Nuk i uli pagat lojtarëve, por Chelsea u kërkoi të bëjnë bamirësi

Chelsea ka vendosur të mos u imponohet futbollistëve për uljen e pagës, siç rekomandohet nga Premier League, por u ka kërkuar anëtarëve të tij të bëjnë bamirësi gjatë kësaj periudhe të vështirë të emergjencës së Koronavirusit. Klubi londinez e njoftoi këtë vendim me një shënim në faqen e tij në internet.

“Për momentin, shkruhet në njoftim, nuk do të ketë ulje të pagave dhe këshilli drejtues u kërkoi lojtarëve që të përqëndrohen në mbështetje të kauzave bamirëse”.

Klube të shumta në Angli, përfshirë Arsenalin, Southamptonin, West Hamin dhe Watfordin, kanë njoftuar se kanë arritur marrëveshje me lojtarët e tyre javët e fundit për një ulje ose shtyrje të pagave.

Sipas shtypit britanik, Chelsea fillimisht priste një ulje pagash prej rreth 10%, një masë ndjeshëm më e ulët se 30% e rekomanduar nga Premier League.

“Qëllimi ynë ishte gjetja e një marrëveshjeje – vazhdon klubi – në mënyrë që të ruajmë punën e stafit, të kompensojmë tifozët për biletat e shitura dhe të marrin pjesë në aktivitete bamirësie. Ne i jemi mirënjohës ekipit për ndihmën ndaj klubit në aktivitete bamirësie, veçanërisht përmes “PlayersTogether”, i cili mbështet Shërbimin Kombëtar të Shëndetit Britanik “.

Kjo nismë e lojtarëve të Premier League-s, që mori jetë në fillim të këtij muaji, synon të grumbullojë dhe shpërndajë fonde në organizatat bamirëse në mbështetje të shërbimit shëndetësor.


Shtuar 26.04.2020 08:26