Nishani: Harmonia fetare, shembulli i paqes (FOTO LAJM)

Presidenti Bujar Nishani përshëndeti sot paradite Konferencën Ndërkombëtare: “Islami dhe paqja botërore”, në të cilën ishin të pranishëm drejtues të bashkësive fetare në Shqipëri, klerikë, Ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, akademikë, studiues, etj.

Fjala e plotë përshëndetëse e Presidentit të Republikës:
“I nderuari Kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar, zoti Bruçaj,
I nderuar Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi,
Shkëlqesi Ambasadorë, zoti Lu dhe zonja Vlahutin,
I nderuari Prof. Esposito,
Përfaqësues të komuniteteve fetare në Shqipëri, klerikë,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj!

Është një kënaqësi e veçantë për mua që në cilësinë e Presidentit të Republikës t’i drejtohem kësaj audience të shquar për një temë kaq të rëndësishme sa ç’është islami dhe paqja botërore. Ne shqiptarët jemi krenarë për faktin se jetojmë në një shoqëri shumë fetare me shumicë myslimane, ku anëtarët e të gjitha besimeve bashkëjetojnë prej shekujsh në paqe, harmoni dhe respekt të ndërsjelltë. Kur flitet për traditën dhe pse jo, për profilin e veçantë që ka Islami shqiptar, duhet të kihet parasysh se Islami në Shqipëri është feja e një kombi evropian. Në kohën që shqiptarët e morën Islamin, ata tanimë, si evropianë që ishin, kishin nisur të ushqeheshin me vlera nga Rilindja Evropiane, ato vlera që i njohim të gjithë, të humanizmit dhe të laicizmit.

Të ndriçuar me këto vlera, shqiptarët kishin prirjen që të ishin të ndjeshëm, veçanërisht ndaj asaj që ishte tolerante dhe humaniste tek Islami, te Kurani, ta përqafonin atë me entuziazëm dhe ta kultivonin si vlerë në Shqipëri.

Në rastin e Shqipërisë, të tre besimet janë të lidhura me kombin, me vetë ekzistencën e tij. Modeli shqiptar i tolerancës, bashkëjetesës dhe harmonisë fetare është gjithashtu një kolonë solide në ndërtesën e vetë shtetit shqiptar. Drejtuesit më të lartë dhe të të gjitha niveleve të institucioneve dhe administratës shqiptare tradicionalisht kanë ardhur, pa paragjykim, nga të gjitha besimet, duke ruajtur me kujdes dhe urtësi ekuilibrat e shoqërisë sonë. Ne festojnë së bashku festat fetare dhe gëzimet, ndërsa kalojmë pranë njëri-tjetrit hidhërimet në jetë. Shoqëria dhe shteti shqiptar, ky i fundit edhe pse laik, kanë qenë të vëmendshëm që politika të jetë gjithmonë dhe qartësisht e ndarë nga feja, që ajo të mos përdoret për qëllime politike. Ata kanë treguar kujdes që të edukojnë veçanërisht të rinjtë për të respektuar kufijtë dhe lirinë fetare të tjetrit, që njerëzit të kenë perceptime të drejta për fetë e ndryshme, të mësojnë se të gjithë njerëzit kanë të drejtë që të promovojnë dashamirësi dhe veprime të drejta respekti ndaj fesë tjetër, se fetë janë pjesë e traditës dhe pasurisë sonë kombëtare.

Shqiptarët nuk ranë në grackën e “ngjyrimeve fetare” të tragjedisë së fundit, gjatë viteve 1990-të në Ballkan. Konfliktet e dhunshme që shoqëruan shpërbërjen jokonsensuale të ish-Jugosllavisë ishin pasojë e politikës shoviniste serbe dhe e ndërthurjes së interesave të vjetra në rajon. Motivet fetare ishin përpjekje për të mbuluar karakterin hegjemonist të një lufte për territore etnikisht të pastra, të shoqëruar me spastrime të tmerrshme etnike. Ato shërbyen gjithashtu për të mobilizuar fanatikët, pra, për t`u hedhur benzinë flakëve të luftës.

Megjithatë ne kurrë nuk e morëm këtë realitet që gëzojmë si të mirëqenë, por kemi qëndruar të vëmendshëm ndaj rreziqeve që e kërcënojnë. Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare e ka formuluar këtë ndjeshmëri duke u shprehur: “Harmonia fetare, sa ç’është madhështore si ngrehinë, aq është edhe e brishtë. Neve nuk na lejohet asnjë sjellje e papërgjegjshme, asnjë harresë, asnjë pakujdesi, në mirëmbajtjen e kësaj ngrehine”.

Në librin e shenjtë të fesë islame, Islam do të thotë Paqe. Por paqja si realitet duket se mbetet kurdoherë e rrezikuar. Paqja botërore sot kërcënohet seriozisht edhe nga disa individë apo organizata terroriste dhe ekstremiste, të cilët duke shpërdoruar emrin e Zotit dhe fenë, përpiqen të imponohen dhunshëm e në mënyrë barbare ndaj të tjerëve.

Veprimtaria çnjerëzore e të ashtuquajturit Kalifat të Irakut dhe Sirisë ka shkaktuar më tepër viktima të fesë myslimane se sa të feve të tjera. Kjo tregon dhe vërteton katërcipërisht se nuk kemi të bëjmë me një përplasje qytetërimesh, por me një luftë të pandershme dhe pa kushte për pushtet dhe mbizotërim, me një skllavëri moderne fizike, politike, shoqërore dhe mendore. Përballja me të sot është një sfidë e vërtetë për të gjithë njerëzimin dhe ka nevojë për angazhimin e të gjithëve për ta luftuar këtë të keqe të përbashkët.

Por veçanërisht udhëheqësit shpirtërorë kanë një detyrë sa të vështirë, aq edhe vendimtare në këtë drejtim, por jo të pamundur. Të këshillojnë, edukojnë dhe të ndriçojnë mendjet e atyre individëve, të cilët për arsye nga më të ndryshmet: politike, fetare, shoqërore, nga varfëria apo mungesa e shkollimit, joshen drejt premtimeve boshe materiale dhe të parealizueshme duke mbushur radhët e luftëtarëve mercenarë në një luftë pa kurrfarë kauze fetare apo politike.

Shqipëria është një vend i vogël dhe në ndeshje me shumë sfida, një vend që ka për të mësuar shumë nga Evropa dhe bota e qytetëruar. Por në realitetin e tanishëm, Islami në Shqipëri përbën një model të suksesshëm që është pikërisht ai që bota kërkon të ndërtojë sot në marrëdhëniet me popullsinë e madhe myslimane. Tani në Shqipëri harmonia është e ndarë në respekt, në zhvillim dhe në dinamikë. Ajo është një vlerë e përbashkët e të krishterëve dhe myslimanëve shqiptarë, si qytetarë evropianë.

Harmonia, mirëkuptimi dhe respekti për tjetrin janë pjesë e identitetit shqiptar, por edhe pjesë e trashëgimisë së virtyteve më të mira të një shoqërie në të cilën nga pikëpamja e besimit fetar, shumicën e përbëjnë besimtarët myslimanë.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri gjatë periudhës 1930-1933, Herman Bernstein shkruante në raportimet e tij për Washingtonin se: “Nuk ka asnjë gjurmë diskriminimi ndaj hebrenjve në Shqipëri, sepse ajo tokë është njëra prej atyre vendeve të rralla në Evropën e sotme ku paragjykimi dhe urrejtja fetare nuk ekziston, edhe pse vetë shqiptarët u përkasin tre feve.”

Koha nuk vonoi të provonte konstatimin e saktë të këtij diplomati amerikan, i cili vetë ishte me origjinë hebreje. Gjatë periudhës së errët të Holokaustit, Shqipëria jo vetëm ruajti dhe shpëtoi të gjithë hebrenjtë që jetonin në territorin e saj, por shërbeu edhe si vend tranzit e strehimi për të gjithë hebrenjtë që largoheshin nga vende të tjera për t`i shpëtuar gijotinës së Holokaustit. Shqiptarët nuk dorëzuan asnjë hebre brenda territorit të Shqipërisë. Pas kapitullimit të Musolinit në Luftën e Dytë Botërore, në vitin 1943, shqiptarët strehuan deri në fund të luftës të gjithë ushtarët italianë, dikur pjesëtarë të një ushtrie pushtuese, të cilët trokitën në dyert e familjeve shqiptare për t`i shpëtuar persekutimit nazist.

Kjo sjellje standarde e ka bazën te kodi shqiptar i nderit “Besa”, pjesë gjenetike e kulturës dhe sjelljes shqiptare, e trashëguar brez pas brezi ndër shekuj. Besa do të thotë “të mbash premtimin” dhe “fjalën e nderit”. Në praktikë do të thotë të kujdesesh për dikë në hall, ose në nevojë, t`i ofrosh atij mikpritje dhe ndihmë. Modeli shqiptar i bashkëjetesës fetare dhe i pranimit të tjetrit ndryshe na frymëzon në vizionin tonë për një botë të paqtë, ku racat, fetë, kulturat, të gjithë njerëzit, bashkëjetojnë në harmoni. Në këtë frymë, unë i uroj edhe kësaj Konference punë të mbarë dhe të gjithë atyre që kanë bërë të mundur realizimin e saj, suksese në misionin e tyre historik, me bindjen se të gjithë bashkë mund të sjellim ndryshimin! Ju faleminderit!", ka thene ai. /albeu.com/
Shtuar më 20/03/2015, ora 12:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori