Kush janë "pëllumbi", "bamja", "piktori" dhe "kalaja" që spiunonin Musine Kokalarin?
ǒmund të ketë qenë ai njeri që për pseudonim mbante “Bamja e pjekur”? Fytyra e tij kishte pamjen e një bamjeje të përzhitur në furrë, apo i hante shumë bamjet?!

Po “Brisku”? Ka qenë i hollë, i hidhur, i mprehtë si teh brisku? Po “Pëllumbi”? Sigurisht ai duhet të ketë qenë pëllumb postier dhe jo pëllumb paqeje. Po “Lisi”, “Piktori”, “Kalaja”, “Besniku”, “Munella”, “Zambuta”?!

Nuk bëhet fjalë për një lojë fëmijësh, por për pseudonime apo nofka spiunësh, bashkëpunëtorësh, të Sigurimit të Shtetit, të cilët kanë ndjekur, spiunuar, informuar mbi Musine Kokalarin. Këto pseudonime u publikuan dje në ekspozitën kushtuar Musine Kokalarit, në Bibliotekën Kombëtare.

Sipas drejtores së BK, Persida Asllani, këto pseudonime janë qëmtuar nga dosja e pjesshme e Musine Kokalarit, e cila ka dalë prej kohësh. Pas kërkesës së të afërmve të Kokalarit për hapjen e dosjes së plotë të Musinesë, pritet që këto pseudonime të marrin një fytyrë, një emër të vërtetë.

Ndoshta që tani te të afërmit kanë filluar hamendësimet. Shohin kontekstet, bëjnë përkime, sjellin në mendje situata, ndoshta kanë edhe emra në kokë, por është ende shpejt për t’i artikuluar ato.

“Ka gjëra që ne i kemi parë, por kur të jetë bërë tërësisht dekodifikimi, do të zbardhet e gjitha”, thotë mbesa e Musine Kokalarit, Linda Kokalari, teksa shton se nuk i di se kush fshihet pas pseudonimeve, ndaj edhe presin hapjen e dosjeve, për të cilën ata kanë bërë kërkesë pranë Autoritetit Kombëtar të Hapjes së Dosjeve.

Ajo është e ndërgjegjshme se kanë kaluar shumë vite që kur është dënuar halla e saj dhe shumë prej njerëzve që mund të dalin të implikuar mund të kenë vdekur, por të paktën të vihet e drejta në vend.

“Duam që të dihet e vërteta, çfarë ka ndodhur. Nuk do të ketë një ndryshim qëndrimi nga ana jonë, por ata persona që janë implikuar, që kanë spiunuar, që kanë bërë keq, që kanë influencuar në dënime e pushkatime, nuk kanë të drejtë të dalin dhe të japin mend”, tha ajo./Panorama/
Shtuar më 11/02/2017, ora 10:27

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori