhmije Hoxha nuk u ka lëvizur asnjë presje pretendimeve të saj mbi familjet Turdiu e Pipa. E me shumë gjasë, edhe Silva Turdiu nuk do t’u hiqte asgjë 10 pikave të letrës së saj, të botuar 16 vjet më parë:

LETRA E SILVA TURDIUT

Do të preferoja që Nexhmije Hoxha dhe soji e sorollopi i tyre të mos shkruanin më për mua e familjen time. Në pamundësi për ta kontrolluar këtë fakt, nuk më mbetet gjë tjetër veçse ta përgënjeshtroj. Do të kisha heshtur sikur të flitej vetëm për mua, por më vjen keq të përlyhet reputacioni i të tjerëve, shumica të vdekur e që nuk mund të përgjigjen. Kujtimet e Nexhmijes përmbajnë, mes të tjerash, edhe thashetheme tendencioze për jetën private të familjarëve të mi, gjashtëdhjetë vjet me parë, që janë aq ordinere sa nuk meritojnë përgjigje.

Do të përqendrohem vetëm në pohimet me rëndësi “politike”.

1) Akoma sot, Nexhmija vazhdon të përsërisë përrallën enveriane të 6-7 kriminelëve të luftës në rrethin tim familjar. Nuk është e vërtetë që familjet Turdiu dhe Pipa kane pasur kriminelë lufte, por intelektualë demokratë, antikomunistë, që kanë përdorur vetëm fjalën dhe penën. Pra, Nexhmije Hoxha, për hir të së vërtetës, ta fshijë me gomë shprehjen “kriminelë lufte” në fletoret ku përmendet familja ime dhe ta zëvendësojë me “luftëtarë të fjalës dhe të penës”.

2) Nuk është e vërtetë që babai im, prof. Qazim Turdiu, ka qenë me Ballin. E vërteta e thjeshtë është se nuk është marrë kurrë me politikë, sepse nuk i pëlqente politika.

3) Arshi Pipën, nëna ime e kishte njëkohësisht djalë xhaxhai dhe djalë tezeje. Nuk është e vërtetë që prof. Arshi Pipa ka qenë “kreu i reaksionit dhe armik i popullit”, por, përkundrazi, simbol i rezistencës së popullit kundër diktaturës. Vëllezërit Myzafer dhe Arshi Pipa kanë qenë viktima të pafajshme të regjimit komunist.

Gjatë luftës ishin antifashistë dhe demokratë të njohur. Pas luftës, avokatin 29-vjeçar Myzafer Pipa e vranë në tortura, sepse besonte në pavarësinë e sistemit gjyqësor nga pushteti politik. Profesorin e filozofisë, Arshi Pipa, e kalbën në burg për ndjenja antijugosllave, në kohën kur Enver Hoxha ishte vegël e Titos. Më 1958, Arshi Pipa çau kufirin (bashkë me një nga motrat e tij trimëresha) dhe emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku u afirmua si dijetar i shquar e hero i luftës për të drejtat e njeriut.

4) Nuk është e vërtetë që babai im, prof. Qazim Turdiu, ka qenë “përpunuar” nga Sigurimi. Fjala dashakeqe “përpunuar” në tekstin e diskutimit të Enverit një ditë pas vdekjes së Mehmet Shehut, është qëllimisht e vakët dhe implikon gjëra të shëmtuara. Ndërsa e vërteta është se në vitin 1972, Qazim Turdiun e thirrën në Ministrinë e Punëve te Brendshme, ku një zyrtar i lartë i saj i tha se duhej t’i shkruante të vëllait në Amerikë, dr. Ramazan Turdiut, të ndërpriste veprimtarinë kundër regjimit komunist në Shqipëri, përndryshe do të kishte pasoja familjare shkatërruese.

5) Nuk është e vërtetë që fejesa ime me Skënder Shehun qe e imponuar.

6) Nuk është e vërtetë që kemi pasur presione nga familja Shehu, apo emisarë të tyre për të pranuar fejesën.

7) Sipas traditës se popullit tonë, çdo fejesë ka anën personale që i takon çiftit dhe anën familjare, me të cilën merren prindërit. Është e vërtetë se Qazim Turdiu hezitonte për ta lidhur fejesën, jo se “nuk donte të tradhtonte klasën e tij”, siç shkruan anakronikisht Nexhmija, sepse ishte humanist dhe nuk besonte në ndarjen e popullit në klasa, por sepse nuk aprovonte anën brutale të regjimit, ku Mehmet Shehu ishte njëri nga protagonistët. Por nga ana tjetër, edhe besonte se çdo dash varet nga këmbët e veta dhe se i biri nuk është përgjegjës për mëkatet e babait.

8) Nuk është e vërtetë që figura morale e Skënder Shehut ka qenë ashtu siç e përshkruan Nexhmija. Ajo le të pyesë shokun e ngushtë të Skënderit, Ilir Hoxhën.

9) Nuk është vërtetë që Enver Hoxha “nuk dinte asgjë” për Qazim Turdiun, kur bëri vizitën për urimin e fejesës. Unë isha prezente. Më tha vetë se e njihte mirë Qazim Turdiun dhe shprehu konsideratë të lartë. Pse e ndërroi fletën me vonë?

10) Në diskutimin ne Byro, Enveri shprehu merak të madh për fotografitë e fejesës me Enverin në krye, se mos kanë rënë në duart e reaksionit ndërkombëtar, duke sajuar fantazinë se fotografitë do të kenë shkuar te Turdinjtë, pastaj në Greqi dhe më pas në duart e Arshi Pipës në Amerikë. E vërteta është se as që u kujtua njeri për fotografitë me Enverin (Enverit i pëlqente ka mera dhe nuk linte rast pa dalë në fotografi) dhe do të kenë ngelur në aparatin e ndonjërit prej fotografëve të Bllokut.

Fantazia e “komplotit” të fotografive është një maket në miniaturë i konstruksioneve fantastike të komploteve të paqena në trurin diabetik enverian. Ato që Enveri dhe Nexhmija kanë shkruar për faktet që unë i di dhe njerëzit që unë i njoh, janë pothuajse të gjitha gënjeshtra. Po të përdorim metodën e arsyetimit me induksion, shumica e gjërave që kanë thënë edhe për të tjerët duhet të jenë gënjeshtra. Megjithatë, nuk është e vështirë “to read betëeen the lines” në kujtimet e Nexhmijes: Situata në udhëheqjen e Partisë ishte mbytëse. “Shokët” (tashmë të plakur dhe të rrjedhur) urrenin njëri-tjetrin, ruanin nëpër kasaforta dokumente “komprometuese” për shoku-shokun dhe mezi prisnin që dikush të gabonte e t’i suleshin si qen të uritur.

Enveri ndiqte taktikën “përça dhe sundo”, Kadriu donte t’i zinte vendin Mehmetit, ndërsa Ramizi synonte largpamësisht karrigen e Enverit. “Shoqet” përdornin taktikat e plakave ziliqare për t’u futur xixat pleqve: “E di ti Enver se çfarë biografie ka e fejuara e Skënderit? Po kolltukët e rinj të Fiqiretit i vure re? I kanë më të mira se tonat. Meqë ra fjala, Turdiu i ka vënë notë të keqe Pranverës në matematikë”.

Dhe kulmi i absurditetit, aq sa futet në kategorinë e qesharakes, është sajesa enveriane se poliagjenti Mehmet Shehu mori urdhër të prerë nga shërbimet e huaja që të vrasë Enver Hoxhën për të përmbysur regjimin në Shqipëri. Këtë nuk e bëri dot, sepse ishte shumë “e vështirë” (ndonëse me dhjetë veta mund ta pushtoje të tërë Bllokun). Atëherë, si variant i dytë për të përmbysur regjimin, fejoi djalin! (Është shumë më e pranueshme që një individ inteligjent si Mehmet Shehu, nën influencën modernizuese të djemve të tij, ta kishte kuptuar më në fund kotësinë vëllavrasëse të luftës së klasave dhe ta shikonte këtë fejesë si një mjet për ta përmirësuar regjimin dhe jo përmbysur atë).

Të kthehemi në kohën e tashme: Mirë se Enveri ishte i çmendur dhe ka vdekur, por ty Nexhmije Hoxha, po të flas si grua dhe si nënë, si nuk të vjen turp që nuk shpëtove shoqen tënde të ngushtë të shkollës e të luftës dhe fëmijët e saj që u rritën bashkë me fëmijët tuaj.

Silva Turdiu

04. 04. 2004
Shtuar më 15/01/2020, ora 12:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori