E goditi rrufeja, humb jetën roja i një kanali vaditës në Librazhd

Foto ilustruese

Një 52-vjeçar i cili rezultonte i zhdukur që prej fundjavës në një fshat të Librazhdit është gjetur mbrëmë vonë i pajetë, përgjatë rrjedhës të një kanalit vaditës.

Bëhet fjalë për shtetasin Bashkim Mustafa Lala nga fshati Letëm i Njësisë Administrative Lunik. I ndjeri punonte roje e kanalit vaditës dhe prej fundjavës kur kishte shkuar në punë kishte humbur kontaktin me familjen.

Bashkëshortja dhe të afërmit kishin sinjalizuar policinë dhe pas kërkimeve në zonë dhe përgjatë rrjedhës së kanalit vaditës në kufirin midis fshatit Letëm dhe Zgosht kanë gjetur veglat e tij të punës një kazmë dhe një lopatë si edhe kufomën e tij.

Ai është goditur nga rrufeja dhe ka përfunduar në ujin e kanalit. Sipas policisë grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Kufoma është gjetur nga banorë të zonës në vendin e quajtur “Brigada e Parë” dhe më pas është dërguar për në morgun e Spitalit Rajonal në Elbasan ku do t’i nënshtrohet autopsisë për t’u përcaktuar shkaku i vdekjes./Albeu.com/


Shtuar 27.06.2023 08:57