Nisma e BB, Shqipëria pakt si vendet e varfra afrikane
Banka Botërore publikoi dje zyrtarisht marrëveshjen mes Shqipërisë, katër vendeve afrikane dhe Haitit, të etiketuar “Liderët e Rrjetit Global të Shkëmbimeve”.

Nisma për ngritjen e këtij rrjeti ishte e ish-kryeministrit britanik Toni Bler dhe e mbështetur nga presidenti i Bankës Botërore, Jim Yong Kim. Marrëveshja apo dakordësia u arrit gjatë takimit që patën në Nju Jork liderët e këtyre vendeve me presidentin e BB dhe ish-kryeministrin britanik. Shqipëria i bashkohet kështu nismës bashkë me Ganën, Etiopinë, Senegalin, Malawi-n dhe Haitin, shkruan në numrin e saj të sotëm gazeta Panorama.

Nisma Bler-BB parashikon koordinimin e donacioneve për të ndihmuar në zhvillimin e këtyre vendeve. “Banka Botërore dhe zyra e Toni Blerit do të japin suport teknik për grupin dhe anëtarët e tij”, thuhet në njoftimin zyrtar. Me shumë gjasë donacionet do të mblidhen nga Banka Botërore, si financuese kryesore, dhe do të këshillohen në shpërndarje nga grupi i Blerit. Në njoftim, Shqipëria barazohet me vendet afrikane.

“Këto vende, teksa janë duke përballur një problematikë të gjerë, ndajnë dëshirën e përbashkët për të përmirësuar shërbime duke nisur që nga arsimimi në klasa, deri te rritja e vaksinimit apo ndërtimi i urave”.

Shqipëria është i vetmi vend europian që është përfshirë në grupin e Bler-BB. /albeu.com/
Shtuar më 05/10/2013, ora 13:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori