Nishani: Rama i ulëriti Presidentit se nuk dekretoi Zhitin
Presidenti Bujar Nishani, i ftuar në një intervistë në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, ka folur edhe për bisedën e tij telefonike me kryeministrin Rama, në lidhje me dekretimin e Visar Zhitit si ambasador në Vatikan.

Vetë kreu i shtetit ka thënë se telefonata me Ramën ishte me tone dhe terma të papranueshme, ndërsa më herët është shprehur se kreu i qeverisë i ulëriti institucionit të Presidentit, pas mosdekretimit të Visar Zhitit si ambasador.

Gjatë intervistës Nishani ka thënë se synimi i këtij sulmi është që ta bëjë institucionin e presidentit një kukull pa identitet në varësinë e kryeministrit. Sa i takon çështjes “Zhiti”, kreu i shtetit ka përsëritur edhe një herë se nuk ka thënë që Visar Zhiti nuk ishte i denjë, por i ka kërkuar kryeministrit në mënyrë të përsëritur që duhet të bashkëpunonin e të diskutonin paraprakisht për kandidaturat që do të shkonin ambasadorë, dhe jo për arsye pazaresh.

Një ankesë e përfaqësuesve e katër komuniteteve fetare në Elbasan të datës 5 shkurt, që i kthen një familjeje të njohur një pronë ku gjendet një kishë. Akuza që vjen nga mazhoranca është që famija juaj ka lidhje me këtë çështje. Cila është e vërteta?

"Kjo nuk është një çështje mes zotërisë si individ dhe meje si person. Nuk është e saktë ajo që u mundua të mbulojë deputeti. U akuzua në mënyrë publike jashtë çdo kodi etike familja ime. Nuk u lexua thjeshtë deklarata e komuniteteve fetare, por pati akuza dhe fyerje të rënda. Nuk e shkel ligjin Presidenti. Mund të përfshihet në afera korruptive, por ka mënyra dhe mekanizma, ka formate për të hetuar të gjitha shkeljet dhe abuzimet, por kurrë nuk dëgjohet që qeveria të dalë në mënyrë të organizuar në mes të parlamentit dhe në mënyrë të paverifikuar të artikulojë akuza jashtë çdo norme etike. E vërteta është e thjeshtë, bashkëshortja ime është një pasardhëse e familjes së Qemal Bej Elbasanit që ka qenë firmëtar i pavarësisë, ka shkrirë një pasuri të madhe për pavarësinë, ka ruajtur me fanatizëm dhe trashëguar penën që më pas familja e ka dorëzuar në muze. Në rastin e pronës, bashkëshortja ime nuk është trashëgimtare fare. Aty janë mbi 15 trashëgimtarë që janë njerëz të trungut. Ka një pjesë shumë të vogël nëna e bashkëshortes time dhe asesi unë s’mund t’i them djemve të hallës së vjehrrës time që të mos kërkojnë pronën e tyre. Historia e kësaj prone është e qartë. Denoncoj abuzimin dhe spekulimin për ndërhyrje të Presidentit të Republikës në përdorim të funksionit për të lehtësuar marrjen e një prone. Prona iu është njohur që në vitin 1994, me vendim të komisionit të kthimit të pronave. Nuk ka patur kurrë kishë në atë pronë. Në 95-96 aty u vendos një grup i Karitasit që ka pretenduar se ka marrë truallin nga këshilli i rrethit. Sot ka një kishë. Trashëgimtarët kanë kërkuar që kjo pronë të bëhet në marrëveshje me ta. Në ‘96 kjo nuk ka qenë një tokë publike. Gjatë gjithë kohës pronarët kanë kontaktuar me një pretendim të thjeshtë, që ne duhet të jemi personat që duhet kontaktoni dhe i kanë propozuar që të marrin pronën me çmimin që u ofronte shteti. Vendimi i formës së prerë në Gjykatën e Apelit është marrë në 2012, kur unë s’isha president. Kërkesa e tyre ka qenë për terrenet e tjera që janë zënë në mënyrë të palogjikshme, jo për prishjen e kishës".

Ky vendim që është marrë nuk flet për prishje të kishës?

"Jo. Kërkohet pavlefshmëri e kontratës që ish-këshilli i rrethit ka lidhur me ndërtuesit aty. Toka është jashtë territorit të kishës. Pronarët kanë deklaruar që nuk pretendojmë territorin e kishës, edhe atë ta mbajnë, por të dëmshpërblejnë pronarët e vërtetë. Dy fakte për spekulimin ndaj institucionit të Presidentit të Republikës, në konceptin dhe kulturën tonë në sjelljen ndaj presidentit, ka dy histori interesante, e para lidhet kur isha Ministër i Brendshëm. Kjo sipërfaqe është brenda një sipërfaqeje më të madhe që u është njohur këtyre familjarëve. Kur isha Ministër i Brendshëm me firmën time një pjesë e kësaj toke nuk është pranuar t’u shkonte pronarëve për shkak se ishte pranë parkut, i kaloi Bashkisë së Elbasanit. Firma dhe urdhëri është në arkivën e Ministrisë, Kryeministrisë dhe Bashkisë së Elbasanit. Momenti i dytë, nëse do të rikthehemi në deklaratën e përfaqësuesit të qeverisë që akuzon presidentin më bëri përshtypje lehtësia me të cilën akuzohet, duke thënë se imagjino se sa të vështirë e kanë qytetarët që të marrin drejtësi në Gjykatën e Lartë dhe Presidenti e merr tak-fak. Në Gjykatën e Lartë kjo dosje ka pritur 3 vjet dhe pas 3 vitesh është gjykuar dhe lënë në fuqi vendimi i gjithë gjykatave të tjera. Nëse do të kishte patur një ndërhyrje të Presidentit, atëherë nuk do qendronte tre vjet atje. Është e papranueshme nga kode të shkruara dhe të pashkruara denigrimi i figurës së Presidentit të Republikës".

Ju thoni që ky është një manipulim nga mazhoranca me akuza të pabazuara, ama ose harroni ose bëni sikur harroni, që reagimi i parë ka ardhur nga katër përfaqësues të feve në Elbasan që këtë letër publike ja dërgojnë Kryeministrit, deputetëve dhe jo Presidentit. Këtu ka nisur gjithçka nga një ankesë që nuk ka ardhur nga PS, as nga Bashkia, por nga përfaqësues të katër komuniteteve fetare.

"Ka ndryshime mes PS dhe qeverisë si subjekt. Është një skenar që nisi disa ditë më parë duke akuzuar Presidentin për debatin për emërimin e ambasadorit në Vatikan dhe konkluzionet nisën me artikulime të tilla dhe përfunduan pse nuk e nënshkruan kandidaturën e ambasadorit në Vatikan. Është normale që komunitetet të kenë pretendimet e tyre, megjithese është një cështje e mbyllur që në 2012 dhe u gjet në 2015 në kohën e një debati të fortë. Letra i'u drejtua Kryeministrit sepse ka të gjitha instrumentat për të verifikuar shkeljet e ligjit. U sulmua sërish familja e bashkëshortes time kur u transferua PD tek godina e re. Kryeministri ka të gjitha mekanizmat nëpërmjet Ministrisë së Drejtësië që të verifikojë vendimet e gjykatave".

Jeni president, por keni qenë në politikë aktive në PD për të paktën 12 vjet. Politika është perceptim dhe fakti që njerëzit shohin që Gjykata e Lartë merr një vendim ndaj një familje që ka lidhje të drejtpërdrejtë me familjen e Presidentit, ndërkohë që pronarët e ish-SHQUP janë në luftë për pronën e tyre… Këta pronarë dhe shumë pronarë shohin që e drejta nuk shkon në vend për ta…

"Prona për të cilën po bëjnë fjalë pronarët u është njohur dhe kthyer si pronë atyre që në vitin 1994, ku s’kam qenë asgjë. Në rastin e SHQUP nuk kemi të bëjmë me një pronë të regjistruar si pronë private, kishim të bënim me një pronë shtetërore të regjistruar në inventarin pronave publike dhe u bë kalimi nga një ent, që ishte Ministria e Mbrojtjes në emër të një enti tjetër që është partia e opozitës. Partitë politike janë asete publike. Kemi të bëjmë me raste krejt të ndryshme, por qëllimi i gjithë asaj tymnaje dhe spekulimi të papranueshëm dhe joetik, është i instrumentalizuar në vijim të një skenari politik që zgjat prej shumë kohësh për të denigruar institucionin e Presidenitt të Republikës që nuk meriton të besohet për parimet që pretendon se mbron dhe beson. Kam një karrierë timen në politikë, në jetën publike që e kam ndërtuar me kontributin tim, me punën time me arritje dhe dështime për të cilën askush prej politikanëve nuk mund t’i fshihet gjykimit të opinionit. Kjo është një betejë mes institucionit të Presidentit dhe dhunës institucionale ndaj Presidentit të Republikës, por nuk më cënon në detyrën time".

A jeni i sigurtë që ju si kryetar i shtetit, si president si kryetar i KLD nuk keni ushtruar në mënyrë direkte dhe indirekte ndikim te Gjykata e Lartë për këtë çështje?

"Mund të them shumë gjëra. Fakti që një çështje e tillë ka qendruar në gjykatë pa u shqyrtuar për 3 vjet tregon se sa e ka favorizuar presidenti këtë çështje".

Thoni që jeni njohur me këtë çështje, por ajo nuk është zbardhur ende vendimi…

"Jam njohur nga pronarët që ishin në gjyq. Jam njohur për çështjen".

Do ta kishit mbrojtur këtë çështje edhe në rast se do të bëhej fjalë për një familje që nuk do kishte lidhje me bashkëshorten tuaj?

"Nëse do kërkonte angazhimin e presidentit pa dyshim. Gjatë këtyre viteve kam patur mjaft ankesa nga qytetarë të ndryshme, të njerëzve që kanë mbetur pa të afërm dhe në mjerim të plotë, dhe jo vetëm unë, bashkëshortja ime gjithashtu".

Në janar të 2013 bashkëshortja e Edi Ramës, Linda Rama u akuzua për faktin se familjarë të saj kishin ndërtuar në një pronë të tyre, do e kishit mbështetur atëherë?

"Nuk dua të futem aspak të futem në çeshtje që trajtojnë persona publike, por kjo nuk ishte një cështje që varet nga Presidenti i Republikës dhe unë mbetem i pandryshuar në stilin tim të edukatës, besoj që etika dhe mirësjellja duhet të jenë të pacënueshme, të jenë model shembullor dhe të kristaltë ashtu sic duhet të jetë edhe mbrojtja e ligjit dhe goditja e paligjshmërisë".

Deklarata e të enjtes së kaluar meriton një shpjegim. Në kujtesën time nuk më rezulton që të ketë një deklaratë të tillë të një presidenti ndaj një kryeministri, në limitet e etikës, në limitet e korrektesës politike dhe funksionit tuaj kushtetues. Në bazë të përkufizimit kushtetues jeni simbol i unitetit të vendit. Rama, Basha, Meta, Berisha, këta përfaqësojnë vullnetin politik që u lejon që të marrin pozicione të caktuara edhe ato kritike ndaj presidentit, por presidenti duhet që të durojë dhe balancojë humoret e zotit Rama, lojërat e zotit Meta, gënjeshtrat e zotit Basha, apo kërcënimet e zotit Berisha. Deklarata juaj ishte e tensionit të lartë.

"Ka qenë një deklaratë që nuk ka pasur asnjë fjalë të vetme jashtë etikës. Ka qenë një deklaratë që dënonte dhunën e pandërprerë institucionale e vijueshme ndaj institucionit të presidentit që përfaqëson unitetin e popullit. Presidenti përfaqëson unitetin, jo se duhet të zgjidhet nga 100 përqind. Presidenti automatikisht përfaqëson unitetin që në momentin që zgjidhet. Askush për asnjë lloj emocioni nuk mundet të fyejë dhe denigrojë këtë institucion që është kreu i shtetit".

Deklaratat tuaja publike janë shqetësuese në politikë.

"Ka një sulm të pandërprerë politik që ditën e parë të kësaj qeverie, që s’ka ndodhur kurrë. Nuk bëj avokatin as të Berishës as të Topit, secili prej tyre ta bëjë vetë, por që terma dhe fyerje që janë përdorur nga presidentë ndaj kryeministrave nuk do të dëgjohen nga Bujar Nishani. Pse ky sulm i organizuar? Nuk ka pasur në historinë e pluralizmit shqiptar, sa herë që presidenti kthen një ligj në parlament, sa herë që presidenti çonte një dekret, askush nuk merrej me dekretin, argumentat por në mënyrë të organizuar me fyerjet ndaj presidentit, sa i shëmtuar dhe i bukur ishte presidenti, si ecte presidenti, në mënyrë të përsëritur, çdo dy muaj ndaj presidentit, familjes dhe fëmijëve të tij. Ai reagim ka qenë pas 30 min pas një telefonate të papranueshme mes Kryeministrit dhe Presidentit. Kisha dëgjuar që Kryeministri telefonon gjyqtarë dhe prokurorë, por nuk e kisha besuar dhe i kisha quajtur të ekzagjeruara, por jam tronditur nga tonet dhe fjalët e përdorura atë natë ndaj Presidentit, një fjalor i papranueshëm. Nuk mundesh as të ulërasësh, as t’i bërtasësh, as ta fyesh një president për arsye pse nuk dekretokam Visar Zhitin. Menjëherë pas kësaj deputeti i qeverisë doli në parlament me ato akuza. Unë do të përballem me dhunën institucionale që adresohet ndaj institucionit të presidentit dhe qytetarit të këtij vendi. Presidenti është aty të mos ketë frikë se mund ta heqin nga puna, gjobisin etj, etj".

Në atë telefonatë perceptuat kërcënimin që mund të shkarkoheni nga kjo mazhorancë? Cfarë ju shtyn ta bëni këtë publike pikërisht sonte?

"Ka qenë një telefonatë e papranueshme, e paimagjinueshme, e adresuar me tone dhe terma të papranueshme. Besoj që kjo është e qartë dhe e besueshme".

Sa zgjati biseda?

"Nuk ka rëndësi se sa ka zgjatur. Para ca ditësh është publikuar edhe në mediat dhe unë nuk e di se kush e ka nxjerrë?"

Cili është synimi i sulmit?

"Ka synim që ta bëjë institucionin e presidenitt një kukull pa identitet në varësinë e kryeministrit. Presidenti ka bashkëpunuar në mënyrë shumë luajale me qeverinë, që ditën e parë, do vazhdoj të bashkëpunoj në mënyrë të tillë. Nuk ka qenë çështje Zhiti, ka qenë cështje institucionale, jam aty si president për të mbrojtur interesin e shtetit. Cështja është se prej gati dy vjetësh është kthyer në shqetësim për marrëdhëniet institucionale. Ambasadori i Republikës së Shqipërisë nuk përfaqëson vetëm qeverinë. Nuk kam thënë që Visar Zhiti nuk ishte i denjë. I kam kërkuar kryeministrit në mënyrë të përsëritur që duhet të bashkëpunonim të diskutonim paraprakisht për kandidaturat që do të shkonin ambasadorë, dhe jo për arsye pazaresh. Qeveria duhet të punojë me njerëz dhe instrumentat. Konsultat i kam kërkuar për të shmangur problematikën që mund të lindnin me kandidatura të vecanta. Unë nuk e konceptoj propozimin e kryeministrit një copë letre, propozimi është që kryeministri i thotë presidentit që kemi këto kandidatura për këto vende, a mendoni që ky person me këto karakteristike do të rrisë përfaqësimin? Kjo diskutohet paraprakisht dhe nuk ka asgjë të keqe".

Rasti Zhiti nuk besoj se ka nevojë për konsultë?

"Tani megjithëse presidenti e ka kërkuar 5 herë të konsultohet, vazhdon të injorohet. Ndodhi një incident shumë i rëndë, një vend mik i ynë nuk e pranoi letrat kredenciale të presidentit, Emiratet e Bashkuara Arabe. Pas këtij incidenti i kam kërkuar në mënyrë të prerë dhe publike që duke vënë shtetin në situata të tilla, Presidentin në një pozicion të tillë, nuk do miratoj asnjë kandidaturë pa konsulta paraprake. Kërkesa u injorua dhe erdhën propozimet për katër ambasadorë të tjerë, mes të cilës edhe zoti Zhiti. Erdhi ambasadori në BE, në Maqedoni, Izrael dhe Vatikan. Unë nuk mund të mbajë standarde të dyfishta. Natyrisht e gjithë ajo që pasoi qendrimin e presidentit dëshmoi për fat të keq që ishte një kurth politik, një skenar i stisur politik për të vendosur presidentin në një raport me opinionin që gjykonte përmbajtjen e refleksionit tjetër, pa ditur dinamikën e ecurisë, komunikimit, bashkëpunimit. Ndaj edhe njëherë, aty Presidenti i Republikës është që mbi interesin e cdo individi, ndjenjat e cdo individi, të mbrojë interesin dhe dinjitetin e shtetit".

I keni refuzuar të katër këto emra?

"Kushtetuta ka paraparë të drejtën e presidentit për të dekretuar dhe të drejtën për të mos dhënë shpjegime sepse interesat shtetërore nuk janë për në pazarin publik dhe presidenti shikon, barazpeshon e vlerëson interesin e shtetit dhe kjo është arsyeja që i është dhënë e drejta presidentit që të mos e dekretojë dhe të mos japë shpjegime".

Ju thoni që nuk e keni të detyruar shpjegimin, po zotin Zhiti pse e thërritët dhe i dhatë?

"Zoti Zhiti kërkoi të takohej me mua, po ta dija që do të shfrytëzonte këtë për show mediatik, nuk do ta kisha pritur".

Është sugjeruar që presidenti të mos jetë më as komandant i forcave të armatosura dhe as kryetar i KLD-së…

"Duhet të respektojmë atë që kemi vendosur në ligj dhe kushtetutë. Kur s’janë përmbushur këto, atëherë për mua është e papranueshme. Parlamenti është sovrani dhe të ndryshojë Kushteutën, le ta ndryshojë, por jo të shkelë Kushtetutën me një ligj. Nëse parlamenti mendon që nuk i duhet fare presidenti, le ta bëjë, që i duhet një president kukull, le ta bëjë. /albeu.com/

Shtuar më 20/02/2015, ora 10:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori