Raporti: Deri në vitin 2035, më shumë se gjysma e popullsisë së botës do të jetë mbipeshë

Më shumë se gjysma e popullsisë së botës do të klasifikohet si mbipeshë deri në vitin 2035 nëse nuk merren masa, paralajmëron Federata Botërore e Obezitetit.

Më shumë se katër miliardë njerëz do të preken, me normat që rriten më shpejt tek fëmijët, thotë raporti i tij.

Vendet me të ardhura të ulëta ose të mesme në Afrikë dhe Azi pritet të shohin rritjet më të mëdha.

Raporti parashikon se kostoja e obezitetit do të arrijë në më shumë se 4 trilion dollarë në vit deri në 2035-ën.

Presidentja e federatës, Louise Baur, i përshkroi gjetjet e raportit si një paralajmërim të qartë për vendet që të veprojnë tani ose të rrezikojnë pasoja në të ardhmen.

Raporti në veçanti thekson normat në rritje të obezitetit midis fëmijëve dhe adoleshentëve, me norma që pritet të dyfishohen nga nivelet e vitit 2020 si tek djemtë ashtu edhe tek vajzat.

Prof Baur tha se tendenca ishte “veçanërisht shqetësuese”, duke shtuar se “qeveritë dhe politikëbërësit në mbarë botën duhet të bëjnë gjithçka që munden për të shmangur kalimin e kostove shëndetësore, sociale dhe ekonomike tek brezi i ri” duke vlerësuar “sistemet dhe faktorët rrënjësor “ që kontribuojnë në obezitet.

Efektet e prevalencës së obezitetit në vendet me të ardhura më të ulëta theksohen gjithashtu në raport. Nëntë nga 10 vendet me rritjen më të madhe të pritshme të obezitetit globalisht janë shtete me të ardhura të ulëta ose të mesme në Afrikë dhe Azi.

Arsyet përfshijnë tendencat në preferencat dietike drejt ushqimeve më të përpunuara, nivele më të larta të sjelljes sedentare, politika më të dobëta për të kontrolluar furnizimin dhe marketingun e ushqimit, dhe shërbime shëndetësore me më pak burime të mira për të ndihmuar në menaxhimin e peshës dhe edukimin shëndetësor.

Vendet me të ardhura më të ulëta janë “shpesh më pak të afta për t’iu përgjigjur obezitetit dhe pasojave të saj”.

Gjetjet vlerësojnë se rritja e normave të obezitetit në mbarë botën do të ketë një ndikim të rëndësishëm në ekonominë globale, duke barazuar me 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto global.

Raporti thekson se njohja e tij për ndikimin ekonomik të obezitetit “nuk është në asnjë mënyrë një reflektim i fajit ndaj njerëzve që jetojnë me obezitet”.

Të dhënat e publikuara në raport do të paraqiten në OKB të hënën.

Raporti përdor indeksin e masës trupore (BMI) për të bërë vlerësimet e tij. BMI llogaritet duke pjesëtuar peshën e një të rrituri me katrorin e gjatësisë së tyre.


Shtuar 3.03.2023 08:44