Nishani: Për të arritur paqen duhet integrim dhe bashkëpunim
Presidenti Bujar Nishani mori pjesë sot paradite në Konferencën me temë “Rrugëtimet e Paqes, Integrimit dhe Bashkëpunimit” që u zhvillua në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” ku u prezantua mesazhi i Papa Françeskut për Ditën Botërore XLIX të Paqes 2016.

Në këtë konferencë ishin të pranishëm edhe Rektori Prof. Bruno Giardina, Presidenti i Fondacionit ZKM, Atë Daniele Bertoldi, Nunci Apostolik Sh.T. Ramiro Moliner Ingles, Presidenti i Këshillit Papnor të Baritores për Emigrantët dhe Rrugëtarët E.T. Kardinal Antonio Maria Veglio, trupa pedagogjike si dhe shumë studentë.

Në fjalën e tij, duke iu drejtuar të pranishmëve, Kreu i Shtetit shqiptar shprehu falenderimet dhe kënaqësinë e veçantë për ftesën e marrë për të qenë pjesë e kësaj aule, por edhe e të këtij evenimenti për të diskutuar rreth mesazheve të shenjta të Atit të Shenjtë në kontekstin e Ditës Botërore të Paqes, duke theksuar se mesazhet e Papa Françeskut shërbejnë për mundësimin dhe arritjen e paqes, mirëkuptimit dhe harmonisë së të gjithë njerëzimit pa asnjë dallim.

“Ne, shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri, por kudo e ruajmë ende me aq dashuri dhe krenari vizitën historike, domethënëse dhe të paharruar të Atit të Shenjtë, Papa Françeskut në Shqipëri. Pa dyshim në radhë të parë si një eveniment i prezencës së Atit të Shenjtë në "tokën e shqipeve" ashtu si dhe ai e cilësoi; për zgjedhjen e Shqipërisë jo vetëm si vendin e parë evropian, por si vendin nga i cili mesazhet e Papës i adresoheshin gjithë botës; si vendin që Ati i Shenjtë e zgjodhi për të promovuar parimet më të mira të njerëzimit që mbanin mesazhet e tij: parimet e dashurisë, dashurisë për njeri-tjetrin, të mirësisë, të kontributit ndaj së mirës nga gjithsecili pavarësisht statusit dhe pozicionit shoqëror që mund të ketë një individ dhe jetën që jeton, dhe parimet e respektit, të respektit të ndërsjellë dhe reciprok ndaj kujtdo, ndaj cilitdo pavarësisht se tjetri është ndryshe nga ty, përfaqëson një komb tjetër, një fe tjetër, racë tjetër.

Pra, dëshiroj që t’ju garantoj Eminenca Juaj Kardinal se këto mesazhe të Papa Françeskut në Shqipëri jo vetëm që i morëm dhe i kuptuam si mesazhe inkurajuese për Shqipërinë dhe shqiptarët, por dhe si një motiv që Shqipëria një komb dhe vend jo shumë i madh në kontekstin global mund të ofrojë përmes eksperiencave dhe traditave të tij më të mira për konsolidimin, promovimin dhe ruajtjen e këtyre parimeve të cilat përkojnë me përpjekjet shekullore të shqiptarëve që përmes këtyre parimeve t’i rezistonin padrejtësive, luftërave, tendencave për asimilim dhe të arrinin të ruajnë identitetin e tyre kombëtar”, nënvizoi Presidenti Nishani.

Duke shfrytëzuar këtë rast, Presidenti i Republikës shprehu: “në emrin personal, por dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë mirënjohjen dhe mikpritjen e madhe të këtyre mesazheve që Papa jep në kuadrin e Ditës Botërore të Paqes si mesazhe të cilat inkurajojnë jo vetëm mirëkuptimin, bashkëpunimin, integrimin, por mbi të gjitha parimin thelbësor që i bën ato reale; thjeshtësinë.

Filozofia e Papa Franceskut në përhapjen dhe ruajtjen e parimeve më të mira duke ruajtur thjeshtësinë e komunikimit, e të kuptuarit, e të ndërtimit të respektit, e ka thjeshtësuar jo vetëm kuptimin e mesazheve, por jep dhe mundësitë për të vepruar në mënyrën më të thjeshtë dhe efiçiente të mundshme në realizimin dhe jetësimin e këtyre parimeve për të ndërtuar më pas jetën tonë të përditshme në familje, në komunitet, në një shtet, në një rajon, në një kontinent apo në rang global. Prandaj, dëshiroj dhe ju lutem Eminecë t’i përcillni edhe një herë Shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut të gjithë dashurinë, respektin dhe mirënjohjen e popullit shqiptar dhe garancinë që këto parime do të jenë gjithmonë pjesë jo vetëm e identitetit kombëtar të shqiptarëve, por dhe i kontributit dhe angazhimit të tyre në çdo aspekt të jetës. Besoj që ajo çka po diskutohet këtu sot si parime thelbësore, bashkëpunimi, integrimi dhe paqja janë dimensione shumë të rëndësishme, por mbi të gjitha dimensione të cilat nuk mund të realizohen dhe nuk mund të ndërveprojnë të shkëputura nga njëra-tjetra.

Nuk besoj që mund të kemi një bashkëpunim pa pasur dhe pa realizuar integrimin, dhe pa pasur ekzistencën e kushteve të paqes. Nuk besoj që mund të realizojmë integrimin pa pasur bashkëpunimin dhe pa ekzistencën e paqes. Së fundi, nuk mund të garantojmë paqen pa pasur gjatë gjithë kohës këtë bashkëpunim dhe pa ecur përmes integrimit. Pra, të tria dimensionet, dimensione të pazëvendësueshme të jetës së përditshme të njerëzimit, dimensione të cilat pa ndërthurjen, pa prezencën dhe pa mbështetjen e njëra-tjetrës do të ishte e vështirë të ekzistonin në mënyrë të shkëputur dhe në mënyrë të veçantë.”

Duke iu referuar në veçanti mesazheve të Shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut I, Presidenti Nishani tha se: “Nëse do të shikojmë çështjet e bashkëpunimit, integrimit dhe paqes, ne shqiptarët kemi eksperiencat tona të vyera në kontekstin historik dhe real. Ne jetojmë në rajonin e Ballkanit i cili ka provuar mungesën e bashkëpunimit dhe për pasojë ka prodhuar urrejtje, ndasi, luftëra, deri dhe spastrime etnike dhe gjenocide.

Përkundrazi kemi provuar ekzistencën e bashkëpunimit i cili aktualisht është në momente për t’u vlerësuar dhe përshëndetur dhe kemi parë se ky bashkëpunim ka bërë të mundur të paktën çrrënjosjen e mosbesimit midis nesh; ka provuar që paqja është shumë herë më e nevojshme, e domosdoshme dhe më e mirë sesa urrejtja dhe luftërat; ka treguar se zhvillimi ofrohet për të gjithë në mënyrë të barabartë për të shkuar përpara.

Ne shqiptarët kemi qenë, mbetemi dhe do të jemi promovues të rëndësisë që ka dimensioni i bashkëpunimit si një e mirë e përbashkët, dhe një aset e cili nuk izolon dhe nuk shmang askënd, përkundrazi i përfshin të gjithë. Ne, shqiptarët si komb dhe si vend kemi përvojën tonë pa dyshim, edhe të integrimit. Kemi pasur për fatin e keq eksperienca shekullore të pushtimeve dhe ndarjes nga bota e zhvilluar dhe e civilizuar dhe për rrjedhojë kemi vuajtur pasojat e prapambetjes, të tendencës për të rrezikuar humbjen e identitetit tonë kombëtar dhe ka qenë një binom në këtë proces të pashkëputur Fe-Atdhe, të cilat kanë bërë të mundur ruajtjen e dimensioneve kryesore që i kanë shërbyer identitetit tonë kombëtar: gjuhës, kulturës e cila pavarësisht këtyre sfidave të mëdha dhe furtunave shekullore duke besuar fort tek atdheu dhe duke u mëkuar, inspiruar dhe duke u ndikuar nga feja, kemi arritur ta ruajmë me fanatizëm dhe ta përcjellim në ditët e mundësive të zhvillimit pikërisht identitetin tonë kombëtar dhe kulturor.

Ne shqiptarët kemi pasur për fatin e keq eksperienca të hidhura të mungesës së mundësisë për integrim gjatë izolimit të paimagjinueshëm të një diktature komuniste, e cila tentoi të shkatërronte dhe të bënte inekzistente jo vetëm besimin tek feja, por dhe vet konceptin e besimit; të bënte të pavlefshëm dhe mjaft të dobët konceptin e atdheut në raport me ideologjinë dhe natyrisht shqiptarët arritën të rezistonin duke ruajtur edhe fenë, edhe atdheun. Natyrisht kjo kërkoi martirë dhe siç u shpreh dhe Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri, martirë përmes të cilëve arritën të ruajnë ndjesinë dhe besimin në Zot, tek feja, tek e mira, tek rilindja, arritën të ruanin dhe të krijonin më pas mundësitë e zhvillimit më mirë të Atdheut.

Ne, shqiptarët kemi tashmë përvojën tjetër, të mundësisë për integrim. Sot Shqipëria dhe shqiptarët janë prezent në arenën e kontributeve evropiane dhe botërore si një vend anëtar i NATO-s me kontribute në shërbim të paqes dhe sigurisë në arenën evropiane si një vend i cili është ngulur fort në mënyrë të pakthyeshme dhe pa alternativë në procesin e integrimit evropian, një proces që jam i bindur që krahas vështirësive të shumta dhe sfidave që ka përpara, do të konkludojë mbi të gjitha me një mundësi të artë dhe të madhe të shqiptarëve dhe posaçërisht të brezit të sotëm të ri për të qenë jo vetëm konsumatorë të hapësirave dhe dimensioneve evropiane, por për të qenë dhe kontribues të këtyre dimensioneve.

Unë besoj fort në radhë të parë si qytetar i këtij vendi, si njeri i lindur dhe i rritur dhe që dëshiroj të mbetem tërë jetën time pjesë e këtij vendi, pa dyshim që përpiqem të kontribuoj edhe në pozicionin e lartë të Presidentit të Republikës që pata nderin të më besohet dhe fatin ta realizoj dhe ta ekzekutoj si pozicion dhe si institucion.”

Më tej Presidenti Nishani, duke folur për përvojat e hidhura dhe ato pozitive të shqiptarëve në kontekstin e mundësisë për integrim u shpreh: “Edhe në kuadër të sfidave që njerëzimi vazhdimisht në të shkuarën, por edhe në të tashmen po ndeshet me fonemene të tilla si migrimi dhe largimet masive, që besoj mund të kurohen dhe duhet të kurohen vetëm me një qasje dhe angazhim të përbashkët. Mund të kurohen duke vendosur vëmendjen dhe angazhimet tek burimet e këtyre fenomeneve. Edhe në këtë dimension ne shqiptarët kemi përvojat tona. Shqiptarët vetë në Shqipëri kanë pjesë e migrimeve masive. Gjithkush prej nesh i ka ende të freskëta në kujtesën dhe vizionin e tij largimet masive të shqiptarëve në fillim vitet ’90-të. Gjej rastin edhe njëherë të evokoj mirënjohjen e madhe që shqiptarët kanë dhe do të kenë përjetësisht ndaj mikpritjes dhe hapjes së dyerve që iu bënë qytetarët e vendeve të tjera evropiane në Itali, Greqi, Gjermani dhe në vende të tjera ku i pritën shqiptarët, të cilët shkonin atje për shkak të një situate të paimagjinueshme të një varfërie ekstreme dhe të një dhune diktatoriale nga e cila kishin dalë si shoqëri që kishte shkatërruar çdo gjë.

Kishte shkatërruar pronën, institucionet, shtetin, dhe kishte arritur deri në një masë të madhe të shkatërronte vetë njeriun.

Po ashtu shqiptarët patën edhe një përvojë tjetër, në kontrovers të asaj që ne provuam në fillim të viteve ’90-të: Gjatë kohës së masakrave, luftës barbare të makinerisë së Millosheviçit në Kosovë kur qindra, mijëra, miliona shqiptarë të Kosovës u detyruan të largohen nga toka e tyre dhe të vendosen pjesa më e madhe në Shqipëri, një pjesë e tyre në Maqedoni dhe një pjesë e tyre në vende të tjera. Dhe menjëherë kur kura vajti tek burimi i këtij fenomeni dhe u krijuan hapësirat e mundshme për të jetuar të lirë, për të krijuar mundësitë e një jete, individi, familja, shoqëria, komuniteti, me forcën e Zotit në shpirt dhe orientimin e qartë të mendjes, shqiptarët e Kosovës, ashtu siç u larguan në mënyrë masive, u kthyen menjëherë në mënyrë masive në tokat dhe në vatrat e tyre. Fenomenet aktuale kanë arsyet e tyre dhe të cilat sjellin padyshim sfida. Në radhë të parë sfida për trajtimin humanitar, por edhe sfida të tjera që mbartin brenda tyre fenomene që shfrytëzohen. Ato shfrytëzohen në kontekstin kriminal. Mund të shfrytëzohen në aspektin dhe kontekstin terrorist. Prandaj besoj që zgjidhjet jo vetëm që vijnë në mënyrë të përbashkët, por zgjidhjet vijnë duke menduar në mënyrë integruese. Nuk besoj tek zgjidhjet që vijnë përmes ngritjes së mureve. Besoj padyshim tek zgjidhjet që vijnë përmes ofrimit të ndihmës humanitare dhe njerëzore në fazën e parë, dhe zgjidhjet që vijnë në mënyrë afatmesme dhe afatgjatë përmes trajtimit dhe kurimit të të gjitha problematikave që e sjellin këtë fenomen në burimet nga të cilat vjen ky fenomen.

Dhe unë besoj plotësisht tek dimensioni njerëzor i Evropës. I Evropës së sotme e cila është promotor i vlerave të lirisë, të integrimit dhe të demokracisë. Ashtu siç besoj tek fuqia dhe potencialet ekonomike dhe jo vetëm të Evropës për ta adresuar dhe zgjidhur këtë problem tek burimi i tij”.

Duke folur për dimensionin e paqes, Kreu i Shtetit shqiptar vuri në dukje: “Ne shqiptarët kemi përvojat tona edhe për sa i takon paqes, përvoja të hidhura, por edhe pozitive. Shpeshherë jam munduar që ta shfrytëzoj pozicionin e lartë që mbaj për ta hapur mesazhin që të mos humbasim më kohë për të qarë apo për të mbetur të trishtuar për kohën tonë të hidhur për sa i takon dimensionit të paqes, por për të parë gjithmonë përpara dhe për t’i shërbyer me sa më shumë mundësi që kemi këtij dimensioni që është paqja. Jetojmë në një rajon që e ka njohur mungesën e paqes dhe pasojat e tmerrshme të mungesës së paqes. Por gjithashtu po në këtë rajon shikojmë se sa mundësi të mëdha shtjellon sot ekzistenca e paqes për të na orientuar drejt zhvillimit dhe njëkohësisht për t’i përkushtuar dhe konsumuar energjitë dhe kapacitetet intelektuale të çdokujt në interes të zhvillimit, të prosperitetit dhe duke mos harruar asnjëherë për të qenë të motivuar dhe të frymëzuar drejt besimit. Por ne shqiptarët kemi edhe përvojat dhe gatishmërinë e madhe që kemi kontribuar në interes të paqes dhe ndaj sfidave të mëdha globale, jo vetëm rajonale. Terrorizmi sot në botë përbën një rrezik eminent dhe serioz. Terrorizmi ka treguar që nuk njeh kufij. Terrorizmi ka treguar që nuk përfaqëson thjesht dhe vetëm një ideologji. Terrorizmi gjithmonë e më shumë po diskreditohet, sepse nuk përfaqëson një fe të caktuar apo parimet e besimit fetar, por çdo ditë e më shumë që diskreditohet në këtë aspekt, po ashtu gjithnjë e më shumë bëhet i rrezikshëm për këdo dhe për gjithsecilin. Për çdo vend, për çdo komb, për çdo individ, për çdo shoqëri dhe mbi të gjitha, përbën rrezikun më të madh kundër botës së civilizuar, e cila është arritur dhe ndërtuar me kaq shumë mund, sakrifica, luftëra dhe për të cilën duhet që të gjithë, pavarësisht dimensionit që kemi si shtet apo si vend.

Ne shqiptarët jemi krenarë dhe duhet të jemi krenarë që kemi qenë në pararojë të koalicioneve anti-terror në rang global. Ne shqiptarët kemi ofruar ate kontribut në rang global që s’e ka ofruar asnjë vend tjetër i rajonit tonë. Ne shqiptarët kemi kontribuar me gjithë dimensionin tonë për paqen në luftën kundër terrorit në Irak. Ne shqiptarët kemi ofruar kontributin tonë në të gjithë dimensionin e mundur kundër terrorit dhe barbarisë në Afganistan. Ne, shqiptarët kemi dëshmorët tanë në Afganistan. Dëshmorët në kuadër të luftës dhe koalicionit për paqe, për liri dhe për mbrojtjen e civilizimit. Ne, shqiptarët jemi në pararojë të koalicionit global kundër ISIS-it duke ofruar atë që nuk e ka ofruar ende asnjë vend tjetër i rajonit: bashkëpunimin në mënyrë konkrete në koalicionin e madh anti-terror, anti-ISIS. Pra ne kemi të gjitha këto përvoja, sa të hidhura të së shkuarës sonë jo pozitive, aq edhe këto përvoja frymëzuese dhe që na bëjnë krenarë. Na bëjnë krenarë jo vetëm për t’i nënvizuar gjithmonë dhe duhet t’i nënvizojnë veçanërisht në përhapjen e mesazheve për brezin e ri. Dhe unë jam shumë i lumtur sot që jam në një mjedis të tillë ku dominon rinia. Në një mjedis që përhap dije. Në një mjedis që kultivon kulturë dhe edukim. Në një mjedis që ofron arsimim. Përmes të cilëve mund të bëhet vetëm mirëkuptimi dhe natyrisht mirëkuptimi dhe ky arsimim do të na çojnë drejt integrimeve reale. Duke ruajtur padyshim identitetet tona.

Identitetin tonë kombëtar. Identitetin tonë kulturor. Ne duhet të jemi krenarë si shqiptarë që jemi kombi i Gjergj Kastriot Skënderbeut, këtij kontribuesi të madh të lirisë në dimension evropian. Ne, shqiptarët duhet të jemi krenarë që jemi kombi i Nënë Terezës, e cila siç e thoshte edhe vetë, i përkiste për nga gjaku dhe origjina. Ne, shqiptarët, mbi të gjitha sot duhet të jemi të lumtur që kemi mundësinë për t’i shërbyer vetes, vendit, por edhe të tjerëve, miqve, partnerëve, bashkëpunëtorëve në dimensionin e paqes, në dimensionin e lirisë, në dimensionin e mirëkuptimit.

Ndërsa teksa vuri theksin mbi përvojën e vyer dhe shembullin shqiptar, Presidenti Nishani e përfundoi fjalën e tij duke nënvizuar se: “Realitetet shqiptare janë të tilla që na kanë ofruar mundësinë e bashkëjetesës midis komuniteteve të ndryshme fetare, të cilat gjej rastin sot edhe njëherë, në mënyrë të përsëritur, t’u shpreh mirënjohjen e thellë për një kontribut të jashtëzakonshëm që bëjnë për promovimin e vlerave më të mira duke mos harruar asnjëherë që të gjithë besojmë në një Zot, por i falemi Atij në mënyra dhe në rrugë të ndryshme. Dhe mbi të gjitha duke promovuar atë që librat e shenjtë të secilës prej feve paraqiten në interes të vlerave, të mirësisë, të familjes, të nderit, por këtë kurrë dhe asnjëherë të mos e marrim të garantuar në mënyrë të përjetshme.

Nëse ne vetë nuk mendojmë, nuk punojmë dhe nuk kontribuojmë për ta ruajtur, për ta farkëtuar dhe për ta promovuar më shumë si një vlerë të pazëvendësueshme dhe thelbësore përballë problemeve të mëdha të jetës që ka njeriu, që ka familja, herë-herë i ka edhe një vend apo një komb, nuk mund të zgjidhen pa i pasur këto parimet tonat dhe pa i promovuar dhe pa i respektuar to, edhe tek të tjerët. Nuk do ta kishim dhe nuk mund ta kemi këtë bashkëjetesë dhe harmoni fetare pa elementin thelbësor të respektit. Unë jam i bindur që tek respekti nis dhe ngrihet mirëkuptimi. Tek respekti nis dhe ngrihet bashkëjetesa. Tek respekti nis dhe konsolidohet harmonia, prandaj edhe njëherë të përfitoj nga rasti i këtij takimi dhe kjo mundësi që m’u dha jo vetëm për të shprehur të gjithë mirënjohjen e thellë dhe përuljen me respekt ndaj këtyre mesazheve të jashtëzakonshme që Ati i Shenjtë, Papa Françesku, por njëkohësisht të shpreh të gjithë vlerësimin tim personal ndaj të gjithë atyre që punojnë çdo ditë, angazhohen çdo ditë dhe ofrohen çdo ditë me mundësitë dhe kapacitetet e tyre, në pozicionet e tyre që këto mesazhe dhe vlerat e parimeve që mbartin këto mesazhe t’i përkthejnë në mundësi komunikimi, t’i përkthejnë në mundësi për t’i kuptuar dimensionet e tyre dhe natyrisht për t’i jetësuar më pas në akte dhe në gjeste që siç thotë Ati i Shenjtë, Papa Françesku: – konkrete, – për të hapur mundësi dhe për të realizuar integrimin tek njëri-tjetri si një bazë dhe themel dhe garanci kryesore të paqes, pa të cilën secili prej nesh, çdo vend, çdo komb dhe në tërësi, gjithë bota do të ishte e rrezikuar". /albeu.com/
Shtuar më 22/01/2016, ora 17:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori