Nishani rikthen për shqyrtim në Kuvend ligjin e Arsimit të Lartë
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani rikthen në Kuvend për shqyrtim ligjin e shumëdebatuar për arsimin e lartë. Nishani ka argumentuar se ky ligj cënon autonominë e arsimit të lartë, dhe ka theksuar se është e rëndësishme që të garantohet vijimësia e procesit të Bolonjës dhe detyrimeve që vijnë nga dokumentet ndërkombëtare, të cilat janë të detyrueshme për Shqipërinë. Në lidhje me ktë ligj Nishani ka dhënë gjashtë pika të rëndësishme si;

Së pari, fryma mbi bazën e të cilit është konceptuar dhe ndërtuar ligji, duket se nuk garanton autonominë e arsimit të lartë, "gjë e cila është dhe baza për të garantuar vijimësinë e procesit të Bolonjës dhe përmbushjen e detyrimeve që vijnë nga dokumentet ndërkombëtarë të cilat janë të detyrueshme për Shqipërinë".

Së dyti, përmes këtij ligji rrezikon të kushtëzohet e drejta për arsimin e lartë nga kriteri i pagesës së tarifave të ndryshme të përcaktuara në ligj, por që mund të arrijnë në shifra të larta të papërballueshme për nivelin mesatar të jetesës në Shqipëri.

Së treti, ky ligj nuk garanton autonominë e Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe Lirinë Akademike të parashikuar nga Kushtetuta.

Së katërti, autonomia e IAL në kuptim të Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese vendim nr. 9/2008 cenohet për sa kohë krijohen apo ristrukturohen Agjenci të ashtuquajtura Autonome, të cilat janë në varësi të plotë të Ministrisë Përgjegjëse për Arsimin dhe pretendohet të realizojnë synimet e kësaj Reforme në drejtim të cilësisë, konkurrueshmërisë dhe garantimit të mundësive të barabarta mbi bazën e meritës dhe transparencës për të gjithë individët që dëshirojnë të ndjekin studimet e larta.

Së pesti, autonomia e Universiteteve duket e cënuar edhe nga ndikimi i ekzekutivit në përbërjen e Bordit të Administrimit.

Së gjashti, ligji në Kreun V të tij përmban dispozita në lidhje me mbarimin e mandatit të strukturave drejtuese të IAL-ve, ndërsa në nenin 131 përcakton rregulla për kufizimin e mandateve të drejtimit, duke cenuar sërish autonominë organizative të IAL-ve. /albeu.com/
Shtuar më 14/08/2015, ora 13:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori