Nishani: Prioritet, vizat dhe lufta kundër krimit
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani tha sot se lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë drejt zonës Shengen dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme janë ndër fushat prioritare për qeverinë shqiptare.

Ministri i Brendshëm foli gjatë punimeve të Forumit Ministerial BE-Ballkani Perendimor për Çështjet e Brendshme dhe Drejtësinë, organizuar nga presidenca polake e BE-së në Ohër, Maqedoni.

Gjatë fjalës së tij, Nishani renditi disa nga sukseseset dhe masat që qeveria shqiptare ka marrë në kuadër të informimit të qyetarëve shqiptarë lidhur me liberalizimin e vizave, si dhe ato kundër krimit të organizuar.

“Shqipëria vazhdon të arrijë sukses me programin e saj për reduktimin e prodhimit dhe trafikimit të drogave, për garantimin e një kontrolli efektiv dhe sigurimin e territorit të saj, ku gjatë vitit 2011, në drejtim të parandalimit dhe luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike, nga numri i rasteve të konstatuara ka rritje të fuqisë zbuluese me mbi 15 %, në raport me vitin 2010. Është punuar për përmirësimin e akteve ligjore e nënligjore dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër drogës. Sistemi TIMS dhe MEMEX janë shtrirë më tej duke përmirësuar ndjeshëm procesin e grumbullit dhe analizimit në kohë të të dhënave operative.”- tha ministri Nishani në fjalën e tij.

Ai tha se janë finalizuar me sukses 14 operacione ndërkombëtare me Italinë, me Zvicrën, me Gjermaninë, me SHBA, me Spanjën dhe me Slloveninë.

Procesi i liberalizimit te vizave nuk është përdorur nga shqiptaret si një mundësi për të “ikur” nga Shqipëria, por si një mundësi për te lëvizur pa viza sipas nevojës dhe preferencave, theksoi Nishani.

Kjo, tha më tej ministri, tregon punën e mirë të bërë deri tani nëpërmjet fushatave informuese si dhe seriozitetin e shtetasve shqiptarë për të mos i shpërdoruar mundësitë që ju ka ofruar ky proces.

Nishani theksoi se qeveria shqiptare së shpejti do të nisë një tjetër fushatë informuese lidhur me procesin e liberalizimit të vizave.
Shtuar më 03/10/2011, ora 19:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori