Nje rom shqiptaro-malazez, fiton Big Brother-in italian
Albeu.com
Historia e Ferdi berishes, 23-vjeçarit nga Podgorica. Por, deri më tani, nuk ka thënë kurrë që është shqiptar. Ferdi Berisha ka fituar Grande Fratello 9. Djaloshi shqiptaro-malazez, me origjinë rome ka mundur finalistët e tjerë:Gianluca Zito, Cristina Del Basso e Marcello Torre Calabria, duke mbledhur vota edhe më shumë se të gjitha parashikimet më optimiste.
Ferdi është, në njëfarë mënyre, konfirmimi se publiku televiziv i reality-ve provon një lloj afashinimi për kategori që kanë pësuar diskriminime pak a shumë të rënda në jetën e përditshme.
E sigurt që historia familjare e Ferdit, të cilën autorët e kanë theksuar javë pas jave, ka pasur një rol definitiv në fitimin e zemrave dhe votave që çuan djaloshin rom në fitore.
Sipas analistëve, mendohet se dy momente të tjerë në reality, që ndikuan në fitoren e të riut nga Podgorica, janë: E para, është një konflikti i tij i gjatë me një personazh tjetër, sjellja e të cilit u cilësua jo e denjë dhe raciste, Xhanluka (napolitan). Ferdi u sulmua nga Xhanluka edhe fizikisht dhe kjo ndikoi në rritjen e keqardhjes dhe mbështetjes për të.
Momenti i dytë ishte një histori dashurie, për të cilën fansat patën shumë debate, nëse ishte false apo e vërtetë. Ferdi u lidh brenda shtëpisë me një nga vajzat më të bukura të GF9, një napoletane 24-vjeçare, e quajtur Francesca Fioretti.
Historia sentimentale zgjati për disa javë, por, gjithsesi, Franceska nuk iu dha e gjitha, duke thënë vazhdimisht se nuk i pëlqente ta bënte këtë gjë përpara kamerave. Ajo i dhuroi puthjen e parë pas javësh të tëra vardisjeje të djaloshit rom, vetëm një natë para finales së madhe, duke ndezur dyshime të forta tek spektatorët se e gjithë historia ishte stisur që ajo të mund të fitonte GF9-ën.
Shpesh, për teleshikuesit e këtyre emisioneve, kush nuk jep gjithçka, (vërtet gjithçka) nuk konsiderohet i vërtetë. Në fund, napoletania e bukur është eliminuar dhe Ferdi ka mbetur vetëm.
KUSH ËSHTË FERDI
Për Ferdin nuk kanë munguar në forumet italiane fyerje nga më të rëndat. Por, nuk kanë munguar fansat dhe solidariteti. Po kush është Ferdi Berisha? Së pari, duhet thënë që asnjëherë gjatë spektaklit, djali nga Podgorica nuk ka thënë që është shqiptar. Ka deklaruar vazhdimisht që është malazez, me origjinë rome. Edhe në mediat italiane nuk gjen asnjë fjalë ku ai të prezantohet si shqiptar, por paraqitet vazhdimisht si "rom malazez".
Ferdi është 23 vjeç dhe deri përpara futjes në GF, punonte ndihmëskuzhinier në një restorant, në Fano të Italisë.
Ka ardhur në Itali klandestin, 11 vite më parë, në një gomone bashkë me atë atin dhe klandestinë të tjerë, duke sfiduar dallgët e Adriatikut në një natë dimri. "U nisëm nga brigjet shqiptare. Gjatë udhëtimit, sa herë rrezikoheshim të mbyteshim, mendoja: po iki nga një kamp romësh për të përfunduar në një kamp romësh, në një vend tjetër? Kjo nuk ka kuptim.. Duhet të ketë diçka më të mirë për mua..."- ka treguar Ferdi për jetën e tij, kur është pyetur nga shokët e shtëpisë së GF-së.
Në fillim e ka pasur të vështirë. Babai pinte dhe e shtrëngonte të dilte të vidhte. Një ditë e ka braktisur, sipas historisë së rrëfyer nga Ferdi. Pas kësaj, djali ka përfunduar në institutin e jetimëve të Fanos, Don Orione. Ka nisur një jetë të re. Ka mundur të diplomohet për Hoteleri, dhe ka jetuar dy vjet me një familje italiane. Më pas është shkëputur dhe jeton në një apartament, ku ndan qiranë me një shok.
Sipas skedës së tij në GF9, Ferdi ka humbur çdo kontakt me familjen e tij të origjinës, por ka një motër më të vogël, që jeton në një kamp romësh në Gjermani.
"Në këto 10 vite, - ka treguar Ferdi, - më ka marrë në telefon vetëm një herë për të më kërkuar para".
Tashmë, Ferdi sheh përpara, për mundësitë që i hap kjo famë e fituar nga dritat e televizionit. Dhe është i vendosur: "Nuk dua të jem më një spektator, dua të jetoj jetën time prej protagonisti".
FERDI DHE RRETHANAT POLITIKE TË ITALISË
Ishte krijuar ideja se në Itali, njerëzit ishin gati ta pushkatonin një rom, sapo ta shihnin në rrugë, por ja që ndodhi diçka, në dukje shumë paradoksale, e që ka ngjallur debate të forta në fqinjin tonë përtej Adriatikut.
Ferdi Berisha, një rom shqiptaro-malazez nga Podgorica, ka fituar këtë të hënë në mbrëmje, Grande Fratello 9, një nga reality shout më të ndjekur të televizionit italian.
Fitorja e një romi erdhi pikërisht në një moment kur Italia ishte ndezur e gjitha nga revolta kundër akteve të përsëritura të përdhunimit në stacionet e metrove dhe në rrugët e Romës e disa qyteteve. Këto akte përdhunimi të vajzave italiane kishin të gjitha autorë romë të Rumanisë, të hyrë masivisht në Itali, pas hyrjes së Rumanisë në BE dhe sistemin Shengen.
Veç revistave të profilizuara dhe tabloidëve, fitorja e Ferdit ka mbërritur edhe në mediat kombëtare italiane, duke i dhënë madje ngjyra politike. Votës popullore pro një romi emigrant i janë dhënë atributet e një apeli të publikut kundër politikave ekstreme të Lega Nord, partisë aleate të Berluskonit në qeveri, që ka propozuar muajt e fundit ligje vërtet të paprecedentë, kundër klandestinëve dhe emigrantëve ilegalë.
"Duke votuar një rom, që ka mbërritur në Itali klandestin nga brigjet shqiptare, publiku italian i është kundërvënë kësisoj arrogancës së Lega-s, e cila gjatë gjithë kësaj kohe prodhoi këto "mostra metropolitane", të nevojshme për të ngjallur frikë në popull, e për të fituar kësisoj vota", - shkruante dje shtypi i majtë Italian, duke iu referuar fushatës me nota të forta raciste të mbështetësve të Lega Nord, pas akteve të përsëritura të përdhunimit të vajzave italiane nga romë klandestinë.
Këto muaj është propozuar nga Lega deri edhe një projektligj për tredhjen e autorëve të këtyre veprave të dhunës, dhe një projektligj i dytë që detyron mjekët të mos japin ndihmë mjekësore për klandestinët, por t'i denoncojnë ata.
Media, gjithsesi, është detyruar disa herë të sqarojë se "rom" (rom në italisht) dhe "rumun" (romeno në italisht) nuk janë e njëjta gjë.
Kjo dhe ndoshta historia familjare prekëse e Ferdi Berishës, ka ngjallur konpasionin e publikut, që e ka votuar 22-vjeçarin nga Podgorica, duke i dhënë plot 300 mijë euro premio, që nuk janë pak, jo vetëm për një si Ferdi. (botasot)
Shtuar më 22/04/2009, ora 20:07
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori