Nishani- Jagland: Vlerësohen reformat
Gjatë qëndrimit të tij në Strasburg, Presidenti Nishani zhvilloi një takim edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, zotin Thorbjørn Jagland.



Presidenti Nishani gjatë takimit u shpreh se partneriteti dhe bashkëpunimi me Këshillin e Evropës është një faktor kyç për suksesin e Shqipërisë në rrugën e reformave dhe integrimin evropian.

Duke theksuar rëndësinë e madhe që ka Këshilli i Evropës në forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Presidenti Nishani falenderoi zotin Jagland, pёr kontributin e tij personal nё procesin reformues të Këshillit të Evropës.
Presidenti i Republikës e garantoi zotin Jagland për angazhimin e Kryesisë shqiptare për të kontribuar gjatë mandatit të saj për arritjen e objektivave dhe prioriteteve themelore të Këshillit të Europës.

Duke sjellë si shembull harmoninë fetare që ekziston në Shqipëri dhe sakrificat sublime të shqiptarëve, për të shpëtuar njerëzit e rrezikuar gjatë Holokaustit në Luftën e Dytë Botërore, Presidenti Nishani u shpreh se Shqipëria ka çfarë të ofrojë në realitetin multikulturor evropian, ndaj dhe motoja e Presidencës së saj në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës, është “Të bashkuar në diversitet”.


Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës vlerësoi me nota shumë pozitive ecurinë e reformave gjatë Presidencës shqiptare të Këshillit të Evropës dhe u shpreh se kjo është shprehje e maturisë së institucioneve shqiptare.

Sekretari i Përgjithshëm Jagland shprehu bindjen se Konferenca e Nivelit të Lartë që do të zhvillohet në Shqipëri në datat 8-9 nëntor 2012 do të jetë kurorëzim i Presidencës shqiptare dhe se Shqipëria do të japë kontributin e saj edhe ndaj presidencës së radhës. /albeu.com/

Shtuar më 04/10/2012, ora 13:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori