Tabaku hedh akuza për aferën e Portit të Durrësit: Ku ishte Autoriteti i Konkurrencës?

Sot në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave u kërkua nga drejtuesi i Autoritetit të Konkurencës, Denar Biba, një rritje e stafit për institucionin që drejton. Gjatë kërkesës së tij në diskutim ndërhyri dhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila i kërkoi llogari z. Biba për punën e komisionit.

Ajo ngriti pyetjen nëse Autoriteti i Konkurencës ka rritur volumin e punës që kërkon rritjen e stafit.

Për mua, u shpreh deputetja Tabaku, ne mund të konsiderojmë sukses vendimet e zbatuara dhe të reflektuara në kohë tek qytetarët duke mbrojtur konkurencën. Kemi diskutuar për tregun e miellit, kur dinamika ndryshon.

Mirëpo kur Autoriteti Konkurencës vepron me vonesë nuk reagon në kohë për qytetarët! Nuk ju dëgjova për portin e durrësit të ishit aktivë që është në shkelje të konkurencës dhe nuk u shprehët. Nëse doni rritje të stafit, atëherë bëni punë që të referoheni sikundër ndodh me KLSH dhe zbulimet e saj.

Sipas deputetes Tabaku është shumë e domosdoshme që Autoriteti i Konkurencës të jetë në shërbim të ruajtjes së konkurencës që fatkeqësisht është minuar në këto vite në kurriz të portofolit të shqiptarëve.


Shtuar 25.04.2023 11:29