"Nuk ekziston çështja e minoritetit grek në Shqipëri"
Diplomati Shaban Murati ka mohuar të ketë një "çështje të minoritetit grekShqipëri", ndryshe nga sa shkruhet në dokumentet dypalëshe të grupit shqiptaro-grek që po negocion për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta.

Në një shkrim të publikuar në Gazeta Shqiptare Murati thekson se nuk ka ekzistuar ndonjëherë një problem për minoritetin grekShqipëri dhe se kjo është "një litar në fytin e Shqipërisë i përdorur nga Athina zyrtare për të vendosur kontrollin këtu".

Shkrimi i plotë

Në të ashtuquajturën paketë të bisedimeve diplomatike, që po zhvillohen prej afro një viti midis Shqipërisë dhe Greqisë, ku me miratimin e të dy palëve është përjashtuar çeshtja çame, figuron edhe një temë e quajtur “çeshtja e minoritetit grek ne Shqipëri”. Përfshirjen e saj ne axhendën e bisedimeve diplomatike dypalëshe e konfirmoi personalisht kryeministri grek, Aleksis Cipras, në 9 shtator. Madje ai specifikoi se kjo çeshtje është një nga kushtet, që Greqia i vendos Shqipërisë për t’i dhënë votën për hapjen e bisedimeve të pranimit në BE.

Pyetni kë të doni nga kryeministrat dhe ministrat e jashtëm shqiptarë të periudhës së tranzicionit: Çfarë është kjo “çeshtje e minoritetit grek” në Shqipëri, që figuron si çeshtje e pazgjidhur në marrëdhëniet e tanishme midis dy vendeve tona? Asnjeri nuk do të dijë të përgjigjet, por kanë pranuar verbërisht ekzistencën e një “çeshtje të minoritetit grek” në marrëdhëniet dypalëshe. Nuk do të dijnë të përgjigjigjen, ndonëse kjo çeshtje ka 30 vjet, që shërben si litari grek rreth qafës së diplomacisë shqiptare për ta sjellë vërdallë si ariu në cirk dhe për të plotësuar kërkesat dhe hapat e një strategjie të rafinuar të Athinës për vendosjen e kontrollit në Shqipëri.


Nuk do të dijnë të përgjigjen, sepse realisht nuk ka dhe nuk ekziston “çeshtja e minoritetit grek” në Shqipëri. Ka minoritet grek, por nuk ka çeshtje të tij, sepse qeveritë shqiptare me gjenerozitetin dhe me kompleksin e inferioritetit klasik i kanë zgjidhur dhe plotësuar të gjitha kërkesat, kushtet dhe trillet e Athinës, të etiketuara prej saj si “çeshtja e minoritetit grek”.

A nuk e bënë minoritetin grek nga ardhës në Shqipëri në pronar të tokave shqiptare me ligjin antishqiptar 7501 në vitin 1991 të dy partitë kryesore politike PS dhe PD? A nuk kanë zgjedhur aforfe në parlament në çdo legjislaturë partinë e minoritetit grek, duke i darovitur votat socialiste dhe demokrate, që ajo të plotësonte pragun elektoral? A nuk kanë emëruar në çdo qeveri shqiptare gjatë 30 viteve disa ministra të minoritetit grek nga partia e minoritetit dhe nga dy partitë kryesore politike, vetëm që t’i bënin qejfin Athinës, në një kohë që qeveritë shqiptare të tranzicionit në 30 vjet përshembull nuk patën njëherë një ministër nga Durrësi, qyteti më i vjetër i Shqipërisë dhe i dyti më i madh pas Tiranës? A nuk ka gjithmonë në parlament disa deputetë grekë nga partitë politike shqiptare?

Minoriteti grekShqipëri ka gëzuar dhe gëzon të gjitha të drejtat, që i takojnë sipas Kushtetutës së Shqipërisë dhe konventave ndërkombëtare për minoritetet. Ai minoritet ka gëzuar të drejtat mbi mesataren kombëtare edhe në kohën e regjimit komunist dhe ka qenë disa herë më i privilegjuar se sa komunitetet shqiptare të çamëve apo të kosovarëve në Shqipëri.

Kjo është kaq e vërtetë, saqë edhe vetë Athina, vetë kryeministrat apo ministrat e jashtëm grekë nuk janë kurrë në gjendje të thonë publikisht se çfarë e drejte u mungon minoritetit grek, sepse nuk u mungon asgjë. Athina e mban vetëm si gozhda e Nastradinit në shtëpinë tonë të ashtuquajturën çeshtje të minoritetit grek, sepse ajo i shërben strategjisë së saj permanente të ndikimit në Shqipëri.

Nga pikëpamja diplomatike dhe juridike del pyetja : Çfarë qenka kjo “çeshtje e pazgjidhur e minoritetit grek” në Shqipëri, që u dashka futur në axhendën e bisedimeve dhe që qenka kusht i Athinës ndaj qeverisë së Shqipërisë edhe në vitin 2018? Mirë Athina luan dhe nuk don ta heqë kularin rreth qafës së diplomacisë shqiptare, po Tirana si e pranon me dëshirë këtë kular? Dhe ia e ka ngulur diplomacisë sonë çeshtjen artificiale të të drejtave të minoritetit grek shteti fqinj, që nuk njeh asnjë minoritet në territorin e vet, as minoritetin shqiptar, as atë turk, as atë maqedonas, as atë vllah, as atë rom, as atë bullgar, as atë egjiptian, etj.

Nuk ekziston “çeshtja e minoritetit grek” në Shqipëri. Ekziston një minoritet grek, i cili gëzon të gjtha të drejtat njësoj, në mos më shumë se sa vetë shqiptarët. Dhe derisa nuk ekziston, nuk mund të jetë çeshtje e bisedimeve diplomatike midis dy vendeve, sepse është artificiale dhe ka një prapavijë. Ju paralajmëroj se strategjia greke në këtë çeshtje është binjake me strategjinë serbe të Mitrovicës!
Shtuar më 17/09/2018, ora 11:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori