Largimi i Manolas, Napoli insiston për mbrojtësin e Man.United

Sipas ‘Il Corriere dello Sport’, Napoli i ka vënë sytë mbrojtësit të Aston Villa, Axel Tuanzebe, si një zëvendësues i mundshëm për Kostas Manolas.

Reprezentuesi grek i është bashkuar Olympiacos me një marrëveshje të përhershme dhe Napoli tani janë në kërkim të një qendërmbrojtësi të ri në janar.

Ata janë lidhur me shumë mbrojtës gjatë javëve të fundit, duke përfshirë Davinson Sanchez të Tottenham dhe Malang Sarr të Chelsea.

Megjithatë, Napoli është i hapur vetëm për të nënshkruar lojtarë të rinj në huazim me një opsion për të blerë dhe nuk po planifikon nënshkrime të përhershme në afatin kalimtar të dimrit.

Tuanzebe iu bashkua Aston Villas në formë huazimi nga Manchester United në verë, por ka startuar vetëm gjashtë ndeshje në Premier Ligë këtë sezon, e fundit më 5 nëntor.

Sipas ‘Il Corriere dello Sport’, Napoli është i interesuar të sigurojë shërbimet e tij me një marrëveshje të përkohshme deri në fund të sezonit dhe është në pritje të vendimit të Manchester United për 24-vjeçarin.

‘Djajtë e Kuq’ mund t’i japin fund huazimit të Tuanzebe në Villa Park dhe ta lënë atë të transferohet në Stadio Maradona deri në qershor.

Tuanzebe është një produkt i akademisë së Manchester United dhe bëri debutimin e tij të parë nën drejtimin e José Mourinhos në 2017.


Shtuar 30.12.2021 11:14