Nje "ushtri" ne internet e merr persiper sulmin ne ICO
Pëlqej
Albeu.com
Një grup i panjohur që veten e quan “Ushtria e Republikës së Kosovës”, ka shpërndarë një e-mail përmes postës elektronike duke e marrë përsipër sulmin e 14 nëntorit në ndërtesën e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë.
Të parat që e kanë publikuar “lajmin” kanë qenë mediat gjermane. Siç dihet, tre shtetas gjermanë po mbahen në arrest si të dyshuar lidhur me këtë sulm.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka deklaruar se nuk do të thotë se kjo është diçka serioze. “Ne do të interesohemi rreth kësaj pune, por tani për tani nuk ka asgjë”, është shprehur ai, për Express.

Ndërkohë Kolegji i Gjyqtarëve të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë pritet të mblidhet sot pasdite, për të marrë vendim në lidhje me tre shtetasit gjermanë të arrestuar në lidhje me rastin e shpërthimit. Kjo mbledhje bëhet pas ankesës të bërë nga ana e avokatëve mbrojtës të tre të arrestuarve.

Gjithashtu, të mërkurën pasdite, shefi i Departamentit të Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, gjeneral Rrahman Sylejmani, ka pasur një takim me kryeprokurorin e Prokurorisë së Qarkut, Osman Kryeziun. “Është biseduar edhe për rastin e tre gjermanëve, por jo vetëm për të. Madje për të kemi biseduar më së paku. Kemi folur për shumë dosje e raste të tjera”, ka thënë ai, për Express.

Për mundësinë e lirimit dhe ekstradimit të këtyre shtetasve nga Kosova në drejtim të Gjermanisë, Express ka kontaktuar edhe ministrin e Punëve të Brendshme Zenun Pajaziti. Por ai e ka mohuar se deri më tash kanë marrë ndonjë kërkesë nga Qeveria gjermane për ekstradimin e shtetasve të saj drejt Berlinit. “Nuk kemi marrë kërkesë të tillë kurse për procedura të mëtejshme vendosë gjykata”.

Në të njëjtën kohë, edhe prokurori i kësaj çështjeje, Fetih Tunuzliu, nuk ka dashur të japë shumë komente në lidhje me mundësinë e ekstradimit. Ai ka sqaruar se deri në ndonjë vendim të ri të Kolegjit të Gjykatësve, hetimet janë duke u zhvilluar. (G. Express)
Shtuar më 27/11/2008, ora 20:53
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori