Nishani sfidon Bushatin për ambasadorin
Një shkresë e dërguar nga Nishani drejt ambasadorit Spiro Koci vërteton se ai nuk ka firmosur asnjë dekret për ta liruar nga detyra. Presidenti Bujar Nishani, në këtë mënyrë i është përgjigjur sfidës së ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, duke urdhëruar ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në OSBE, Spiro Koçi, të qëndrojë në detyrë dhe të mos i bindet urdhrave të ministrit. “Panorama” ka zbuluar shkresën që Nishani i ka dërguar ambasadorit tonë në Vjenë, të cilit i ka saktësuar se ndaj tij nuk ka nisur asnjë procedurë lirimi dhe se vetë Presidenti nuk ka firmosur asnjë dekret për ta liruar nga detyra.

Për këtë arsye, kreu i shtetit i kërkon ambasadorit Koçi që njoftimet e Ministrisë së Jashtme për kthim në atdhe brenda datës 1 tetor të vitit 2015, duhet t’i konsiderojë të pavlefshme.

Në letrën e tij, kreu i shtetit sqaron se është vënë në dijeni për shkresën e ministrit të Jashtëm nga media dhe se i vetmi që ka tagër ligjor që të lirojë ambasadorin është kreu i shtetit dhe jo Ministria e Jashtme.

Në shkresën e Presidentit Nishani, të firmosur nga shefi i kabinetit Ols Lafe, theksohet se lirimi nga detyra e ambasadorit në OSBE mund të ndërmerret vetëm me dekretin e Presidentit. /albeu.com/
Shtuar më 25/09/2015, ora 09:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori