Nishani: Në krah të Francës në angazhimin global të luftës ndaj terrorit
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, zhvilloi sot në mesditë homazhe në Ambasadën e Republikës Franceze në Tiranë, ku u prit nga Ambasadori Bernard Fitoussi, i cili i shprehu mirënjohjen edhe në emër të popullit francez, duke e konsideruar këtë vizitë si demonstrim dhe simbol i solidaritetit të veçantë të popullit shqiptar, të një aleati dhe miku të vërtetë.

Kreu i Shtetit shqiptar pasi vendosi një buqetë me lule dhe nënshkroi Librin e Ngushëllimeve të hapur me këtë rast tragjik në Ambasadën franceze në homazh të viktimave të pafajshme të 13 nëntorit në Paris, u shpreh: “Në emrin tim personal dhe në emrin e shtetit shqiptar, në emrin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, u përcolla ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave të sulmit terrorist dhe barbar të Parisit.

I përcolla solidaritetin më të madh popullit francez dhe Francës mike. Konfirmova gjithashtu në emër të Shqipërisë dhe popullit shqiptar që do të mbetemi në krah të Francës, të popullit francez, të gjithë aleatëve tanë perëndimorë në angazhimin e madh global të luftës pa tolerancë ndaj terrorit, dhunës dhe ekstremizmit.

Sulmi në Paris nuk ishte një sulm drejtuar vetëm kundër francezëve, nuk ishte një sulm i drejtuar vetëm ndaj Francës. Ishte një sulm, një agresion barbar ndaj gjithë botës së civilizuar, ndaj lirisë së të gjithë popujve të botës, prandaj solidariteti jo vetëm që është i domosdoshëm, por edhe konfirmon angazhimin e përbashkët në fitoren përfundimtare mbi këtë të keqe të madhe të përbotshme”.

I pyetur nga përfaqësuesit e pranishëm të mediave lidhur me rreziqet e mundshme apo qasjet e radikalëve në vendin tonë, Presidenti Nishani theksoi: “Rreziku i ekstremistëve dhe terroristëve nuk përjashton asnjë popull të lirë, asnjë shoqëri demokratike dhe asnjë vend që përçon civilizimin, përparimin, tolerancën dhe bashkëjetesën.

Prandaj, në këtë kontekst edhe Shqipëria si një vend që promovon këto vlera të mëdha të njerëzimit dhe të botës, të cilat konvergojnë të gjitha tek liria, nuk mund të përjashtohet nga agresioni i mundshëm i grupeve terroriste. Por kam konstatuar dhe kam vlerësuar të gjitha masat e marra nga agjencitë ligjzbatuese të shtetit shqiptar, të cilat janë plotësisht të angazhuara me kapacitete profesionale në partneritet të ngushtë me aleatët tanë, përfshirë edhe Francën për ta përballuar me shumë sukses. Kjo është një betejë shumë e madhe. Është një betejë globale dhe Shqipëria ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj të rëndësishëm në fitoren përfundimtare, siç e kam shprehur edhe më parë të lirisë mbi dhunën dhe të civilizimit mbi terrorin”.

Ndërsa në përgjigje të pyetjes nëse e sheh të arsyeshme për të thirrur Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të rakorduar të gjitha këto qëndrime, sepse edhe në Progres-Raportin e fundit thuhej dhe kërkohej nga Brukseli më shumë angazhim, më shumë koordinim mes institucioneve ligjzbatuese, veçanërisht mes shërbimeve të inteligjencës që sipas Progres-Raportit kanë pak koordinim mes tyre dhe duhet të ndërveprojnë më shumë, Presidenti Nishani u përgjigj: “Edhe njëherë dëshiroj të garantoj të gjithë qytetarët shqiptarë se për sa u përket çështjeve të sigurisë dhe stabilitetit të vendit, të gjitha institucionet janë shumë mirë të koordinuara.

Madje ka pasur një realitet, i cili ka konvertuar me rezultate konkrete të bashkëpunimit të të gjitha këtyre institucioneve dhe agjencive. Çështja e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë pjesë e diskutimit dhe e koordinimit mes institucioneve dhe do të realizohet në momentet më të përshtatshme të interesit të vendit”. /albeu.com/
Shtuar më 18/11/2015, ora 17:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori