Nishani: Domosdoshmëri standartet evropiane
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti në një takim Komisionerin për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, z. Johannes Hahn.

Presidenti Nishani i uroi mirëseardhjen z. Hahn gjatë vizitës së tij të parë në Tiranë si Komisioner, duke shprehur bindjen në suksesin e mandatit të tij si për misionin që ai dhe Komisioni Evropian kanë parashtruar me fillimin e punës, ashtu edhe në dobi të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

Pasi e njohu Komisionerin Hahn rreth mënyrës realiste se si perceptohet në Shqipëri procesi i integrimit, si dhe mbi mbështetjen e gjerë e solide që ai gëzon tek shoqëria shqiptare, Kreu i Shtetit theksoi domosdoshmërinë e përmbushjes së standardeve evropiane, si një detyrim në radhë të parë e mbi të gjitha ndaj qytetarëve shqiptarë, e jo duke i konsideruar ato një formalitet evropian.

Presidenti Nishani vuri në dukje se kryefjala e këtij procesi mbetet reforma e gjithanshme dhe e mbështetur në vullnet të fortë e të palëkundur politik për zbatimin e saj në frymën evropiane. Presidenti u ndal më gjerësisht tek reforma në fushën e drejtësisë, që përbën një prej pesë prioriteteve kyçe nga suksesi e të cilave ndërvaret dhe hapja e negociatave të anëtarësimit.

Duke vlerësuar mbështetjen dhe ndihmën e partnerëve evropianë; Komisionit, Parlamentit Evropian, Delegacionit të BE-së në Tiranë, EURALIUS, etj, Kreu i Shtetit evidentoi se partneriteti evropian është veçanërisht i domosdoshëm në reformën në drejtësi, duke nënvizuar domosdoshmërinë e përfshirjes së të gjithë aktorëve dhe operatorëve të sistemit të drejtësisë, dhe posaçërisht edhe të Komisionit të Venecias, në hartimin dhe certifikimin e kësaj reforme kyç për vendin.

Kjo reformë, u shpreh më tej Presidenti, duhet të ecë me vendosmëri krah për krah me luftën e pakompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke e garantuar Komisionerin Hahn se do të mbështesë plotësisht dhe pandërprerje çdo përpjekje dhe hap që shkon në këtë drejtim.

Komisioneri Hahn theksoi se reforma në drejtësi është një element kyç i demokracisë, dhe se në këtë kontekst vlerëson se respekti i ndërsjellë i aktorëve të përfshirë është shumë i rëndësishëm për të shënuar sukses të qëndrueshëm. Z. Hahn u shpreh se edhe pse konsensusi nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, respekti ndaj Kushtetutës dhe pronësia e procesit të reformave janë domosdoshmëri dhe ajo çka të gjithë presin nga Shqipëria.

Duke i'u referuar ambicies për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, Komisioneri Hahn u shpreh se Ballkani Perëndimor e ka vendin në Bashkimin Evropian, por se standardet janë të panegociueshme dhe se në këtë kontekst, nuk e sheh me vend diskutimin e afateve kohore, por se kjo do të varet nga performanca e çdo vendi.

Në fund të takimit u diskutua edhe mbi projektet e përbashkëta rajonale dhe fokusin e shtuar që vendet e Ballkanit Perëndimor po i kushtojnë bashkëpunimit konkret rajonal. Në këtë kuadër u propozua krijimi i forumit të Krerëve të Shteteve të Ballkanit Perëndimor për të avancuar më tej këto projekte. /albeu.com/
Shtuar më 24/03/2015, ora 17:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori