Një refuzim për ftesën e Edi Ramës
Çim Peka
Nga Çim Peka -

Si çdo vit, nën shembullin e Barakut ose “Zoti President” siç e quan Rama, ky i fundit na ka ftuar neve gazetarëve, neve analistëve, neve drejtuesve të medias dhe neve përfaqësuesve të shtypit për darkën e fundvitit me median. Rama me siguri është ulur ka ditë për të shkruar fjalimin që do të mbajë para atyre që vitin e shkuar tha se edhe pse sulmojnë, ai u përbetua se kurrë nuk do ti gjente gjë, dhe kurrkush nuk do të përfundonte në burg për këtë. Dhe fiks 6 muaj pas kësaj nga zyrat e Kryeministrisë që sundon, sa andej këtej fluturoi një draft që kriminalizonte shpifjen dhe po të ishte miratuar, aksh zëra opozitarë që 6 muaj më parë u ulën në tryezat me funsonta që as vetë Rama nuk i shpjegonte dot, vështirë se do asistonin këtë natë. Nisur edhe nga fakti se Drejtoria e Burgjeve i ka anulluar lejet shpërblyesë për të dënuarit në fund të vitit.

Ftesa e Ramës me siguri i ka shkuar edhe Andi Bushatit, të cilit Rama ia vuri në gojë ca fjalë me gjysëm të vërteta, ku sipas tij, Lapsi i Bushatit i cilëson Ramën dhe Obamën, “dava njerëzish pa krakter si puna jote dhe si puna e Obamës”. Më kujtohet se Andi atë natë ndërsa qeshi për pjesën e parë, rrudhi buzët për të dytën duke u penduar që në minutën 3-të të fjalimit 19 minutësh e 7 sekondësh të Ramës, se pse kishte rrugëtuar deri aty. Edhe kolegu-partner i Bushatit, Armand Shkullaku, ka shumë pak arsye për të mos qenë në këtë darkë. Sidomos për aq kohë sa si pasojë e fusnotës “Rrufeja”, me të cilën ishte dekoruar tryeza ku ndodhej një vit më parë , ai përpos 7 të tjerëvë të ulur aty, në fjalimin e Ramës tregohej si “vendi ku nuk bie ky fenomen atmosferik”.

Sigurisht që askush nuk do të qeshë sërish, përveç tavolinës së Top Channel-it për batutat morboze të Ramës për kreditë e Irfanit dhe ngushëllimin që ai rezervoi për bankat për këtë transaksion normal në një ekonomi tregu. Ndoshta Rama në fjalimin e rradhës i ka rezervuar Irfanit një batutë për mos rritjen e akcizës së birrës, e duke qenë se me Hysebelliun është në pranverë raportesht mediatike, kësaj here toç për kaqol ai do t’ia mbështjellë të gjorit Erion Braçe. Është ai që e mbështeste rritjen e akcizës kundër interesave të Irfanit dhe të prodhuesve të tjerë vendas, por batuta të paktën në këtë rast do mbetet brenda kontekstit, se Braçja fundja gazetar ka qenë.

Sa për mua Z. Rama, të siguroj që nuk kam asnjë hatërmbetje me ju. Edhe po nuk më përmende duke më përmendur, për mua nuk përbën ndonjë ndryshim. Refuzimi yt për të ardhur tek “divani i psik-analizës politike” siç e quajte ti një vit më parë FAKT-in që transmetohej UTV, nuk përbën asnjë hatërmbejte për mua, por në të njëjtën kohë nuk mund ta mohoj revoltën që kam për atë ç’ka ti bëre ç’bëre dhe gjete një mundësi për ta mbyllur. Pikërisht atë dritare debati siç e quaje ti, “divani i psik-analizës”. Urdhër-dëshira jote u plotësua pa asnjë kundërshtim nga ushtari yt që punon ndër të tjera edhe si deputet në PD. Të shkuara, por jo të harruara!…

Në të gjithë këtë artikulim në fakt më pëlqeu krahasimi yt një vit më parë, tipik për një pacient që e njeh mirë fushën dhe mjetet që përdoren aty, por që fatkeqësisht për median dhe shqiptarët refuzon të “shtrihet” aty e të kurohet. Kurdoherë nëse e ke merak një përballje me mua, tani kemi studiot e portalit Syri.net, dhe një intervistë aty mund ta bëjmë në çdo kohë. Vetëm se unë si atëhere edhe tani nuk mund të të drejtoj pyetje për përgjigjet e tua, ashtu si i porosit ti në divanet-mediatike ku shtrihesh i pashqetësuar dhe ngrihesh i pakuruar.

Për të gjitha këto që përmenda më lart, e për shumë e shumë të tjera, unë personalisht e refuzoj ftesën tënde. Kjo edhe si pjesë e një mendimi të përbashkët që ndamë me disa kolegë atë natë një vitë më parë. Veçse unë si burrë, “alpin’ po të duash, kam vendosur ta mbaj dhe jo ta ha, fjalën që thashë . Por të premtoj se do të të ndjek, jo për kërshërinë ndaj fjalimit tënd, sesa për planet e regjisë së TVSH-së (pa drejtor), kur të transmetojë planet nga salla e jote e konferencave, që në një kohë normale funksionimi mediatik atë natë do të duhej të ishte bosh.
Shtuar më 23/12/2015, ora 19:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori