Nisin punimet për rikonstruksionin e Kopshtit Nr.17, pas dy vitesh pezullim
Pas dy vitesh pezullim, Bashkia e Tiranës ka rinisur punimet për rikonstruksionin e plotë të godinës së kopshtit nr. 17 në Njësinë 7, i cili shumë shpejt do të ofrojë kushte bashkëkohore për më të vegjlit e qytetit.

Punimet që po kryhen në këtë kopsht u inspektuan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se viti 2017 do jetë një vit më i mirë edhe se viti që lam pas, sidomos në punët që i shërbejnë fëmijëve.

“2016-ta ka qenë një vit fantastik! Tani nuk krahasohemi me atë që gjetëm, por me atë që bëmë në vitin tonë të parë. Ndaj, edhe këtë vit të dytë e fillojmë me një kopësht të ri. Një lajm i mirë për 120 fëmijë, të cilët janë edhe 120 qytetarë të ardhshëm të Tiranës, që do të rriten në kushte më komode”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai shtoi se ky kopësht do të përfundojë brenda një kohe të shkurtër dhe do të ofrojë kushtet dhe standardet më të mira për fëmijët.

“Po sigurohemi që ky kopësht t’i ketë të gjitha kushtet e nevojshme për fëmijët, të ketë komoditet, një kënd lodrash, ngrohje etj. Siç e dini, Tirana që trashëguam ishte një Tiranë ku mbi kabinën elektrike ngrihej pallat pa leje, i cili legalizohej nga ata që në 2013 bënë kërdinë në tranzicion, prandaj na duhet të gjejmë një vend për një kabinë të re, për një kaldajë të re, për instalime të reja”, theksoi kryebashkiaku i Tiranës.

Veliaj falenderoi të gjithë prindërit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin që treguan edhe gjatë ditës së hënë, kur edhe rinisën aktivitetin çerdhet, kopshtet dhe shkollat.

“Nuk kemi pasur asnjë problem me kopshtet dhe çerdhet, kurse në pjesën më të madhe të shkollave çdo gjë ka funksionuar normalisht, përsa i përket ngrohjes. I falenderoj të gjithë qytetarët, prindërit që kanë telefonuar për problematika të ndryshme, të cilat po i adresojmë sot. Numri është 0800 0888 për të gjithë qytetarët që duan të raportojnë. Për prindërit që rrisin fëmijët e tyre në Tiranë bashkia është e gatshme 24 orë/ditë. Për prindëritfëmijët e tyre i rrisin në Hollandë apo i kanë me pushime në Meksikë, Bashkia nuk ka asnjë detyrim”, u shpreh Veliaj, ndërsa theksoi se fokusi i Bashkisë së Tiranës do jetë te puna për të përfunduar këtë kopsht dhe për të vazhduar disa projekte të tjera shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me shkollat e reja.

Kopshti nr. 17 do të akomodojë 120 fëmijë të ndarë në 4 grupe. Ai ka pësuar një zgjerim nga ana funksionale të hapësirave dhe do të ketë një hyrje të re. Po ashtu, janë riorganizuar hapësirat e fjetjes, ngrënies dhe tualeteve. Falë këtij investimi do të instalohet sistemi i ngrohjes në të gjitha ambientet e kopshtit. Gjithashtu, do të kryhen edhe punime hidraulike dhe elektrike. Ndryshime do të pësojë edhe oborri ku do të krijohen edhe 2-3 kënde lojërash për fëmijët. /albeu.com/
Shtuar më 17/01/2017, ora 13:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori