Nuk ndalen tërmetet, 580 lëkundje kanë tronditur Shqipërinë
Lëkundjet sizmike kanë vazhduar edhe mëngjesin e kësajdiele, duke e çuar në 580 numrin e tyre që nga lëkundja e parë e ditës së mërkurë, e cila u regjistrua me magnitudë 5.2 të shkallës Rihter.

Sizmologët thonë se nuk ka vend për panik, sepse kjo është situatë normale, pasi çdo tërmet pasohet me lëkundje të tjera të vogla sizmike.

Edhe tërmeti i mëngjesit të kësajdiele e ka pasur epiqendrën në Gjirin e Lalzit.

"Goditja e fundit është regjistruar në orën 4:30 të kësajdiele, me intensitet 2.3 Rihter dhe që nga ai moment nuk ka pasur thuajse fare lëkundje.

Është një situatë normale, kjo tregon se situata ka ardhur duke u qetësuar. Është një aktivitet normal në atë zonë, ka ndodhur edhe më parë", thekson Ardian Minarolli, shkruan TCH.

Gjiri i Lalzit njihet si zonë sizmike, por impakti duket të jetë më i madh për shkak se në këtë periudhë është ndër zonat më të frekuentuara nga pushuesit.

Rrjetet sociale, por edhe portalet me titujt e tyre bombastikë shtojnë panikun në popullatë. /albeu.com/
Shtuar më 08/07/2018, ora 15:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori