Një oficere suedeze e KFOR-it spiunonte për serbët
Albeu.com
NATO ka zbuluar një spiune në radhët e misionit të saj në Kosovë, e cila u jepte informacione të rëndësishme serbëve. Lajmi është dhënë nga vetë zyrtarët e KFOR-it në Prishtinë, por edhe nga kancelaritë e Aleancës së Atlantikut Verior në Bruksel.Bëhet fjalë për një femër, ekzaktësisht oficere e ushtrisë suedeze, e cila akuzohet se ka kaluar informacione të klasifikuara rreth operacioneve të KFOR-it në Kosovë në drejtim të serbëve. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë suedeze deklaroi se ushtarakja ishte e lidhur me një agjent të rëndësishëm të shërbimit sekret serb. Gruaja, për të cilën deri tani nuk jepet asnjë informacion, i dërgonte të dashurit të saj serb e-mail -e, ku jepeshin detaje në lidhje me forcën e NATO-s në Kosovë. Sipas të dhënave, që në fakt jepen me pikatore nga KFOR-i, i dashuri i oficeres suedeze punon si përkthyes i serbishtes në administratën e OKB-së në Kosovë (UNMIK). Sipas hetimeve të nisura në fakt nga shërbimi sekret i NATO-s, oficerja suedeze nisi aktivitetin e saj në shërbim të spiunazhit serb në fillim të vitit 2006, duke i dërguar të dashurit të saj dokumente të klasifikuara. Spiuni serb, që prej kohësh mbante lidhje dashurore me suedezen, identifikohet vetëm me pseudonimin "Z". Ai u arrit të zbulohet në fund të vitit të kaluar dhe menjëherë u mor në pyetje nga oficerët e NATO-s. Por ai menjëherë u zhduk nga qarkullimi.

Mbi oficeren suedeze ende nuk rëndon ndonjë akuzë për kryerje krimi, por kanë nisur hetimet për shkeljen e disiplinës ushtarake. Suedia në fakt nuk është anëtare e NATO-s, por ajo kontribuon me trupa ushtarake në Kosovë. Shërbimi sekret suedez theksoi dje se ushtarakja nuk e dinte që i dashuri i saj ishte spiun, edhe pse në një nga e-mail -et e saj ajo e pyeste atë se mos po bënte "biznes spiunësh", por i dashuri i saj serb i përgjigjej se "nuk jam spiun, por një njeri i mirë". Hetimet për gruan suedeze kanë nisur që verën e shkuar, por deri tani gjithçka është mbajtur sekret, dhe vetëm para dy ditësh drejtësia suedeze nisi hetimet mbi këtë çështje.
Shtuar më 16/05/2007, ora 11:17
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori