Nishani i dërgon mesazh ngushëllimi presidentit francez
Presidenti Bujar Nishani, i ka dërguar sot një mesazh ngushëllimi Presidentit të Francës, François Hollande, për viktimat dhe të plagosurit nga atentati terrorist në zyrat e revistës satirike “Charlie Hebdo”, në Paris.

“I nderuar zoti President,
Jam tërësisht i shokuar nga atentati i sotëm terrorist në zyrat e revistës “Charlie Hebdo” në Paris, ku humbën jetën një numër i konsiderueshëm gazetarësh dhe oficerësh të policisë, si dhe u plagosën shumë të tjerë.

Me ndjenjë të thellë trishtimi, u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta e të ndjera familjarëve të viktimave, popullit francez, juve dhe Qeverisë suaj.

Ju siguroj se në këto momente të vështira, unë dhe populli shqiptar jemi pranë familjarëve të viktimave dhe popullit francez, si dhe urojmë shërim sa më të shpejtë për personat e plagosur.

Ky akt barbar e i patolerueshëm terrorist ndaj shtypit e fjalës së lirë, na bën edhe më të ndërgjegjshëm e më solidarë për intensifikimin e luftës sonë të përbashkët kundër terrorizmit.

Ju lutem pranoni edhe njëherë, i nderuar zoti President, ngushëllimet e mia më të sinqerta”, përfundon mesazhi i Presidentit të Republikës. /albeu.com/
Shtuar më 07/01/2015, ora 15:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori