Nje mik i telefonon Limajt: Gjej avokat te mire
Albeu.com
Ministri i Transportit dhe i Telekomunikacionit, Fatmir Limaj është porositur që të përgatitet mirë për atë që mund të jetë proces gjyqësor me akuza për korrupsion me tenderët e rrugëve në ministrinë e tij.
Një zyrtar i lartë i një shteti perëndimor, mik i Kosovës, ka folur me Limajn në telefon gjatë mbledhjes së tensionuar në qeverinë e Kosovës, ku kanë marrë pjesë kryeministri Thaçi dhe përfaqësues të shteteve të Quintit në Prishtinë. Burime të KTV-së, të afërta me takimin, kanë pohuar se telefonata e zyrtarit të lartë ka ardhur në funksion të qartësimit të seriozitetit të situatës, se ministri Limaj së shpejti mund të jetë i përballur me aktakuzë për veprimet brenda ministrisë që ai udhëheq.
Në anën tjetër, ministri i Transportit ka përsëritur se ai është i hapur për çdo hetim, por se nuk e ndjen veten të ketë bërë diçka që bie në kundërshtim me ligjin. Sipas të njëjtave burime, Limaj ka thënë se punët në Ministrinë e Transportit nuk janë zhvilluar më ndryshe se punët në disa ministri të tjera të kabinetit qeveritar.
Burime brenda qeverisë, ndërkaq, kanë pohuar se kanë qenë të befasuar me aksionin e EULEX-it, pasi që kjo ka rënë në kundërshtim me një marrëveshje interne që e ka pasur kreu i qeverisë me disa shtete të Quintit për atë që tashmë quhet “Çështja Limaj”. Kjo marrëveshje, që nënkuptonte largimin nga Kosova të Fatmir Limajt dhe caktimit të tij në ndonjë detyrë shtetërore në një vend perëndimor, ishte rikonfirmuar edhe në një takim konfidencial që ka pasur kryeministri Thaçi me përfaqësues të shteteve të Qunintit, natën e së premtes së 16 prillit në Prishtinë. Ndërkohë, ngjarjet e javës kanë hedhur dyshimet se a ka pasur vërtet një marrëveshje qeveri dhe shtete të Qunintit për ministrin e Transportit, ose gjithçka ka qenë vetëm një skenar i vetë përfaqësuesve të këtyre shteteve, që është lënë të realizohet pas fillimit të punimeve në autostradë, ka thënë burimi i KTV-së i afërt me institucionet e vendit.
Shtuar më 01/05/2010, ora 03:22
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori