“Rusia po i trajton ukrainasit si kafshë” Zelensky: Miliona mund të vdesin nëse bota nuk vepron tani

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një intervistë për Sky News ka thënë se vendi i tij nuk mund ta ndalë luftën kundër Rusisë i vetëm dhe tha se kombet duhet të veprojnë tani përpara se të jetë shumë vonë.

Zelensky përsëriti thirrjen e tij për Perëndimin që të vendosë një zonë ndalim-fluturimi.

Ai akuzoi vendet se janë të pavendosur në çështjen e “mbylljes” së qiejve kundër atyre që ai i quajti nazistë.

“Nëse jeni të bashkuar kundër nazistëve dhe këtij terrori, duhet të mbyllni qiellin, mos prisni t’jua kërkojmë disa herë, një milion herë, mbylleni qiellin. Mbyllni qiellin dhe ndaloni bombardimet”, tha ai, duke apeluar që bota të veprojë më shpejt.

I pyetur për shqetësimet perëndimore rreth potencialit të një zone ndalim-fluturimi që do të përshkallëzojë konfliktin dhe do të sjellë një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë duke e përkeqësuar atë, ai tha: “Më keq për kë? Për familjet tona? Jo… Për ta…? Kush e di? Askush nuk e di. Por ne e dimë se pikërisht kjo tani është shumë e keqe dhe në të ardhmen do të jetë tepër vonë. Më besoni, nëse zgjatet kështu, do të shihni… ata do të mbyllin qiellin, por ne do të humbasim miliona njerëz. Lufta e tretë botërore do të fillojë dhe vetëm atëherë do të krijoni një zonë ndalim-fluturimi, por do të jetë tepër vonë”.

Zelensky tha se forcat ruse “mund të na pushtojnë, por ju patjetër nuk mund të fitoni”, duke thënë se presidenti rus Vladimir Putin po shkonte drejtpërdrejt në ferr.

Ai tha se aleatët e NATO-s nuk duhet t’u thonë njerëzve në Ukrainë që humbën fëmijët e tyre “më fal që nuk e bëmë dje, një javë më parë”.

I pyetur nëse ishte i përgatitur të bënte një marrëveshje me Putin, ai tha se dialogu është gjithmonë një kompromis.

Ukraina e vetme nuk mund t’i japë fund luftës, tha ai. “Është vendimi i dy vendeve dhe dy popujve dhe vendimi i dy presidentëve, dhe njëri prej tyre është Putin, kështu që do të shohim”.

Duke folur nëse ai mendon se qëndrimi në rolin e tij dhe qëndrimi në vend ishte vendimi i duhur, ai tha se mendon se do të ishte e vështirë për Ukrainën të qëndronte e bashkuar përballë sulmit rus.

“Unë mendoj se vendimi im ishte i drejtë,” tha ai. “Kush e di. Do të shohim në të ardhmen.”

Duke folur pas ditësh rrethimi në qytetin jugor të Mariupolit, Zelenskyy tha se Rusia po i trajton ukrainasit si kafshë duke bllokuar aksesin në nevojat themelore.

“Ata duan që ne të ndihemi si kafshë sepse ata bllokuan qytetet tona. Qytetet më të mëdha në Ukrainë dhe ata i bllokuan, sepse ata nuk duan që njerëzit tanë të marrin ushqim, ujë”./albeu.com


Shtuar 9.03.2022 21:29