Njohja e Kosovës dhe kufiri, debate mes Hashim Thaçit dhe Menduh Thaçit
Albeu.com
Deklarata e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi për situatën dhe debatet e fundit politike për shënimin e kufirit që po zhvillohen në Maqedoni ka nxitur mbrëmë reagimin e kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçi.Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi dje pasdite se ai është në kontakt me kryeministrin Nikolla Gruevski dhe me liderët shqiptarë, Ali Ahmeti e Bardhyl Mahmuti për zgjidhjen e çështjes së kufirit.
"Ju tashmë e dini dhe jeni shumë të sigurtë në kuptimin se nuk duhet të ketë asnjë tentim prej askujt për ndryshimin e kufijve të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.Edhe përsa i përket raporteve me shtetin fqinj Maqedoninë, ne kemi raporte të mira me të gjitha vendet fqinje, edhe me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë dhe në të ardhmen e afërt, si dy shtete të veçanta, pretendojmë të kemi raportet të mira edhe me Serbinë. Shumë shpejt do të ndodh njohja e pavarësisë së Kosovës edhe nga Maqedonia. Unë jam në kontakt të vazhdueshëm edhe me kryeministrin Gruevski dhe liderët shqiptarë, Ahmeti dhe Mahmuti”, theksoi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Sipas tij, integriteti territorial i Kosovës është përcaktuar dhe është i njohur, i garantuar edhe ndërkombëtarisht. “Kjo çështje (e kufirit në mes të Kosovës dhe Maqedonisë) do të rregullohet drejtpërdrejt midis autoriteteve të Prishtinës dhe Shkupit me ndërmjetësimin e e NATO-s. Tani Kosova është shtet i pavarur", theksoi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ndërkohë, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi mbrëmë menjëherë ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili nuk përmendi PDSH-në midis subjekteve me të cilët kontakton ai për çështjen e kufirit dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Shkupi zyrtar.
Sipas Menduh Thaçit, PDSH-ja është faktor relevant në skenën politike në Maqedoni dhe se si rezultat i kësaj Maqedonia do të njohë pavarësinë e Kosovës.
"Nuk ka kurrfarë problemi me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Megjithatë ai duhet të ketë parasysh se njohja e pavarësisë së Kosovës bëhet pasi që si element kryesor është PDSH-ja që është faktori kryesor në Maqedoni. Gabimisht është që të imponohet një problem i cili nuk ekziston. Kjo çon drejt mosmarrëveshjeve, megjithatë PDSH-ja është këtu forcë serioze politike që politikën e saj e drejton drejt një fqinjësie të mirë mes Kosovës dhe Maqedonisë, drejt një bashkëpunimi të dy shteteve që kanë ardhmëri të njejtë NATO-n dhe Unionin Europian, pa marrë parasysh prej këtyre gabimeve, sjelljeve naive si kryetar të Bashkësive Lokale edhe të Hashimit edhe të Izetit, besoj se shumë shpejtë qeveria e Maqedonisë, Maqedonia do ta njohë pavarësinë e Kosovës", ka deklaruar kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi. (INA/Alsat/albeu)
Shtuar më 02/03/2008, ora 20:07
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori