Nisin aplikimet tek Akademia e Sigurisë: Të gjatë mbi 170 cm e mesatarja e universitetit mbi 8
Me qëllim plotësimin e funksioneve të lira organike dhe përzgjedhjen me barazi, paanshmëri dhe transparencë të kandidatëve më të mirë, sipas parimit të shanseve të barabarta, meritës e mosdiskriminimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka përcaktuar kriteret për rekrutimin e studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.

Aplikimet bëhen pranë Drejtorisë Vendore të Policisë ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm dhe përfundojnë më datë 20 gusht 2020. Dosja fizike e aplikimit duhet të dorëzohet pranë Drejtorive Vendore të Policisë ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.

Kuotat e pranimit në Policinë e Shtetit janë për të rinj që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve
të arsimit të lartë në shkenca juridike, ekonomike dhe kompjuterike.

Kriteret e përgjithshme për pranimin e këtyre kandidatëve në Akademinë e Sigurisë:
– të jenë shtetas shqiptarë; – të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të Sigurisë Kombëtare apo të jenë larguar nga shërbimi civil; – të kenë zotësi të plotë për të vepruar;
– të mos kenë shenja të dukshme (tatuazh) në pjesët që nuk mbulohen nga uniforma verore e Policisë;
– të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të aftë fizikisht për të kryer detyrën;
– të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e ndonjë krimi apo për kryerjen e ndonjë kundërvajtjeje penale me dashje; – të jenë të pajisur me vërtetim besueshmërie; – të kenë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;
Ndërsa kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë aplikantët për t’u pranuar në këtë cikël janë: – të kenë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike, shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë) ose shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë): – të jenë nën moshën 30 vjeç; – të kenë mesataren e cikleve të studimit mbi “8”; – të jenë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat; – të kenë njohuri të gjuhës angleze në nivelin mbi 60 pikë sipas standardit ALCPT.

Aplikantët duhet të paraqesin pranë strukturave të burimeve njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë, dokumentacionin e mëposhtëm:

– Formularin e aplikimit; – Diplomën dhe listën e notave të noterizuar të ciklit të parë dhe të dytë të studimit (të dy nivelet e diplomave të jenë të të njëjtës fushë studimi, në programe studimi të akredituara). Aplikantët që kanë përfunduar arsimin e lartë jashtë vendit, duhet të paraqesin vërtetimin nga Ministria e Arsimit Sportit e Rinisë, për njëvlershmërinë e diplomave të marra jashtë vendit; – Fotokopje të kartës së identitetit; – Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”; – Vërtetim nga gjykata; – Vërtetim nga prokuroria; – 2 fotografi me përmasa 4 cm x 6 cm:

Aplikantët që plotësojnë kriteret dhe paraqesin dokumentacionin e kërkuar, më pas do t’u nënshtrohen fazave të vlerësimit, të cilat janë:

– vlerësimi sipas notës mesatare, e cila përfitohet nga llogaritja e mesatares së dy cikleve në të njëjtën fushë studimi; – vlerësim me testim i njohurive të gjuhës angleze sipas standardit ALCPT; – intervistimi i aplikantëve; – kontrolli shëndetësor; – marrja e shenjave të gishtave; – verifikimi përfundimtar i aplikantit.

Ky është kursi i tretë në kuadër të hapjes së aplikimeve nga Policia e Shtetit për të rekrutuar studentë të diplomuar me rezultate të larta, pas ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit ftojnë dhe nxitin të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e studimeve që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.
Shtuar më 21/07/2020, ora 23:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori