Nuk deklaron pasurinë, Krenar Ahmeti nën hetim
Pëlqej
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive
ka gjobitur ish shefin e Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Krenar Ahmeti që aktualisht është shefi i sigurisë së presidentit Bujar Nishani, pasi ai nuk ka plotësuar brenda afateve ligjore deklaratën e pasurisë.

Sipas Gazetës Shqiptare, Njësia e Specializuar Task-Forcë, është duke kryer hetime dhe pritet që brenda pak ditësh, të marrë një vendim me shumë gjasë për dërgimin e dosjes në gjykatë.

Mësohet se nga provat e depozituara nga prokuroria, rezulton se Ahmeti ka marrë dijeni për vënien e gjobës dhe sërish nuk ka reaguar, çka duket se është provë shumë e fortë për ta vënë atë nën akuzë.


“Jemi duke hetuar për rastin në fjalë. Në ditët në vijim do të vendosim për fatin e dosjes. Me shumë gjasë, Ahmeti do të thirret për t’i komunikuar akuzën”, tha një zyrtar i prokurorisë . Ahmeti u kallëzua nga ILDKP-ja bashkë me pesë zyrtarë të tjerë, të cilët vijojnë të jenë nën hetim. “Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, paraqiti pranë organit të akuzës kallëzim penal ndaj 6 (gjashtë) subjekteve deklaruese, pasi nga verifikimet e kryera rezultoi të kenë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuara nga neni 257/a i Kodit Penal. Kallëzimet penale ndaj zyrtarëve u dorëzuan pranë Prokurorisë së Përgjithshme”, thuhej në njoftimin e ILDKP-së.
Shtuar më 30/09/2014, ora 09:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori