Nishani ngushëllon familjarët e këngëtarit Tonin Tërshana
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik u shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve të këngëtarit të shquar, Tonin Tërshana, i cili ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë në moshën 66-vjeçare.

“Të dashur familjarë të të ndjerit Tonin,

Në këto çaste dhimbjeje të thellë për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë, dëshiroj t’ju gjendem shpirtërisht pranë, duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta!

Me ikjen e tij të parakohshme nga jeta, ju humbët njeriun tuaj më të dashur e më të pazëvendësueshëm, ndërsa ne dhe të gjithë artdashësit humbëm një nga këngëtarët më të talentuar e të përkushtuar, i cili me mjeshtëri e profesionalizëm të rrallë ka lënë mbresa të pashlyeshme në kujtesën tonë.

Me interpretimet e tij virtuoze, Tonin Tërshana do të kujtohet ngaherë një zë kumbues dhe i spikatur ndër dekada në festivalet e përvitshme të Radio-Televizionit dhe skenat anembanë Shqipërisë.

Edhe një herë në këto çaste të vështira, më lejoni të ndaj me ju dhimbjen e rëndë njerëzore, duke ju shprehur edhe një herë ngushëllimet e mia më të sinqerta personale dhe institucionale njëkohësisht!”, thuhet në mesazhin e Presidentit Nishani.

Artisti i shquar i cili vuante nga një sëmundje e rëndë, mbylli sytë përgjithmonë në spitalin “Nënë Tereza”. Tërshana ka marrë pjesë në mbi 20 festivale të RTSH-së, duke fituar 4 çmime të para. Tonin Tërshanta është nderuar nga ish-presidenti i Republikës Bamir Topi me çmimin “Mjeshtër i Madh”. /albeu.com/






Shtuar më 23/09/2015, ora 10:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori