Nje lamtumire "Vetevendosje"-je ambasadores Kaidanow
Albeu.com
Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë, i ka thënë lamtumirë ambasadores amerikane në largim Tina Kaidanow, në një metodë origjinale. Kjo lëvizje shpreh gëzimin e saj të madh për largimin e ambasadores, duke shprehur dëshirën që ajo të largohej më herët.“Keqpërfaqësimi i interesit amerikan në Kosovë nga Tina ka qenë i pashembullt dhe nuk është parë nga përfaqësuesit e mëhershëm amerikanë. Tina, krejt në kundërshtim me emrin dhe dukjen e saj të pafajshme, e ka keqpërdorur pozitën e saj të zyrtares më të fuqishme ndërkomëtare në Kosovë, për të bërë sjellje të pahijshme totalitare dhe veprime të hapura antishqiptare. Shkaku i Tinës ende kemi politikanë të traumatizuar rëndë nga bërtima e saj dhe rrahja e shpeshtë e tavolinave nëpër takime”-thuhet në komunikatën për mediat.

Vetëvendosje mendon se Tina Kaidanow ka qenë kryeinstruktorja e një inxhinieringu ngulmues për rikonfigurimin e identitetit tonë shqiptar. “Ne kemi flamur mavi-sarih, himn memec, dhe Kushtetutë shkombëtarizuese kryesisht falë Tina Kaidanowit. Pastaj, a nuk ishte vetë Tina Kaidanow ajo që kur ukranisasit, rumunët dhe polakët e UNMIK-ut, vranë Arben Xheladinin dhe Mon Balajn, në vend që t’i dënonte kriminelët, doli dhe i dënoi demonstruesit paqësorë, të cilët i quajti “armiq të Kosovës””-vijon deklarata.

“Tina iku. Ne i themi lamtumirë, e jo mirardhsh. Ndoshta Tinës mund t’ia falim disa gjëra, mafton që ajo po ikën. Por një gjë nuk do t’ia falnim kurrë – nëse me vete nuk i merr Hashimët dhe Fatmirët. Kërkesa jonë e fundit: Tinë e dashur, ashtu siç ke pasur mjaft mundësi për ta dëmtuar Kosovën kaq shumë, tash që të erdhi fundi i karrierës në Kosovë, mund ta shpëtosh vendin tonë, nëse në valixhen tënde diplomatike i fut politkanët tanë, të cilët nuk munden dot pa ty. Nuk munden pa bërtitjen tënde, pa poshtërimin që u bëre, pa miklimin e shpirtit tënd autoritar me nënshtrimin e tyre të paskrupullt. Merri ata, ndihmoje Kosovën”-ironizon Vetëvendosja. (albeu/start)
Shtuar më 06/07/2009, ora 16:25
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori