Nishani mesazh Napolitanos për dorëheqjen
Presidenti Nishani vlerëson kontributin e Presidentit Napolitano në krye të Republikës italiane. Presidenti Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh Presidentit Xhorxho Napolitano, ku vlerëson maksimalisht bashkëpunimin me të dhe kontributin e tij gjatë kohës që ishte në krye të Republikës italiane.

“I nderuar Shkëlqesi President,

I dashur Xhorxho,
Pas lajmit të dorëheqjes tuaj nga detyra e Presidentit të Republikës italiane, të cilin jam i bindur se e keni marrë jo pa vështirësi, por me ndjenjën e përgjegjësisë më të lartë shtetërore, dëshiroj t’ju përcjell vlerësimin dhe kënaqësinë maksimale që pata në bashkëpunimin me ju, gjatë kohës në detyrë.

Ju garantoj se do të mbeteni gjatë e pashlyeshëm jo vetëm në historinë politike të vendit e popullit tuaj si një personalitet peshërëndë e shkëlqimplotë, me kontribut dhe ndikim të madh në politikë, në përballimin e kohëve të vështira e sfidave reale për Italinë, por edhe për shtetin e popullin shqiptar, fqinjët e partnerët tuaj strategjikë.

I kam ende të gjalla mbresat e vizitës tuaj shumë të suksesshme në Shqipëri, që zhvilluat në mars të vitit të kaluar, dhe mesazhet kuptimplota e inkurajuese në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, dhe veçanërisht premtimin se së bashku do të fitojmë kauzën për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Me këtë rast, dëshiroj edhe një herë t’ju përcjell vlerësimin maksimal për mbështetjen që ju dhe vendi juaj i keni dhënë Shqipërisë e popullit shqiptar gjatë kësaj kohe, për realizimin e reformave demokratike, për avokaturën e zëshme për integrimin euro-atlantik dhe evropian të Shqipërisë, si dhe për pritjen bujare e dinjitoze të emigrantëve e studentëve shqiptarë në Itali.

Duke ju uruar shëndet të plotë dhe çdo të mirë në jetën tuaj private, më lejoni i dashur mik, t’ju përcjell sigurimet e konsideratës sime më të lartë”, thuhet në mesazhin në fjalë të presidentit Nishani. /albeu.com/

Shtuar më 14/01/2015, ora 12:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori