Njihuni me Malushin, shqiptarin që po triumfon në futbollin amerikan (FOTO LAJM)

Michael Malushi, nga Michigan, ka përfunduar me sukses vitin e tij të parë si profesionist me djemtë e hekurt të Michiganit Perëndimor, ekipi i vetëmMichigan i futbollit amerikan në salla të mbyllura.

West Michigan Ironmen pritet të konkurrojnë përsëri në sezeonin e ardhshëm të AAL, Liga Amerikane e Arenës. Suksesi i tyre si kampionë për të dytin vit rresht, të paktën në Divizionin Perëndimor, dëshmon për konkurrencën e fortë që ekziston për t’u bërë pjesë e këtij ekipi.

Pa dalë mirë nga shkolla e mesme, Michael Malushi fitoi mes rivalëve të tjerë për t’u bërë pjesë e këtij ekipi fitues. Po pavarësisht prej talentit e rezultateve, ai e ka marrë këtë sukses me modesti duke e parë vetëm si një fillim, si një mundësi për të mësuar më shumë e për t’u rritur si futbollist, si atlet e si njeri.

“Tradicionalisht, futbolli i kolegjeve vjen pas futbollit në shkollën e mesme, mirëpo vendosa të guxoj e të provoj veten me një ekip profesionist të arenës”, thotë ai. “U ndesha me shumë pengesa dhe m’udesh të kapërceja shumë sfida, po ato vetëm sa më bënë më të fortë dhe më kanë bërë njeriu që jam sot. Një lojtar profesionist të futbollit të arenës, me shumë talente, për West Michigan Ironmen”.

Po si arriti studenti 21 vjeçar të kapërcejë etapat e rritjes sportive duke u shquar mes profesionistëve të këtij sporti? Michael Malushi bisedoi me gazetën shqiptaro-amerikane, “Illyria”, që botohet në NeW York, po që shkon me abonime e lexohet në mbarë vendin, përfshi edhe në Michigan. Ai na zbuloi lidhjet e forta me rrënjët e tij shqiptare, udhëtimin e tij në jetë drejt sportit të dashur, përshtypjet e mësimet nga vitet e rinisë.

Nga Kolonja në Shqipëri, te Teqeja e Baba Rexhebit

Historia e familjes së tij është e ngjashme me atë të shumë shqiptarëve që udhëtuan drejt Botës së Re, jo vetëm në kërkim të një jete më të mirë, po edhe për t’i ikur regjimit shtypës komunist që ishte instaluar në atdhe.

Familja e Malushit mbërriti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në 1953, duke lënë pas shtëpitë në fshatin Taç, të Kolonjës. Mbërritën fillimisht në Milëaukee e në vende të ndryshme derisa mbërritën në Detroit, Michigan ku u vendosën përfundimisht.

“Gjyshi im luftoi me gjithë mundësitë që kishte për atdheun tonë, Shqipërinë”, tregon ai për gazetën “Illyria”, “mirëpo vendosja e komunizmit i detyroi gjyshërit e mi të largohen”.

Michael u rrit në Dearborn, Michigan, në një hapësirë ku lulëzoi një komunitet i.rëndësishëm shqiptarësh. Gjyshërit e tij u përfshinë që nga fillimi me Teqenë e famshme Shqiptaro-Amerikane të Baba Rexhebit në Taylor, Michigan.

Edhe sot e kësaj dite, familja frekuenton me besnikëri këtë tempull të shqiptarizmit.
“Çdo brez i ri që vjen vazhdon të shkojë në teqe duke mbajtur me krenari lidhjet shqiptare dhe fenë e të parëve”, thotë ai.

“Unë për vete më pëlqen shumë të vizitoj Teqenë këtu në Michigan dhe ndjehem vërtet më këmbë në tokë shpirtërisht sa herë që kam mundësi ta frekuentoj. E di që vizitat e mia në Teqe do t’i bënin krenarë gjyshërit e mi që po e vijoj traditën e tyre”.

Zemër shqiptare, sport amerikan

Michael Malushi ishte vetëm 5 vjeç kur ra në dashuri me Futbollin Amerikan. “Duke parë vëllezërit e mi, aty jashtë, që hidhnin topin nga një anë në tjetrën, duke sajuar lëvizje të ndryshme, duke ua kaluar fëmijëve të lagjeve të tjera, më intrigoi”, kujton ai.

Me kalimin e kohës u bashkua edhe ai me ta. Në një farë mënyre, vëllezërit ishin edhe mësuesit e trajnerët e tij të parë. Michael mësoi shumë prej tyre dhe qysh në moshën 9 vjeç u regjistrua në një klub futbolli amerikan e luajti çdo vit shkollor deri në fund të shkollës së mesme.

“Sa më shumë rritesha aq më shumë e merrja seriozisht sportin dhe përkushtimin tim ndaj tij”, thotë ai. “E dija se talenti, aftësitë dhe etika ime e punës nuk do të vinin duke rënë, kështu që vendosa që të mos shkonin dëm”.

Ai e përshkruan veten si të pa impresionuar nga mbrëmjet e tepruara të festimeve rinore. Nuk janë në natyrën e tij edhe sot e kësaj dite. “Isha tepër i përqendruar në ëndrrat dhe aspiratat e mira që t’i lija të më bëheshin pengesë. Kjo më ndihmoi të krijoj një epërsi, të përqendrohesha në përmirësimin e vetes dhe bagazhit të aftësive që kisha fituar në mënyrë që pas shkollës së mesme të kapja nivelin tjetër”, kujton ai.

Ata që e kanë parë këtë përkushtim dhe ambicje nuk janë habitur që Malushi u bë pjesë e West Michigan Ironmen duke luajtur me më të mirët e më të fortët e kohës së tij në këtë sport.

Ai është i ndërgjegjshëm se udhëtimi i tij vetëm sa ka filluar dhe se më shumë punë e sakrifica nevojiten për ta kurorëzuar me sukses karrierëne tij profesionale. “Jam vetëm 21 vjeç dhe ende student që pret të diplomohet në kolegj. Nuk do të kisha qenë këtu ku jam pa ndihmën e jashtëzakonshme dhe inkurajimin nga familja, njerëzit e dashur dhe mentorët që më kanë qendruar pranë gjatë gjithë jetës. Jam më shumë se krenar që përfaqësoj emrin Malushi dhe shqiptarët e mi të dashur”, thotë ai.

Një sport që kërkon të japësh gjithshka

Futbolli Amerikan nuk ëshë për këdo dhe Michael e merr seriozisht këtë sfidë. “Nuk mjafton të jesh një atlet i talentuar”, thotë ai, “por edhe që tëo frosh një imazh të mirë si në fushën e futbollit ashtu edhe jashtë saj”.

Përsa i përket përgatitjes sportive, ai thotë se shpejtësia, lëvizshmëria, dhe forca janë një faktor i madh, po nuk janë të vetmet karakteristika që nevojiten. “Përgatitja dhe fuqia mendore dhe emocionale luajnë gjithashtu një rol të madh”.

“Kam pasur fat se kam gëzuar një tufë mentorësh të mëdhenj, duke përfshirë edhe trajnerë, anëtarë të familjes, njerëz të dashur. Të gjithë kanë luajtur një rol e kanë dhënë një kontribut.

Dikush me një bisedë të thellë, dikush me këmbënguljen e vet apo edhe me një nxitje të vogël në kohën e duhur e herë thjesht duke qenë për mua aty gjatë apo pas mbarimit të një loje apo praktike stërvitore”, thotë ai duke nënvizuar se njerëzit që i kanë qendruar panë e kanë ndihmuar jo vetëm me vështirësitë në sport po edhe me momentet kritike në jetë.

Ai frymëzohet sidomos nga vëllezërit e tij.Një prej tyre, Andoni Malushi ka qenë veçanërisht model për të për sportin e futbollit. Ai ia ka mësuar lojën kur ishte fëmijë dhe Michael ka dashur që të ecë në gjurmët e tij.

Po karriera në këtë sport nuk është për këdo. Ai vjen me rreziqe lëndimesh trupore që shpesh ia presin rrugën një sportisti. Ndonëse i ri, Michael është ka përjetuar dy lëndime tashmë. “Jam me fat që trajneri më ndihmoi të rehabilitohesha pas lëndimit në shpatull”, thotë ai.
Sikur të mos mjatonin lëndimet dhe sfidat në fushë, një futbollist duhet të japë gjithshka pa lënë mënjanë detyrimet familjare, shkollore, e të jetës në përgjithësi.

Krenar për rrënjët shqiptare

Për moshat më të reja që kanë ëndrra e ambicje të ngjashme me të, ai këshillon që të mos doreëzohen kurrë por të këmbëngulin pa u lodhur. “Çfarëdo sfide që të del përpara, me punë të palodhur, me përpjekje e përkushtim mund të shkosh shumë larg. Mos harro të besosh gjithmonë në vetvete dhe të besosh gjithmonë në Zot!”

Një nga gjërat që e bëjnë të çajë përpara me guxim është kujtimi i gjyshërve të tij. “Ata punuan pa u lodhur që të kemi fatin të jetojmë në një vend si Shtetet e Bashkuara, por edhe na e bënë të qartë se nuk duhet të harrojmë kurrë atdheun tonë, Shqipërinë dhe që gjithmonë ta nderojmë vendin tonë”, thotë Michael Malushi. “Fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur krenarinë time për Shqipërinë dhe për trashëgiminë tonë shqiptare”.

Pas sprovës së parë në nivelin profesionist ai ka arsye të besojë se sukseset do të vazhdojnë të vijnë në fushën e futbollit.

“Që nga momenti i parë që mora në duar një top të futbollit amerikan përjetova një ndjesi të jashtëzakonshme. M’u duk se kjo ishte ajo që doja të bëja gjithë jetën dhe dashtë Zoti, kjo ëndër po bëhet realitet”./Illyria/






Shtuar më 21/10/2019, ora 09:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori