Superliga, Partizani dhe Tirana në “aktin e fundit”, titulli “luhet” në dy stadiume

Partizani prej ditësh për gatitet fort në fushë për ndeshjen e sotme ndaj Teutës, ku në rast fitoreje kanë shansin të festojnë titullin kampion. Në javën e shkuar të kuqtë bënë përmbysjen e madhe, duke mposhtur Kastriotin dhe duke përfituar nga ai barazim i Tiranës ndaj Bylisit në Rrogozhinë, dhe marrë kështu kreun me pikë të barabarta me bardheblutë, por me avantazhin e një fitoreje më shumë në ndeshjet direkte.

Pas asaj sfide kishte festë dhe emocione shumë të bukura, por të kuqtë u treguan mjaft të përmbajtur. Ndërkohë, edhe gjatë javës situata ka qenë mjaft e qetë. Skuadra ka punuar normalisht me trajnerin Kolela, por kjo nuk e ka ndaluar stafin organizativ të klubit, por edhe tifozët, që të mendojnë për festën e titullit, nëse e fitojnë. Ndryshimi dukej që te rruga, ende pa hyrë në portën e madhe të stadiumit.

Klubi kishte menduar të mbushte gropat dhe ta bënte sa më lehtësisht të kalueshëm segmentin prej rreth 200 metrash nga Shërbimi Meteorologjik e deri te hyrja. Më pas, përveç një angazhimi të çdo punëtori të klubit me një punë të caktuar, në zyrat e klubit kishte nisur edhe puna për të bërë lyerjet dhe kurimet e fundit. Por të gjithë janë kuriozë se çfarë do të ndodhë në shkallët e stadiumit. E sigurt është se tribunat e stadiumit “Arena e Demave”, me një kapacitet prej rreth 4 mijë vendesh, do të jenë të mbushura, por pritet të ketë edhe tifozë që do ta shohin sfidën nga pjesa e parkingut, që të ofron akses me fushën. Gjithashtu, pritet të rezervohet edhe një koreografi, ku fjala kyçe padyshim do të jetë “kampion”.

Ndërkohë, edhe klubi me siguri ka rezervuar surprizat e veta në këtë ndeshje, që në rast se fitohet nga “demat” do të legjitimojë festën e madhe të të kuqve, pas një viti plot pengesa e vështirësi, në një “valle dyshe” me Tiranën, si asnjëherë në thuajse katër dekadat e fundit. Ndërkohë, sot në stadium pritet të bëhen kurimet e fundit, pasi ditën e djeshme në të u luajt ndeshja “play off” e Kategorisë së Parë mes Flamurtarit dhe Korabit. Përveçse për festën e titullit, në stadiumin e Partizanit po punohet prej javësh edhe për licencimin në turet e para të kompeticioneve europiane, ku Partizani po përgatitet të luajë në verë. Prej tyre lakmohet edhe titulli kampion, sepse parashikohen minimalisht edhe 1 milion euro fitime.

TROFEU – Federata Shqiptare e Futbollit ditën e sotme është përgatitur edhe për skenarin më pak të mundshëm, që Tirana të fitojë titullin kampion. Burime bëjnë me dije se janë bërë gati dy palë medalje dhe trofe, ku njëri do të jetë i vendosur në stadiumin “Niko Dovana”, ku luhet Erzeni-Tiran dhe tjetri në “Arena e Demave”, ku Partizani sfidon Teutën. Gjithsesi, vetëm njëri nga trofetë do të përdoret.


Shtuar 29.05.2023 11:01