Turqia duhet të përgatitet për një të ardhme post-Erdogan

Nga Michael Rubin “National Interest”

Çdo udhëheqës demokrat zgjohet çdo mëngjes, duke e ditur se kur përfundon mandati i tij në krye të vendit. Çdo diktator duhet të zgjohet duke e ditur se sot mund të jetë dita e tij e fundit e jetës. Askush nuk e di se si dhe kur do të përfundojë sundimi i Recep Tayyip Erdogan mbi Turqinë.

Burgimi i  kundërshtarit të tij të mundshëm në zgjedhjet e vitit 2023, e bën të pamundur një tranzicion demokratik. Një grusht shteti nuk ka gjasa të ndodhë sërish së afërmi, dhe turqit janë shumë të frikësuar për t’u revoltuar. Më shumë gjasa, ai mund të vdesë nga ndonjë sëmundje kanceroze ose në ndodnjë atentat.

Sido që të përfundojë regjimi i Erdoganit, rënia e tij është e sigurt. Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) nuk do të qëndrojë në pushet për më shumë se 1 apo 2 vit të tjera. Me përjashtim të Partisë Popullore Republikane (CHP) të Mustafa Kemal Ataturk, asnjë parti politike e themeluar nga një lider karizmatik, nuk i ka mbijetuar vdekjes së liderit.

AKP-ja është duke u shpërbërë tashmë, ndërsa Erdogan po promovon gjithnjë e më shumë familjen e tij në vend të partisë. Ndaj turqit duhet të nisin të mendojnë që tani, se si do ta zhbëjnë dëmin që ka shkaktuar Erdogan. Disa çështje ata i dinë, por shumë gjëra të tjera mbeten të fshehura pas censurës së fortë dhe kontrollit që Erdogan ka vendosur ndaj mediave turke, të cilat dikur ishin aq dinamike.

Është iluzore të besohet se rënia e Erdoganit do ta sjellë rikthimin e shpejtë të Turqisë në statuskuonë e vjetër. Tek e fundit, dy dekadat në pushtet i dhanë mundësi atij të diktonte formimin e një brezi. Më shumë se 30 milionë turq u arsimuan nga një program mësimor erdoganist. Po ashtu, ai ka riformuar burokracinë sipas vizionit të tij, dhe e ka shndërruar ushtrinë nga një bastion i laicizmit në një motor të islamizmit, raporton albeu.com.

De-erdoganizimi

Së pari, a do të ketë një spastrim? Një nga lëvizjet më të diskutueshme pas pushtimit të Irakut në 2003, ishte vendimi për të zbatuar procesin e de-Baathifikimit. Partia Baath ishte një mekanizëm, përmes të cilit cilin presidenti i Irakut Saddam Hussein u përpoq të kontrollonte shoqërinë dhe të siguronte pushtetin e tij.

Përparimi përmes hierarkisë së tij të rreptë, kërkonte teste të përkushtimit dhe kompromisit moral, edhe pse shpërblimet për besnikërinë e treguar mund të ishin të mëdha. Përkrahësit e këtij procesi argumentuan se një spastrim ishte i nevojshëm, si për arsye praktike ashtu edhe morale për të parandaluar gardën e vjetër Baathiste të sabotonte rimëkëmbjen nga brenda dhe për të siguruar qasje për ata që nuk bënin kompromise morale në kërkim të pushtetit dhe parasë.

Një diskutim i ngjashëm duhet të zhvillohet edhe në Turqi. A do t’i mbajnë anëtarët e AKP-së pozicionet e tyre, apo korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin do t’i skualifikojnë ata në një të ardhme post-Erdogan? Duke pasur parasysh lidhjen midis funksionarëve të AKP-së dhe grupeve si Haj’at Tahrir al-Sham, i lidhur me Al Kaedën, Shtetin Islamik ose paraushtarakët e SADAT, a mund të shkaktojë spastrimi një rebelim apo një valë terrori në vend?

Pastrimi i burokracisë

Nëse një qeveri post-Erdogan nuk e kryen dot de-erdoganizimin, si do ta rikthejë ajo ndikimin e saj në burokraci dhe sistemin arsimor? Përpara epokës së Erdogan, hyrja në universitetet më të mira të Turqisë dhe qenia pjesë e administratës ishte një meritokraci e bazuar në rezultatet e provimeve.

Erdogan u dha të diplomuarve të Imam Hatip (seminar fetar turk) një bonus për të rritur rezultatet e tyre në krahasim me ata që ndiqnin shkollat ​​e mesme dhe universitetet laike. Dhe kur kjo nuk mjaftonte, krijoi një mekanizëm intervistash për të renditur më lart islamikët. A do të ruajnë postet e tyre këta burokratë të pakualifikuar apo duhet të ri-testohen? E njëjta gjë vlen edhe për mësuesit.

Lirimi i të burgosurve politikë

Rreth 100.000 turq janë aktualisht në burg për bashkëpunimin e dyshuar në grushtin e shtetit të vitit 2016, origjina e të cilit ka më shumë pyetje sesa përgjigje. Shumë prej të arrestuarve janë pasues të supozuar të teologut turk në mërgim Fethullah Gulen, të cilin Erdogan e kishte dikur aleat, derisa nuk kishte më nevojë për rrjetet e tij financiare apo politike.

Ndërkohë janë shënjestruar shumë kurdë. Arrestimi i rivalëve politikë si Selahattin Demirtas dhe Ekrem Imamoglu, tregon se Erdogan nuk mund t’i fitojë zgjedhjet e lira, dhe se ai e ka humbur mbështetjen e popullit. Në ditën e parë të epokës post-Erdogan, duhet të lirohem të gjithë të burgosurit politikë, raporton albeu.com.

Kushtetuta

Erdogan e forcoi pushtetin autoritar përmes ndryshimit të kushtetutës. Turqit duhet të pyesin veten nëse janë ngopur me diktaturën, dhe nëse duan të rivendosin një sistem kontrollesh dhe balancash. Menjëherë pas largimit të Erdogan, turqit duhet të vendosin për fatin e kushtetutës së tyre aktuale. Ata mund të rikthehen në kushtetutën e vitit 1982, ose të rishikojnë atë të vitit 2017.

Politika e jashtme

Erdogan e ka rikonfiguruar politikën e jashtme të Turqisë, duke e riorientuar Turqinë larg demokracive të Evropës dhe më shumë drejt regjimeve refuzuese të Lindjes së Mesme dhe vendeve revizioniste në Amerikën e Jugut dhe Euroazinë. Shpeshherë Erdogan nxit anti-amerikanizmin për t’iu drejtuar forcave të errëta të konspiratorizmit dhe ksenofobisë turke. Do të duhet kohë përpara se komuniteti ndërkombëtar ta përqafojë Turqinë si një partnere dhe jo si një shtet problematik.

Por një udhëheqje e re mund të sinjalizojë një ndarje të dukshme me politikën e deritanishme të Erdogan. Po ashtu, një udhëheqës i ri mund të pushojë së këmbënguluri për një zgjidhje me dy shtete për Qipron. Duhet të marrin fund pretendimet e rreme detare, ashtu si edhe fluturimet dhe pretendimet revanshiste ndaj territoreve shtetërore fqinje.

Marrë me shkurtime

Shënim:Michael Rubin, anëtar i lartë në thinj-tankun “American Enterprise Institute”.

/albeu.com


Shtuar 29.12.2022 14:13