Nostalgjikë e komunistë, bashkë tek Enveri
Albeu.com
11 prill 2007. Përkujtohet 22-vjetori i vdekjes së ish-diktatorit Hoxha. "Shpresa vdes e fundit". Kjo shprehje mban ende gjallë brezin e të moshuarve, që me grushtet shtrënguar rrethojnë varrin e Enver Hoxhës, ish-diktatorit në të 22-in vit të vdekjes së tij.Ata sërish shpresojnë në një rikthim të kohës së dikurshme, ku, sipas tyre, nuk kishte zotërinj, por vetëm shokë dhe shoqe.
Mëngjesi i 11 prillit, ashtu sikurse dhe i 16 tetorit, sjell mysafirë nga shumë anë të Shqipërisë në varrezat e Sharrës, në kryeqytet, "aty ku prehet Komandanti", sikurse thonë ithtarët e tij edhe pas vdekjes. Me trupat e kërrusur, të thyer nga mosha e madhe, ata nuk kanë munguar që t‘i
bëjnë ceremonitë edhe këtë vit idhullit të tyre. Besimi i tyre në ishliderin
e dikurshëm është i patundur, sikundër edhe zhgënjimi për atë që sot e quajnë "maskaradë të politikës". Në krye të ceremonisë qëndrojnë komunistët, që në përvjetorin e lindjes së Hoxhës u bashkuan, me qëllim fitoren e zgjedhjeve të fundit. Janë të njëjtët emra dhe fytyra që shfaqen dy herë në vit dhe përshëndesin me fanatizëm, njeriun që e mbajnë në piedestal të idealizimit të tyre.
Rituali përsëritet edhe 22 vjet pas vdekjes së Enver Hoxhës. Lule të mbledhura disi shkujdesur me letra celofan apo edhe gazeta vendosen
njëra pas tjetrës mbi syprinën standarde të varrit modest të Enver Hoxhës, që në dukje nuk bën ndonjë dallim të madh nga "komshinjtë" e gjithëkohshëm në jetën e përtejme. Aparatet fotografikë fiksojnë momentin e përkushtimit të gjithsecilit nga të pranishmit mbi varr. Madje, ka edhe nga ata që dëshirat e fundit ia dedikojnë njeriut që e kanë adhuruar në jetë dhe në vdekje. Fadili, një ish-ushtarak sot mbi shtatëdhjetë vjeç, mban për minuta të tëra grushtin të ngritur mbi varr. Ai pohon me kënaqësi se ja ka lënë fëmijëve me amanet ta varrosin në varrezat e Sharrës, aty ku prehet Komandanti. Këngët për Enver Hoxhën janë shndërruar tashmë në pjesën e pandarë të "dekorit" përkujtimor. Të kujdesshëm të moshuarit nuk harrojnë të marrin magnetofon, prodhime të kushedi se kujt kohe dhe vendi kapitalist dhe dëgjojnë në heshtje apo biseda nën zë ritmet muzikore që i këndojnë bëmave të ish-udhëheqësit dhe sistemit të drejtuar prej tij. Por nuk mungojnë as poezitë, të shkruara kohët e fundit apo vite më parë, në fletë fletoresh të zverdhura nga koha apo të ngrëna nga xhepat e xhaketave. Epiqendra e nostalgjikëve zhvendoset menjëherë sapo mbërrijnë në varreza drejtuesit e Partisë Komuniste të unifikuar. Fjalimet e tyre godasin qetësinë mortore që shtrihet mbi hapësirën e ezauruar të Sharrës, ku të vdekurit kanë nisur të mbulojnë njëri-tjetrin. Dhe kur orët kalojnë, ata largohen në grupe ngadalë, me shpinat e kërrusura dhe mendime të ngarkuara. Premtojnë se do të mblidhen së toku në të njëjtin vendtakim edhe në tetor, me shpresën se jeta do t‘u falë edhe shumë përvjetorë të tjerë të ishkomandantit.
Gazeta Shqip
Shtuar më 12/04/2007, ora 13:38
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori