Nuk përmbahet Meta: I gatshëm ti nënshtrohem çdo llojë kontrolli mjekësor
Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaroi në një panel me studentët e ekselencës në UET se çfarë do lloj vendimi që të marrë Gjykata Kushtetuese për vendimin e tij për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, Kushtetuesja nuk merr dot vendim final dhe as ekzekutiv, por jep vetëm këshilla apo sugjerime.

Meta sqaroi edhe njëherë se ishte i detyruar që të shtynte zgjedhjet për shumë arsye, e ndër të tjera tha se situata nuk ishte aspak normale, pasi kishte protesta e antiprotesta e mund të rrezikohej edhe gjak-derdhja.

“Duhet të jemi të qartë se presidenti vetëm e ka mbrojtur Kushtetutën. Le të thotë dikush se cilin nen ka shkelur presidenti. Unë nuk ndaloj as Komisionin e Venecias, as Kushtetuesen dhe as OKB-në që të çmendet, por të jeni të sigurt se jam i gatshëm kurdoherë që të kontrollohem në çdo raport mjekësor dhe çdo kontrolli tjetër nëse mendoni se përdor ndonjë doping apo tjetër gjë. Kjo histori ka mbaruar dhe Kushtetuta e Shqipërisë ia jep të drejtën për datën e zgjedhjeve vetëm presidentit. A është anulimi i zgjedhjeve një akt normal. Jo nuk është. Situata ka qenë alarmante, ju e dini me gaz, keni parë demonstrues të plagosur, keni parë policë të plagosur” – tha Meta.

“Keni parë se probleme ka sjellë edhe njëra palë, edhe tjetra. Presidenti në këtë situatë ose mund të ketë përpjekje për dialog ose për të moderuar dhe ka edhe dekretin. Kaq “armë” ka presidenti. Ishte e vetmja mënyrë për të ndaluar një përplasje dhe mos më thoni se nuk janë vrarë njerëz në Shqipëri nga demonstratat e manifestimet. Kështu që përgjegjësia ishte shumë e madhe. Tjetër është si mund të ketë zgjedhje me një palë.

Këto vetëm zgjedhje nuk ishin, por ishin dëm i jashtëzakonshëm për demokracinë dhe për funksionimin e shtetit ligjor. Ju e dini sa probleme ka pasur, çështjet e Dibrës, të Shijakut, etj. Zgjedhjet e njëanshme nuk kanë asnjë perspektivë. Zgjedhjet ishin antikushtetuese dhe të paligjshme për arsye se asnjë gjykatë në Shqipëri nuk e ka rrëzuar dekretin e presidentit.

Së dyti Gjykata Kushtetuese mund të japë 100 vlerësime, por nuk mund të japë legjitimitet atij vendimi. Kushtetuesja mund të përcaktojë ose orientojë për të ardhmen ose si është bërë shkelja, por nuk ka vendime ekzekutive. Kodi mbi bazë të të Drejtave të Njeriut parashikon se duhet të ketë alternativë zgjedhjeje, nuk mund të ketë një kandidat” – deklaroi Meta.

Presidenti Meta tha se ka qenë dhe mbetet në mbrojtje të Kushtetutës, e cila për të është e shenjtë. “Unë përditë punoj për të mbrojtur Kushtetutën, e para. E dyta, është për të ardhur keq për atë Kushtetutë që u votua më 22 nëntor. Ne donim që të kishim një Kushtetutë që të na mbronte nga çdo gjë që na shkatërron.

“Ne menduam për persona institucionalë si Sabri Godo, Meidani. Ne kishim idenë për të bërë Kushtetutë të mirë. Mirëpo me kalimin e kohës, u tentua të futen duart në atë mënyrë që ndodhi në vitin 2008, kur u dëmtuan disa shtylla t Kushtetutës, raportet qeveri – parlament etj. Ndryshoi edhe sistemi elektoral, për dy ditë ka ndryshuar pa pyetur as popull, as ekspertë” – tha Meta.

Sipas Metës “mesazhi që dua të jap është: Kushtetuta është shumë më e rëndësishme sesa e mendojmë ne. Ne kur cënohet komshiu themi se diçka e ka bërë komshiu se kot nuk i cënohet, por kur e pëson vetë nuk e lejon. Nuk duhet që të lejohen klasat politike të ndërhyjnë, as ndërkombëtarët që rrinë ca vjet këtu e ikin, e ne jemi gjithmonë në situatë paligjshmëri dhe fillojmë e bëjmë reforma.

Ne kemi bërë shumë reforma, ajo e plepave dhe solli probleme, bëmë reformën e 1998, më 2008 prapë reformë dhe nuk u arrit ndonjë gjë e madhe. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë e Kushtetutës dhe t’i kushtojmë të drejtat e qytetarëve. Qytetarët sot dizinformohen, nuk informohen.

Shtuar më 08/10/2019, ora 19:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori