Nju Jork: Status-kuoja në Kosovë e paqëndrueshme
Albeu.com
Këshilli i Sigurimit dëgjoi dje raportin e kryeadministratorit të Kosovës, Joachim Ruecker lidhur me zhvillimet në tremujorin e shkuar, që shënon edhe rikthimin e Kosovës në organin ekzekutiv të Kombeve të Bashkuara pas një pauze disa muajshe. Mbledhja ishte e mbyllur për media, mirëpo pjesëmarrësit dhanë deklarata duke theksuar qëndrimet e tyre lidhur me situatën aktuale dhe për negociatat rreth statusit.
Përfaqësuesi amerikan, ambasadori Zalmai Khalilzad e vlerësoi takimin si një sesion të mirë për Kosovën. "U fol mjaft përzgjedhjet muajin e ardhshëm. U tha se Serbia po dekurajon pakicën serbe që të marrë pjesë në zgjedhje dhe unë e disa anëtarë të Këshillit, dënuam një qëndrim të tillë dhe mbështetëm pjesëmarrjen e tyre", tha Khalilzad. Lidhur me statusin, Khalilzad ritheksoi se "vazhdimi i gjendjes së tashme nuk është i qëndrueshëm. Statusi duhet të definohet sa më parë. Shumica e anëtarëve, përfshirë edhe SHBA mendojnë se treshja duhet të përfundojë mandatin më dhjetë dhjetor. Situata nuk mund të vazhdojë në pambarim, por duhet të qartësohet statusi sepse potenciali i destabilizimit do të jetë një sfidë për NATO-në dhe OKB-në e në veçanti për Bashkimin Evropian, ku si Kosova ashtu edhe Serbia duhettë kenë vendin e tyre. Khalilzad nënvizoi se preferohej që palët të arrijnë një marrëveshje ku do të përcaktohet dhe finalizohet shpejt statusi me ndërmjetësimin e treshes ndërkombëtare, në të kundërtën,tha ai, statusi do përcaktohet në formë tjetër. Edhe kryeadministratori Ruecker tha se kishte njoftuar Këshillin me raportin për zhvillimet në Kosovë si dhe për zgjedhjet më 17 nëntor, ku tha se kishte marrë mbështetjen e shumë anëtarëve të Këshillit lidhur me rëndësinë e pjesëmarrjes së pakicës serbe. Kërkuam që të mos ketë një thirrje direkte ose indriekte për bojkotimin e tyre nga serbët. Beogradi ka bërë thirrje në të kaluarën për bojkotim, andaj është me rëndësi që të respektoje rezolutën 1244 dhe të inkurajojë serbët të marrin pjesë në zgjedhje. Kam kërkuar nga kryeministri Koshtunica që të mos ketë thirrje të tilla, tha Ruecker. Në një pyetje rreth Armatës Kombëtare Shqiptare Ruecker tha se po hetojmë validitetin e videos të shfaqur në televizion lidhur me ekzistencën e saj. Edhe ambasadori i Rusisë, Vitalij Churkin tha se ishte më optimist tani për një zgjidhje të negociuar dhe se zgjidhja më e shpejt do të stabilizonte Ballkanin."E gjithë bashkësia ndërkombëtare duhet të përqendrohet në gjetjen e një zgjidhje të negociuar", tha Churkin. Këshilli i Sigurimit kishte para vetes edhe raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban ki Moon i cili tërheq vërejtjen për vonesën rreth zgjidhjes së statusit dhe rrezikun e shthurjes së të arriturave të Kombeve të Bashkuara në Kosovë që nga viti 1999./S.gashi/rtk
Shtuar më 10/10/2007, ora 22:06
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori