Nuk është për t’u mburrur! Ja për çfarë e përdorim më shumë internetin
Interneti në Ballkanin Perëndimor përdoret gjerësisht për qëllime komunikimi veçanërisht duke përdorur mediat sociale!

Ky është rezultati i sondazhit vjetor “Barometri i Ballkanit” 2020, që u bë i ditur sot nga Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu në Forumin e Zhvillimit Rajonal (ITU) për Evropën.

Sipas sondazhit, 69% e përdorin internetin për qëllime komunikimi me përhapje të shpejtë në mediat sociale, 30% për edukim dhe 22% për blerje online.

“Shërbimet e qeverisë përmes platformave elektronike u përdorën nga vetëm 3% e popullsisë. Të dhënat tregojnë gjithashtu se më pak se 17% e popullsisë në rajon nuk përdor internet, kryesisht ata të moshës mbi 65+”, tha Majlinda Bregu, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) në Forumin për Zhvillimin Rajonal për Europën që u mbajt sot online.

Sipas Bregut, 50% e familjeve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë një kompjuter në shtëpi, ndër këta 1/3-ta nuk kanë internet.

“Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor duhet të ndryshojnë trajektoren e tyre të zhvillimit nga akumulimi i kapitalit fizik në atë të akumulimit të njohurive. Aftësitë digjitale janë thelbësore për t’iu përgjigjur automatizimit të proceseve të biznesit, kështu që, le të ecim së bashku milje ekstra për të mirën e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Bregu.

Rajoni ka filluar përgatitjet për kontekstin post-pandemi përmes përgatitjes së agjendës së transformimit digjital 2021-2024, që ka për synim krijimin e bazave për hapësirën e vetme digjitale rajonale dhe përshtatjen e Ballkanit Perëndimor në epokën dixhitale. /Report.tv
Shtuar më 27/05/2020, ora 16:34

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori