E FUNDIT/ Sherr mes uniformave blu, shkarkohen 2 shefa të policisë rrugore
Nishani uron Jahjagën: Shqipëria pranë Kosovës në gjithë hapat shtetndërtuese
Presidenti Bujar Nishani ka uruar homologen e tij kosovare, Atifete Jahjaga, me rastin e 8-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Kreu i shtetit, në mesazhin e tij ka thene se Shqiperia do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në hapat e saj shtetndërtuese.

“E nderuar Zonja Presidente,

Kremtimi i 8-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më jep mundësinë dhe kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’ju përcjell juve dhe nëpërmjet jush të gjithë shtetasve të Kosovës, urimet më të ngrohta e vëllazërore.

Përfitoj nga rasti që në këtë ditë të rëndësishme, jo vetëm për shtetasit e Kosovës por edhe për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, të përshëndes përpjekjet e jashtëzakonshme dhe arritjet e deritanishme në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve, duke sjellë më shumë stabilitet e begati për Kosovën, si dhe shndërruar atë në faktor të rëndësishëm bashkëpunimi e kontribuesi për paqen në rajonin e Evropës Juglindore.

Ju siguroj se Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në të gjitha hapat e saj shtetndërtuese, e bindur se maturia politike dhe përgjegjshmëria shtetërore e demonstruar gjatë këtyre tetë viteve pavarësi, do të vijojnë të shoqërojnë përpjekjet e mëtejshme për konsolidimin e institucioneve dhe kurorëzimin në një kohë të afërt të liberalizimit të regjimit të vizave, si dhe për avancimin e procesit të integrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian.

Me urimet më të mira për këtë ditë të shënuar për Republikën e Kosovës, ju lutem pranoni, e nderuar Zonja Presidente, shprehjen e konsideratës sime më të lartë". /albeu.com/

Shtuar më 17/02/2016, ora 11:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori