“Nuk ia vlen të shkohet në zgjedhje, duhet përmbysje, jo ndryshim”
Gazetari dhe analisti i njohur Armand Shkullaku ishte sot pjesë e një bashkëbisedimi me të rinjtë në çadrën e protestës së PD, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit i cili tha se kjo protestë është një diçka pa kthim.

“Ky është një moment ku duhet të jetë opozita, duhet të jetë Partia Demokratike dhe kryetari i saj z.Basha, ata që duhet të mbështesin njerëzit dhe qytetarët. Në këtë kuptim unë e shoh këtë akt që ju keni nisur si diçka pa kthim. Unë mendoj se qendresa këtu e opozitës është mbështetja më e mirë që opozita mund tu japë qytetarëve. Qytetarët këto 4 vjet janë ndjerë të nëpërkëmbur, të lënë pas dore dhe pavarësisht përpjekjeve të opozitës nuk ka pasur një përfaqësim më të fortë, për të pasur një zë, për të qënë zëdhënës të shqetësimeve të tyre. Mendoj se ky është momenti. Partia Demokratike ka hedhur një hap që çdo kthim pas nuk do dëmtonte vetëm atë por do vriste përfundimisht shpresën e njerëzve që në fund mund të ketë një ndryshim”, tha fillimisht Armand Shkullaku.

Gazetari tha se vlerëson zgjedhjen që ka bërë opozita, për një protestë paqesore, si të thuash gandiste, por theksoi se nëse qeveria është një fasadë, opozita s’mund të bëhet fasadë e fasadës.

“Unë mendoj se nuk duhet të ketë kthim prapa në këtë që ka nisur, sepse nëse do fillojnë negociatat, apo këto bisedimet tërhiqu këtu e shto atje, ne do të kemi një arnim ose riparim të një sistemi që vetëm mashtron. Nëse do i shkojmë deri në fund, mund të kemi ndryshime, mund të kemi përmbysje. Nuk është fjala thjeshtë për ndryshim. Nuk do kishte kuptim nëse do shkojmë në zgjedhje me këtë këtë qeveri. Nëse opozita është e bindur përditë që qeveria ka kapur të gjitha pushtetet; presion drejtësisë, mediave, qytetarëve, paratë e drogës, të krimit, dekriminalizimi që bëhet sa për sy e faqe, kemi pasur shumë prova që vota e lirë nuk ka më vlerë, atëhere për çfarë duhet shkuar në zgjedhje. Atë që z.Basha e quajti qeveri fasadë, atëhere do bëjë edhe opozita fasadën e fasadës?! Apo të vendosë të thotë stop e të mos shkojë në zgjedhje me këtë qeveri. Unë do të thoja që nuk ia vlen të shkohet në zgjedhje. Këtë e tha edhe një ministër i qeverisë që denoncoi me raste në Durrës banda të caktuara bashkë me kryetarin e Bashkisë së Durrësit, që kanë mobilizuar krimin bashkë me policinë për të vjedhur votat e njëri-tjetrit. Kur ata i vjedhin njëri-tjetrit, imagjinoni se ç’mund të bëjnë. Slogani që mund ti shkojë më mirë kësaj që keni nisur është; përmbysje, jo ndryshim”, pohoi Shkullaku./Albeu.com/

Shtuar më 19/02/2017, ora 22:13

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori