Nuk është Llalla, por ky prokuror që pritet të fusë "peshkaqenët" në burg
Deklaratat e bujshme se në janar pritet të ketë arrestime "peshkaqenësh" nuk janë aspak të rastësishme nëse shohim zhvillimet që po ndodhin në lidhje me mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe procedurave për zgjedhjen e zëvendësuesit të tij.

Adriatik Llallës i mbaron mandati më datë 7 dhjetor dhe ligji nuk lejon që ai të qendrojë në detyrë deri në zgjedhjen e një Kryeprokurori të ri, shkruan Albeu.com.

Ndërkohë, paralelisht me afrimin e fundit të mandatit të Llallës, Kuvendi duhej të kishte nisur procedurat për zëvendësimin e tij. Procedurat duhej të kishin nisur në periudhën gusht-tetor 2017, por këto nuk kanë nisur pasi me ndryshimet e reja, duhej që fillimisht të ishte ngritur Këshilli i Lartë i Prokurorëve, të cilët edhe do të bënin propozimin për emrin e Kryeprokurorit të ri.

Është pikërisht ky ngërç që pritet të shfrytëzohet për të nisur një valë arrestimesh VIP në politikë, sistem drejtësia, biznese, madje edhe në media, siç paralajmëroi sëfundmi ministri i Brendshë, Fatmir Xhafaj.

Çfarë pritet të ndodhë?

Duke qenë se as Llalla nuk e vazhdon dot mandatin dhe KLP (Këshilli i Lartë i Prokurorëve) nuk është ngritur, ligji parashikon që gjatë kësaj periudhë funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, me vendim të Kuvendit, i caktohen t’i kryejë përkohësisht një nga prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve dhe që përmbush kushtet dhe kriteret e ligjit për prokurorinë.

Marrja e këtyre funksioneve nga ky Kryeprokuror i përkohshëm përkon pikërisht me periudhën kur i përfundon mandati Llallës dhe me kohën kur ambasador Lu paralajmëroi se do të ketë arrestime të "peshqve të mëdhenj", deklaratë e cila duket se mbështet këtë skenar, shkruan Albeu.com.

Në këtë mënyrë, shfryhet edhe pritshmëria e madhe e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve për arrestime "VIP" në Tiranë, por edhe bëhet një operacion i kontrolluar nga politika duke shmangur njëkohësisht edhe problemet në qeveri apo opozitë që mund të sillte operimi i këtyre organeve në mënyrë të pavarur. /albeu.com/
Shtuar më 10/11/2017, ora 11:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori