Stoltenberg: Duhet të përgatitemi për një luftë të gjatë në Ukrainë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëron se nuk duhet pritur që fundi i konfliktit të armatosur në Ukrainë të vijë së shpejti, në një intervistë të publikuar sot, ndërkohë që kundërofensiva ukrainase vazhdon me synimin për të rimarrë territoret që kanë në në dorë trupat ruse.

“Shumica e luftërave zgjasin shumë më gjatë se sa ishte parashikuar në fillimin e tyre”, theksoi Stoltenberg në intervistën që dha për mediat e grupit gjerman Funke.

“Rrjedhimisht, ne duhet të përgatitemi për një luftë të gjatë në Ukrainë”, shtoi ai.

Konflikti i armatosur filloi më 24 shkurt 2022, kur forcat e armatosura ruse pushtuan territorin ukrainas.

Ushtria ukrainase ka kryer një kundërofensivë që nga qershori për të shtyrë forcat ruse në jug dhe në lindje të vendit, por operacionet e saj kanë lejuar vetëm një numër të kufizuar komunitetesh të rimarrë.

“Ne të gjithë do të donim që paqja të vinte shpejt”, tha Stoltenberg.

“Por në të njëjtën kohë ne duhet të pranojmë se nëse [Presidenti ukrainas Volodymyr] Zelensky dhe ukrainasit do të ndalonin së luftuari, vendi i tyre nuk do të ekzistonte më. Nëse presidenti rus dhe Rusia dorëzojnë armët, do të kemi paqe”, shtoi ai.

Lidhur me dëshirën e Kievit për t’iu bashkuar aleancës, zoti Stoltenberg siguroi se “nuk ka dyshim se herët a vonë Ukraina do të jetë në NATO”.

Kievi iu afrua më së shumti kësaj në samitin e aleancës ushtarake në korrik, shpjegoi ai.

“Kur të përfundojë kjo luftë, do të kemi nevojë për garanci sigurie për Ukrainën. Përndryshe, historia mund të përsëritet”, paralajmëroi norvegjezi në intervistën e tij.


Shtuar 17.09.2023 07:55