Thirrja e Bashës: Të sigurohet ushqim për familjet dhe internet pa pagesë

Kryedemokrati Lulzim Basha i ka bërë thirrje qytetarëve pas rezultateve se një mjek në Spitalin e Durrësit ishte me koronavirus.

Në një shkrim të publikuar në Facebook, Basha thotë se njerëzit duhet të ndjekin këshillat dhe të bashkëpunojnë me punonjësit e sistemit shëndetësor. Shkrimin e shoqëroi me fotografitë e stafit mjekësor që qëndron pranë personave të infektuar

‘Nisur nga rasti i fundit, ku fatkeqësisht, edhe një mjek i spitalit të Durrësit rezulton mes të prekurve nga Covid-19, u bëj thirrje qytetarëve të tregohen maksimalisht bashkëpunues me stafet mjekësore. Të tregojnë në mënyrë të detajuar shqetësimin e tyre, historikun e udhëtimeve apo kontaktin që mund të kenë pasur me persona të prekur nga Covid 19.

Në këtë mënyrë do të ndihmoni veten dhe nuk do të rrezikoni shëndetin e mjekëve, të cilët janë mburoja jonë, mburoja e çdo qytetari në këtë situatë. Mos neglizhoni asnjë detaj!’, shkroi Basha.

Ndër të tjera, i bëri thirrje qeverisë që të marrë masa të menjëhershme për personelin shëndetësor parësor. ‘Ata janë të ekspozuar ndaj personave mbartës potencialë të Covid 19, por që, për shkak të shenjave joshqetësuese, mund ta neglizhojnë këtë fakt e të drejtohen tek qendrat shëndetësore apo spitalet rajonale. Autoritetet duhet të pajisin të gjithë personelin e dedikuar për raste të tilla me veshjet dhe mjetet e posaçme mbrojtëse.

Përhapja e virusit, zgjerimi i vatrave të tij është një rrezik potencial, të cilit i duhet paraprirë’, vijoi kryetari i PD.

Basha tha se thirrje e tij i dedikohet të gjithë qytetarëve duke i dhënë një mesazh të rëndësishëm atyre që duhet të shkojnë në punë.

‘Thirrja ime është për të gjithë qytetarët: E di që shumë prej jush nuk janë mësuar të rrinë mbyllur apo kanë kushte jo të përshtatshme. Shumë të tjerë kanë nevojë të punojnë për të çuar bukën e përditshme në shtëpi, por asgjë nuk vlen më shumë sesa jeta.

Me qëndrimin në shtëpi mbroni veten, familjen, miqtë dhe të afërmit. Nga sakrificat e sotme varet jeta, shëndeti, e sotmja dhe e nesërmja jonë. Mbi të gjitha, duke kontribuar në mospërhapjen e shpejtë të virusit, ne bëjmë pjesën tonë si qytetarë për ruajtjen e sistemit shëndetësor nga kolapsi.

Sa më të pakujdesshëm sot, aq më shumë do të zgjasë kjo situatë, e cila ka pasoja të drejtpërdrejta në shëndetin dhe në ekonominë e secilit prej nesh.

Kjo është një kohë për kujdes shëndetësor, por edhe për kujdes social për ata më të pamundurit’, shkroi Basha.

Në përfundim, vijoi thirrja për qeverinë që të marrë të gjitha masat për t’u mundësuar familjeve në nevojë dhe në pamundësi gjërat më të domosdoshme për të kaluar këtë krizë dhe për të ruajtur shëndetin duke mundësuar që asnjë familje mos të mbetet pa ushqim dhe mjete higjenike.

Ndërsa kompanive telefonike u bën thirrje që të sigurojnë akses pa pagesë në internet për fëmijët dhe studentët që në javët në vazhdim do të zhvillojnë online procesin mësimor. ‘Ky kontribut për mësimin online të fëmijëve, do të ishte shumë i çmuar dhe i vlerësuar!’, tha Basha.


Shtuar 13.03.2020 16:55