Pas Apple dhe Microsoft, Netflix pezullon shërbimet në Rusi

Netflix ka vendosur te pezulloje të gjitha shërbimet e tij në rusisht në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.

Lajmin e bëri të ditur vetë kompania përmes një deklarate, raporton Variety.

“Duke pasur parasysh rrethanat në terren, ne kemi vendosur të pezullojmë shërbimin tonë në Rusi ”, tha një zëdhënës për botimin.

Kujtojmë se Netflix ka më shumë se 1 milion klientë në Rusi dhe asnjë klient i ri nuk do të jetë në gjendje të regjistrohet, megjithëse është e paqartë se çfarë ndikimi mund të ketë kjo lëvizje në llogaritë ekzistuese, sipas Bloomberg.

Netflix kishte njoftuar tashmë se do të ndalonte përkohësisht projektet dhe blerjet e ardhshme nga Rusia, raportoi Variety, duke vënë në dukje se shërbimi i transmetimit kishte katër projekte origjinale ruse në punë.

Kompani të tjera që kanë pezulluar ose kufizuar operacionet ose shitjet në Rusi përfshijnë: Ikea , Apple, Microsoft, TikTok, Mastercard dhe Visa, Boeing, Nike dhe Volkswagen.


Shtuar 6.03.2022 23:03