Telashe të tjera për PSG-në, Neymar kërkon largimin dhe rikthimin në Barcelonë

“Frontet” e hapura për Paris Saint-Germain po shtohen gjithnjë e më shumë. Ndërkohë që zhvillimet rreth serialit të Kylian Mbappe po ecin me ritme të shpejta, kampionët e Francës janë përballur me një tjetër problem, që mban emrin Neymar.

Thashethemet janë se ai ende është në kërkim të rikthimit të tij në Barcelonë, megjithatë, sipas Equipe franceze, braziliani tani ka bërë një hap më tej.

Në fakt, Neymar ka njoftuar zyrtarisht drejtuesit e klubit se dëshiron të largohet nga skuadra këtë verë! Sipas gazetarit italian Fabrizio Romano, prioriteti i tij është të bëhet sërish lojtar i Barcelonës.

Neymar e ka kapërcyer dëmtimin që e mbajti jashtë për pjesën më të madhe të sezonit të kaluar dhe ishte i pranishëm në miqësoren e fundit për Parisin, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2025.

Kujtojmë se braziliani zbarkoi në Paris në vitin 2017 për 222 milionë euro, një shumë që mbetet rekord edhe sot e kësaj dite.


Shtuar 8.08.2023 12:15