Nishani takim me senatorin amerikan McCain
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti dhe zhvilloi një takim me Senatorin amerikan dhe ish-kandidatin për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John McCain, i cili po zhvillon ditët e fundit një tur zyrtar në disa vende të Ballkanit.

Pasi i uroi mirëseardhjen dhe vlerësoi rolin udhëheqës dhe kontributin e vyer shumëvjeçar të Senatorit McCain në politikën dhe Senatin amerikan, Presidenti Nishani vuri në dukje se Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributet e të përmbushë përgjegjësitë e saj ushtarake dhe financiare në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

“Jemi krenarë që jemi aleatë besnikë, të denjë e të sinqertë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga mbështetja e të cilave frymëzohemi edhe për lirinë e demokracinë tonë.” – theksoi Presidenti Nishani, duke e siguruar Senatorin McCain se vendi ynë dhe Forcat e Armatosura shqiptare do të vazhdojnë ta luajnë këtë rol edhe në të ardhmen.

Kreu i Shtetit shqiptar dhe Senatori McCain diskutuan edhe për situatën e Ballkanit, ku u vlerësua roli dhe kontributi i Shqipërisë dhe kombit shqiptar për konsolidimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, paqes dhe stabilitetit të përbashkët me orientimin dhe synimin e integrimit e të gjithë vendeve dhe popujve në rajon në bashkësinë euro-atlantike./Albeu.com/
Shtuar më 14/04/2017, ora 17:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori